29 MARS 2022
INDI
Bibla—Ungjilli sipas Mateut prezantohet në gjuhën konkane (alfabet latin)
Më 27 mars 2022, u prezantua Bibla—Ungjilli sipas Mateut në gjuhën konkane me alfabet latin. Programin e regjistruar paraprakisht e ndoqën rreth 600 veta. Ky botim i ri u vu menjëherë në dispozicion për t’u shkarkuar në formate të ndryshme dixhitale. Më vonë gjatë këtij viti, do të jetë në dispozicion edhe në format të shtypur.
Gjuha konkane është një ndër 23 gjuhët zyrtare në Indi. Kryesisht flitet në pjesën qendrore të bregut perëndimor të Indisë. Dëshmitarët e Jehovait filluan të predikonin në fushën e gjuhës konkane në vitin 1957, kur në atë rajon u caktuan pionierë specialë. Kongregacioni i parë i gjuhës konkane u formua më 1959.
Deri në vitin 1974, kishte shumë pak versione të Biblës të përkthyera në gjuhën konkane. Atë vit, për publikun e gjerë u vu në dispozicion një përkthim i Shkrimeve të Krishtere Greke në këtë gjuhë. Më 2006, në konkane u botua edhe një përkthim i Shkrimeve Hebraike. Mirëpo këto përkthime përdorin fjalë që shumë nga ata që flasin gjuhën konkane, nuk i njohin.
Lajmëtarët që flasin këtë gjuhë kanë nxjerrë dobi nga literatura që kanë botuar Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën konkane. Gjithsesi nuk kishin ende një përkthim të saktë të Biblës. Për shembull, një përkthyes shpjegoi: «Përkthimi i Biblës që përdornim më parë, e përkthente kështu Mateun 6:33: ‘Të ecim sipas rregullave të Mbretërisë së Perëndisë dhe të bëjmë çfarë i pëlqen atij, duhet të jetë ankthi ynë më i madh.’ Kurse tani, në përkthimin e ri të librit të Mateut, ky varg është më i qartë dhe më i lehtë për t’u kuptuar.»
Një përkthyes tjetër tha: «Edhe pse numri i lajmëtarëve në fushën e kësaj gjuhe është i vogël krahasuar me gjuhët e tjera, fakti që kemi këtë libër të Përkthimit Bota e Re në gjuhën tonë, tregon se Jehovai kujdeset për secilin prej nesh.»
Jemi të sigurt se ky përkthim i ri do të ndihmojë vëllezërit që flasin gjuhën konkane që të vazhdojnë t’i tërheqin njerëzit drejt Jehovait.—Gjoni 6:44.