Kalo te përmbajtja

22 JANAR 2018
IZRAEL

Ekspozita në Tel-Aviv paraqet vuajtjet e Dëshmitarëve të Jehovait gjatë nazizmit

Ekspozita në Tel-Aviv paraqet vuajtjet e Dëshmitarëve të Jehovait gjatë nazizmit

TEL-AVIV—Nga 26 nëntori deri më 2 dhjetor 2017, rreth 1.700 veta vizituan një ekspozitë publike të organizuar nga Dëshmitarët e Jehovait në kompleksin historik Hatachana. Qëllimi i saj ishte që publiku të informohej më shumë për përndjekjen që përjetuan Dëshmitarët e Jehovait nën regjimin nazist.

Në këtë ekspozitë u paraqitën pamje filmike, fotografi historike, si dhe një xhaketë njësoj si uniforma e kampit të përqendrimit, të cilën e kishte bërë me dorë një Dëshmitar që i ka mbijetuar kampit të përqendrimit. Në qendër ishin vendosur 27 piktura me bojëra uji të printuara, nga koleksioni «Seria e Bukenvaldit» i Johanes Stejerit (1908-1998). Z. Stejer, një Dëshmitar i Jehovait, u mbijetoi dhjetë viteve përndjekje nga nazistët, ku përfshihej edhe burgimi në kampet e përqendrimit famëkëqij të Bukenvaldit, të Mathauzenit, të Zaksenburgut dhe të Zaksenhauzenit. Ai e përfundoi këtë koleksion me bojëra uji në vitet 70 dhe u frymëzua nga fotografi e kujtime të gjalla nga burgimi i tij.

Një vizitore shikon një xhaketë njësoj si uniforma e kampit të përqendrimit, të cilën e kishte bërë me dorë një Dëshmitar që i ka mbijetuar kampit të përqendrimit

Profesori i merituar Jair Auroni

Duke komentuar për rëndësinë e organizimit të ekspozitave të tilla në Tel-Aviv, Jair Auroni, një historian izraelit dhe profesor i merituar në Open University of Israel, tha: «Mendoj se është veçanërisht e rëndësishme për nxënësit e shkollave të mesme të shohin ekspozitën, pasi mjerisht dinë fare, fare pak për Dëshmitarët e Jehovait. Shumica e izraelitëve nuk dinë asgjë për Dëshmitarët e Jehovait dhe për historinë e tyre gjatë periudhës së nazizmit.»

Mauro Trapaneze, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Izrael, thotë: «Dëshironim që kjo ekspozitë jo vetëm të hidhte dritë mbi vuajtjet që kaluan Dëshmitarët e Jehovait nën regjimin nazist, por edhe të tregonte çfarë kishte të veçantë ajo që përjetuan. Për shembull, kuptuam se shumë vizitorë nuk e dinin se, ndryshe nga grupet e tjera, Dëshmitarëve të Jehovait u jepej mundësia t’i linin kampet e përqendrimit nëse mohonin fenë e tyre. Dhe pikërisht theksimi i fakteve të tilla pak të njohura, ama domethënëse, e bëri të suksesshëm ekspozitën.»

Profesor Gideon Grifi

Profesor Gideon Grifi, një historian i specializuar për historinë e Aushvicit, komentoi: «Dëshmitarët e Jehovait ishin mes atyre njerëzve të mirë që e paguan goxha shtrenjtë besnikërinë ndaj bindjeve dhe ndërgjegjes së tyre.»

Dr. Batja Brutini

Dr. Batja Brutini, historiane arti për Holokaustin, e përmblodhi kështu vizitën e saj: «Mendoj se duke mësuar për atë që hoqën Dëshmitarët e Jehovait gjatë nazizmit dallojmë ato lloj vlerash që mund të na ndihmojnë ta bëjmë botën një vend më të mirë.»

Edhe pse organizatorët kishin planifikuar vetëm një ekspozitë, përfaqësues të disa institucioneve akademike të pranishëm në këtë event kërkuan më tepër informacion mbi atë çka përjetuan Dëshmitarët e Jehovait.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Izrael: Mauro Trapaneze, +972-54-568-1912