7 KORRIK 2015
KOREJA E JUGUT
A janë të gatshëm gjykatësit në Korenë e Jugut të ndjekin standardet ndërkombëtare për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes?
Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut do të marrë sërish në shqyrtim nëse është kushtetues mohimi nga ana e qeverisë i së drejtës së refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. * Vetëm para katër vjetësh, më 2011-n, gjykata vendosi se ndëshkimi i personave që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes në bazë të Ligjit për Shërbimin Ushtarak të Koresë së Jugut, nuk përbën shkelje të kushtetutës. Gjykata shprehu të njëjtën pikëpamje edhe në një vendim të vitit 2004.
Më 9 korrik 2015, gjykata do të ndërmarrë hapin e pazakontë që ta shqyrtojë sërish këtë çështje duke dëgjuar së bashku rastet e tre personave që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Organizata të ndryshme kanë paraqitur pranë gjykatës informacione që e mbështetin këtë të drejtë. Meqë ligjet ndërkombëtare e pranojnë të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes, rezistenca që po bën Koreja e Jugut për të mos i ndryshuar gjërat, po tërheq vëmendjen e mbarë botës.
Gjithnjë e më shumë vëmendje nga ndërkombëtarët
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i ka bërë thirrje Koresë së Jugut që të bëjë ndryshime. Që nga viti 2006, ky komitet ka nxjerrë pesë vendime që kishin lidhje me më shumë se 500 persona që refuzonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes * dhe ka vendosur se Koreja e Jugut duhet të marrë masa legjislative që garantojnë të drejtën e këtij refuzimi.
Në një artikull të datës 13 maj 2015, Amnesty International, një organizatë për të drejtat e njeriut me qendër në Londër, i kushtoi vëmendje Ditës Ndërkombëtare të Personave që Refuzojnë Shërbimin Ushtarak për Shkak të Ndërgjegjes duke e drejtuar vëmendjen te mënyra si i trajton Koreja e Jugut këta persona. Artikulli përqendrohej kryesisht te të rinjtë Dëshmitarë që janë në moshën për ushtri dhe te situata e tyre e vështirë nën ligjin aktual të Koresë së Jugut. Po atë javë, në media të ndryshme ndërkombëtare, si CNN dhe The Washington Post, dolën artikuj që flitnin për refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe për të rinjtë Dëshmitarë që marrin këtë qëndrim.
Sfida që hasin gjykatësit
Kur një Dëshmitar i Jehovait në Korenë e Jugut refuzon rekrutimin në ushtri, zakonisht gjykatësit e shpallin fajtor për shmangie të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Mirëpo, gjykatësit po ndihen gjithnjë e më në siklet kur dënojnë një të ri jo të dhunshëm, «krimi» i vetëm i të cilit është se u përmbahet bindjeve të sinqerta fetare. * Në një rast, kryetarja e një trupi gjykues në Gjykatën e Krahinës Suuon qau kur dënoi një Dëshmitar ngaqë nuk kishte mundësi tjetër ligjore veçse ta shpallte fajtor.
Më 12 maj 2015, një gjykatës i Gjykatës së Krahinës Guanxhu i shpalli «të pafajshëm» disa të rinj Dëshmitarë. Ky gjykatës shkoi kundër precedentëve të mëparshëm për shkak të dilemës morale përpara së cilës u gjend në rastin e tre Dëshmitarëve të Jehovait. Që të nxiste frymën e ndryshimit, ai u tha: «Gjithçka që mund të bëj për ju është të ndez një fije të vogël shkrepseje me shpresën se do të bëni një zjarr të madh me të.» Prokurori e ka apeluar vendimin.
Në vend që të dënojnë ata që kundërshtojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, shtatë gjykatës të gjykatave krahinore ia kanë referuar çështjet Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nga vendimet e kësaj të fundit për këtë argument më 2004 dhe 2011. Këta gjykatës refuzojnë të dënojnë me burg një të ri thjesht sepse po ndjek zërin e ndërgjegjes. Në një prej këtyre rasteve, gjykatësi Jong-hun Gang i Gjykatës së Krahinës Veriore të Seulit tha se të ndëshkosh personat që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes «është njësoj si t’u mohosh atyre të drejtat dhe identitetin. S’diskutohet që kjo cenon dinjitetin njerëzor.»
Gjykatësit nxiten «të bëjnë presion në gjykata»
Në dhjetor 2014, Shoqata e Avokatëve të Koresë mbajti një konferencë me temë refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjatë fjalimit kyç, ish-gjykatësja e Gjykatës së Lartë Su-an Xhën i quajti «një turp për kombin» vendimet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe rezolutat e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ndaj Koresë së Jugut. Ajo tha se «të futësh në burg qindra të rinj është e pajustifikueshme» dhe i nxiti gjykatësit e avokatët e pranishëm «të bëjnë presion në gjykata» që të vendosin për çështjet në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Zonja Xhën tha në fund të fjalimit: «Duhet të miratojmë sa më shpejt një shërbim alternativ. . . . Miratimi i shërbimit alternativ do të ishte një moment historik për Korenë dhe një arritje e jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e së parës presidente femër. Vetëm kështu mund të heqim njollën si komb i prapambetur në çështjet e të drejtave të njeriut.»
A do t’u përmbahet standardeve ndërkombëtare Gjykata Kushtetuese?
Për dekada, mijëra Dëshmitarë të Jehovait në Korenë e Jugut kanë duruar periudha burgimi ngaqë ndërgjegjja nuk ua ka lejuar të shkojnë kundër bindjeve të tyre. Teksa mezi presin vendimin e gjykatës, pyesin: «A janë të gatshëm gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të veprojnë në të mirë të personave që kundërshtojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes? A do të veprojë Koreja e Jugut sipas standardeve për të drejtat e njeriut të njohura botërisht?»
^ par. 2 Republika e Koresë nuk e njeh të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në 60 vitet e kaluara, ka burgosur mbi 18.000 Dëshmitarë të Jehovait që refuzuan shërbimin ushtarak për shkak të bindjeve fetare të cilave u përmbaheshin me sinqeritet. Për një listë të përditësuar të Dëshmitarëve të burgosur në Korenë e Jugut, shih artikullin «Burgosen për shkak të besimit—Koreja e Jugut».
^ par. 5 Komunikatat nr. 1321/2004 dhe 1322/2004, dok. i OKB-së CCPR/C/88/D/1321-1322/2004, 3 nëntor 2006; komunikatat nr. 1593 deri 1603/2007, dok. i OKB-së CCPR/C/98/D/1593-1603/2007, 23 mars 2010; komunikatat nr. 1642-1741/2007, dok. i OKB-së CCPR/C/101/D/1642-1741/2007, 24 mars 2011; komunikata nr. 1786/2008, dok. i OKB-së CCPR/C/106/D/1786/2008, 25 tetor 2012; komunikata nr. 2179/2012, dok. i OKB-së CCPR/C/112/D/2179/2012, 15 tetor 2014.