29 SHTATOR 2022
GREQI
100 vjet që kur u themelua zyra e degës në Greqi
Më 6 tetor 2022 bëhen plot 100 vjet që kur u hap zyra e parë e degës në Greqi.
Predikimi i lajmit të mirë në Greqinë e ditëve tona nisi më 1905. Mesazhi i Biblës u predikua me zell në tërë vendin dhe në vitin 1922 vëlla Xhozef Radhërfordi themeloi zyrën e parë të degës në Athinë. Vëlla Athanasios Karanasiosi u caktua si përfaqësuesi i parë i degës. Në vitin 1936, zyra filloi të shtypte botime në greqisht. Pas 2 vitesh, qeveria nxori një ligj kundër prozelitizmit. Si pasojë, më 1939, vëlla Karanasiosin e arrestuan. Shtypshkronja u mbyll dhe prona e organizatës u konfiskua për pak muaj. Më vonë, pasi Greqia u përfshi në Luftën II Botërore, u shpall ligji i luftës, i cili çoi në ndalimin e botimeve tona dhe në mbylljen e godinave të Bethelit.
Pas luftës, më 1945, vëllezërit që merrnin drejtimin, arritën të riorganizonin veprën e predikimit sapo u hoq ndalimi. Pas 2 vitesh, vëlla Nejthën Nori vizitoi vëllezërit në Greqi dhe organizoi punën për ndërtimin e godinave të reja të degës në rrugën «Tenedu» në Athinë. Ishte më se e qartë se Jehovai i bekoi ato përpjekje. Aty nga viti 1951, në Greqi kishte 3.368 lajmëtarë, 26 për qind më shumë se 1 vit më parë.
Në tetor 1954, vëllezërit kushtuan një shtëpi të re Bethel në rrugën «Kartali», në Athinë. Vepra e predikimit lulëzoi pavarësisht nga përndjekja. Më 1967, kontrollin e vendit e mori një fraksion ushtarak, ndaj mbledhjet e kongregacionit dhe vepra e predikimit u vunë sërish nën ndalim.
Vëlla Mihalis Kaminarisi dhe bashkëshortja e tij, Elefteria, shërbyen në Bethel gjatë ndalimit. Vëlla Kaminarisi tregon: «Gjatë ndalimit, aktiviteti ynë i shtypjes në Bethel, ishte i mbyllur. Për këtë arsye, shtëpia e cila gjendej në periferi të Athinës, ku jetoja unë me Elefterinë, u bë si një shtypshkronjë. Elefteria shkruante kopje të artikujve të Kullës së Rojës, duke përdorur një makinë të rëndë shkrimi. Ajo vinte dhjetë fletë letrash përnjëherësh në makinën e shkrimit dhe i shtypte shumë fort tastet e saj, në mënyrë që të printoheshin shkronjat. Më pas, unë mblidhja faqet dhe i qepja. Puna vazhdonte çdo mbrëmje deri në mesnatë. Në apartamentin poshtë nesh banonte një polic dhe akoma pyesim veten se përse ai nuk dyshoi kurrë.»
Numri lajmëtarëve vazhdoi të rritej edhe pse ishin nën ndalim. Më 1974, kur u hoq ndalimi, lindi prapë nevoja për një ndërtesë dege më të madhe. Dekadat vijuese, numri i lajmëtarëve në Greqi vazhdoi të rritej, prandaj edhe zyra e degës vazhdoi të zgjerohej. Ndërtesa e degës aktuale, që gjendet në Drapetsonë, Piré, u kushtua më 18 nëntor 2018. Në Greqi po shërbejnë 27.752 lajmëtarë.
Rritja e vazhdueshme në Greqi në mbi 100 vitet e fundit, pavarësisht nga ndalimet e shpeshta, luftërat dhe përndjekja, tregon se asgjë nuk e pengon Jehovain ‘ta përshpejtojë veprën në kohën e vet’.—Isaia 60:22.