17 MAJ 2017
KAZAKISTAN
Kazakistani burgos Dëshmitarin e sëmurë dhe e ndalon të adhurojë Zotin
ALMA-ATË, Kazakistan—Më 2 maj 2017 një gjykatë në Astanë, kryeqyteti i Kazakistanit, dënoi Teimur Ahmedovin me pesë vite burg për veprën paqësore të arsimimit biblik, duke e akuzuar se «nxit përçarje fetare» dhe se «shpall që [feja] e tij është më e mira». Përveç dënimit me burg, gjykatësi e ndaloi të merrte pjesë për tre vjet në veprimtari që lidhen me arsimimin biblik. Për shkak të këtij vendimi, z. Ahmedov, 61 vjeç, bashkëshort dhe baba i tre djemve gjendet në një situatë tejet të rrezikshme, pasi vuan nga një tumor që shkakton hemorragji dhe ka nevojë për kujdesin e duhur mjekësor, i cili po i mohohet në burg. Z. Ahmedov do ta apelojë vendimin e gjykatës. Ka mundësi që apelimi të shqyrtohet nga fundi i majit ose fillimi i qershorit.
Ky vendim është zhvillimi më i fundit shqetësues në dramën ligjore që filloi më 18 janar 2017, kur Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kazakistanit e arrestoi dhe e akuzoi z. Ahmedov në bazë të nenit të diskutueshëm 174/2 të Kodit Penal. Për disa muaj u mbajt në paraburgim dhe iu mohua trajtimi mjekësor. Dejvid Semoniani, një zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve, thotë: «Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë në merak të madh për mirëqenien e Teimurit. Shpresojmë që autoritetet t’i rrëzojnë këto akuza të pabaza dhe ta lejojnë këtë të krishterë besnik e që i bindet ligjit, të ribashkohet me familjen dhe të marrë trajtimin mjekësor për të cilin ka urgjentisht nevojë.»
Dëshmitarët e Jehovait i shohin veprimet e gjykatës së Astanës si provë se Kazakistani po ndjek modelin e përndjekjes fetare të Rusisë, veçanërisht vendimin më të fundit të Gjykatës Supreme të Federatës Ruse për të mbyllur Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Z. Semoniani shpjegon: «Siç ndodhi me veprimtarinë tonë në Rusi, Teimur Ahmedovi është viktimë e një ligji i cili supozohet të sigurojë mbrojtje kundër terrorizmit, ama po keqzbatohet në rastin e aktiviteteve tona fetare. Organizma ndërkombëtarë, si Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, i kanë bërë thirrje Kazakistanit të mos keqzbatojë më ligje të tilla për të përndjekur fe paqësore.» Ai përfundon: «Jemi të shqetësuar për të gjithë bashkëbesimtarët në Kazakistan. Shpresojmë të mos i shqetësojnë më ngaqë marrin pjesë në veprën e arsimimit biblik, që dihet se u sjell dobi komuniteteve në mbarë botën. Të gjithë po e ndjekim nga afër këtë çështje.»
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000
Kazakistan: Bekzat Smagulovi, +7-747-671-45-01