Kalo te përmbajtja

KIRGIZISTAN

Përmbledhje për Kirgizistanin

Përmbledhje për Kirgizistanin

Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë në Kirgizistan që nga 1956-a dhe janë regjistruar ligjërisht në 1998-n. Edhe pse në të shkuarën janë përballur me abuzime të shumta të lirisë fetare, kohët e fundit gëzojnë mbrojtje gjithnjë e më të madhe të të drejtave të tyre nga ana e shtetit.

Në nëntor të 2013-s, Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë vendosi unanimisht se ligji i Kirgizistanit për shërbimin alternativ ishte antikushtetues dhe urdhëroi qeverinë ta ndryshonte. Gjykatat e Kirgizistanit e zbatuan vendimin e Dhomës Kushtetuese dhe, që nga fillimi i 2014-s, Dëshmitarët nuk ndiqen më penalisht për refuzim të shërbimit ushtarak. Më 29 korrik 2015, Kirgizistani bëri ndryshime në ligjin mbi shërbimin ushtarak me qëllim që tu siguronte shërbim alternativ civil që nuk është nën kontrollin e ushtrisë, atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes.

Në shtator 2014, Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë vendosi në favor të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të lirisë fetare duke i shpallur jokushtetuese pjesë të ligjit të fesë që u miratua në 2008-n. Gjithsesi, Komiteti i Shtetit për Çështjet Fetare e ka shpërfillur vendimin e gjykatës dhe ka refuzuar t’i regjistrojë organizatat fetare vendore të Dëshmitarëve në jug të vendit. Mungesa e regjistrimit bën që disa autoritete ta konsiderojnë veprën e Dëshmitarëve të paligjshme. Megjithatë, pasi Dëshmitarët takohen me zyrtarët për të sqaruar keqkuptimet, zakonisht arrijnë të mblidhen bashkë për të adhuruar Perëndinë dhe të flasin me fqinjët për bindjet e tyre, pa pengesën e autoriteteve. Dëshmitarët shpresojnë se qeveria do ta zbatojë plotësisht vendimin e Dhomës Kushtetuese dhe do t’i regjistrojë organizatat e tyre lokale në jug të Kirgizistanit.