23 JANAR 2019
KOREJA E JUGUT
«Të pafajshëm»
Për herë të parë, Koreja e Jugut shfajëson tërësisht ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes
Për herë të parë në historinë e Koresë së Jugut, prokurorët i kërkuan një gjykate apeli t’i shpallte të pafajshëm 5 vëllezër që nuk pranuan shërbimin ushtarak. Si rrjedhojë, gjykata i shfajësoi vëllezërit dhe i mbylli çështjet e tyre një herë e mirë. Këto vendime rrëzuan ose përmbysën plotësisht vendimet e gjykatave të ulëta, që i kishin dënuar vëllezërit për shmangie të shërbimit ushtarak.
Vendimet që i shpallën të pafajshëm 5 vëllezërit më 14 dhjetor 2018, shërbejnë si precedent për shfajësimin e më shumë se 900 vëllezërve, çështjet e të cilëve janë ende pezull në gjykatat e Koresë. Vëllezërit që kanë marrë pafajësinë, do të presin derisa të hyjë në fuqi programi i shërbimit alternativ në vend që të kryejnë shërbimin ushtarak.
Gjykata e apelit vendosi në bazë të 2 vendimeve historike që morën në vitin 2018 Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Ato vendime i dhanë fund politikës 65-vjeçare që në shumicën e rasteve dënonte automatikisht me burg këdo që nuk pranonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, pavarësisht sa të sinqerta ishin bindjet fetare.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë folur mirë për vendimet e 2 gjykatave të larta, që e njohin refuzimin e ushtrisë për shkak të ndërgjegjes si një të drejtë themelore që bazohet te liria e ndërgjegjes. Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore u shpreh: «Vendimi unanim i Gjykatës së Lartë i dha fund historisë së dhimbshme të ndëshkimeve si kriminelë të atyre që nuk pranojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, histori që ka filluar në vitet 50 dhe ka prekur gati 20.000 veta . . . Shprehim respektin tonë të thellë për sakrificat e personave që nuk kanë pranuar ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe të familjarëve të tyre.»
Tani, ata që nuk pranojnë shërbimin ushtarak duhet të vërtetojnë se refuzimi i tyre bazohet në bindje «të patundura, të thella e të sinqerta». Gjykatësit janë udhëzuar të gjejnë prova se bindjet e individit janë të sinqerta. Siç u shpreh Gjykata e Lartë: «Çdo aspekt i jetës së individit . . . duhet të ndikohet nga bindjet e patundura.» Kur t’u përgjigjen pyetjeve hetuese të gjykatësve, vëllezërit do të kenë mundësinë e shkëlqyer të dëshmojnë për vendimin personal që të mos përfshihen në luftë dhe në shërbimin ushtarak.—1 Pjetrit 3:15.
Për më se 6 dekada, Dëshmitarët e Jehovait në Kore janë burgosur për shkak të ndërgjegjes. Kjo jep prova të pakundërshtueshme se qëndrimi ynë paqësor si të krishterë asnjanës buron nga dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimit të dytë më të madh, ‘të duam të afërmin si veten’.—Mateu 22:39.