Kalo te përmbajtja

1 MARS 2018
KOREJA E JUGUT

Në Korenë e Jugut shtohen gjykatat që kërkojnë të zgjidhet çështja e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes

Në Korenë e Jugut shtohen gjykatat që kërkojnë të zgjidhet çështja e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes

Në vend që të vazhdojnë t’i burgosin Dëshmitarët e Jehovait që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, gjykatësit në Korenë e Jugut po përpiqen gjithnjë e më shumë të zgjidhin çështjen e tyre. Disa gjykatës po shqyrtojnë arsyet që qëndrojnë në themel të vendimit të këtyre të rinjve​—një vendosmëri e ndërgjegjshme e bazuar në parime biblike për të mos dëmtuar të tjerët. * Ndaj, duke u mbështetur tek e drejta themelore e lirisë së ndërgjegjes, disa gjykata kanë vendosur të mos i shpallin fajtorë për shmangie të shërbimit ushtarak. Që nga maji 2015 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë, kanë dhënë 66 vendime pafajësie në favor të Dëshmitarëve që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes​—një rritje e mahnitshme në krahasim me vetëm 4 vendimet e favorshme të regjistruara në dekadat e kaluara.

Një vendim me peshë

Më 1 shkurt 2018 një gjykatë apeli në Busan mori një vendim të bujshëm, pasi shpërfilli vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe mbështeti një vendim pafajësie të dhënë nga një gjykatë e shkallës së parë. Vendimi ishte veçanërisht i rëndësishëm për dy arsye. Së pari, Krahina e Busanit është konservatore dhe së dyti, kryetari i trupit gjykues, Jong-du Çoi, më parë e kishte shpallur fajtor një të ri që kishte refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje.

Paneli me tre gjyqtarë u përqendrua te detyrimi kushtetues i Koresë së Jugut për të respektuar ligjet ndërkombëtare që ka ratifikuar vendi​—në këtë rast, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (Konventa), e cila njeh të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjykata arsyetoi se «praktika e ndëshkimit me burg të atyre që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, bie në kundërshtim me nenin 18 të Konventës, ja pse . . . është e përshtatshme që refuzimi i ushtrisë për shkak të ndërgjegjes të konsiderohet ‘arsye e vlefshme’» për të mos u rekrutuar. Ky vendim u bë i njohur gjerësisht dhe shumë ekspertë mendojnë se do të ndikojë pozitivisht tek organizmat ligjorë.

Sytë drejt zgjidhjes

Në të kaluarën, gjykatësit kanë dënuar me burg çdo vit mesatarisht 500-600 të rinj për këtë çështje, por tani shumë prej tyre po i shtyjnë gjyqet. Numri i çështjeve pezull, aktualisht më tepër se 700, po vazhdon të rritet teksa gjykatësit presin vendimin që do të marrë së shpejti Gjykata Kushtetuese. Deri më 31 dhjetor 2017 kishte vetëm 267 Dëshmitarë të burgosur​—numri më i ulët në 10 vjet.

Për ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse gjykatësit duhet të zbatojnë Ligjin për Shërbimin Ushtarak, i cili e dënon shmangien e shërbimit ushtarak, apo nëse mbrohen nga e drejta kushtetuese e lirisë së ndërgjegjes, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Shumë veta në Korenë e Jugut shpresojnë që Gjykata të gjejë një zgjidhje që u jep dinjitet të rinjve, të cilëve ua lejon ndërgjegjja të pranojnë një program shërbimi alternativ dobiprurës për shoqërinë.

Nëse Gjykata e zgjidh çështjen në favor të të rinjve që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes, atëherë Koreja e Jugut do të veprojë në harmoni me vendimet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në lidhje me qindra çështje të tilla. Komiteti i ka bërë thirrje Koresë së Jugut të mos i burgosë më ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe të respektojë të drejtën themelore të lirisë së ndërgjegjes.

^ par. 2 Për shembull, Isaia 2:4 thotë: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» Jezui i urdhëroi dishepujt që të njiheshin nga dashuria për njëri-tjetrin: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»​—Gjoni 13:34, 35.