Kalo te përmbajtja

Kulla e Rojës nr. 2 2020 me titull «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?», u shpërnda në mbarë botën gjatë fushatës së vitit 2023

29 NËNTOR 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE

Mesazhi i Mbretërisë arrin zemrat e njerëzve anembanë botës, gjatë fushatës së shtatorit 2023

Mesazhi i Mbretërisë arrin zemrat e njerëzve anembanë botës, gjatë fushatës së shtatorit 2023

Në shtator të 2023-shit, Dëshmitarët e Jehovait kudo në botë morën pjesë në një fushatë speciale predikimi për të lajmëruar Mbretërinë e Perëndisë. Gjatë fushatës, përdorën revistën nr. 2 2020 të Kullës së Rojës me titull: «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» a Eksperiencat e mëposhtme tregojnë rezultatet pozitive të kësaj fushate.

Angli

Marku dhe djali i tij 10-vjeçar, Flini, jetojnë në Sauthport, Angli. Gjatë fushatës, takuan një grua që në derën e parë. Gjithë entuziazëm gruaja ia mori prej duarsh Kullën e Rojës Markut dhe, duke iu referuar titullit të revistës, tha: «S’më besohet që keni ardhur pikërisht sot! Kam nevojë të di përgjigjen e kësaj pyetjeje më shumë se kurrë më parë.» Me lot në sy u tha se kohët e fundit i kishte vdekur djali dhe po kërkonte ngushëllim. Menjëherë Marku i foli për shpresën e ringjalljes. Asaj i bëri shumë përshtypje dhe kërkoi të dinte më shumë. Kur Marku dhe Flini u kthyen që të vazhdonin bisedën, gruaja dhe bashkëshorti i saj e pranuan me kënaqësi broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë dhe u fillua një studim i Biblës.

Indonezi

Një vëlla me emrin Frederik po priste në radhë te mjeku dhe, ndërkohë, filloi të bisedonte me një burrë që ishte atje bashkë me të birin. Ndërsa bisedonin, Frederiku i foli për premtimin e Biblës se, së shpejti, sëmundjet dhe vuajtjet nuk do të ekzistojnë më. Vëllai e ftoi burrin të lexonte fjalët e Jezuit për Mbretërinë e Perëndisë te Mateu 6:9, 10. Pastaj e pyeti: «Pra, si do të zhduken vuajtjet?» Burri u përgjigj me saktësi: «Këtë do ta bëjë Perëndia dhe Mbretëria e tij.» Pastaj pyeti se çfarë është Mbretëria e Perëndisë. Por, në ato momente, thirrën emrin e të birit dhe duhej të largoheshin. Shpejt e shpejt Frederiku i dha burrit adresën e vet dhe një kopje të revistës Kulla e Rojës. Për habi të Frederikut, mëngjesin tjetër, burri dhe gruaja e tij i trokitën në derë vëllait tonë për të mësuar më shumë për Mbretërinë e Perëndisë. Gjithë qejf Frederiku u organizua që ta vazhdonin bisedën.

Malavi

Dy motra i ofruan kreut të një fshati Kullën e Rojës dhe i shpjeguan se Mbretëria e Perëndisë do të qeverisë së shpejti në gjithë tokën. Ai pyeti: «A do të thotë kjo se një ditë do ta humbas mbretërinë time?» Pasi i shpjeguan pse Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit, kreu i fshatit tha: «Ky është një lajm i mirë. Unë vetë jam kryetar fshati, megjithatë e kuptoj se asnjë kre nuk e bën dot atë që do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për të gjithë njerëzit anembanë botës.» Më pas kërkoi 5 kopje të tjera të Kullës së Rojës që t’ua jepte krerëve të tjerë nëpër fshatra. Gjithashtu u shpreh se mezi priste bisedën e radhës rreth Biblës.

Meksikë

Në shtetin e Pueblës, një motër që po udhëtonte me autobus, pyeti një burrë të moshuar nëse mund t’i tregonte diçka inkurajuese. Burri ra dakord, prandaj motra i lexoi për Mbretërinë e Perëndisë nga Mateu 6:9, 10. Burri e pyeti: «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? S’e kam lexuar asnjëherë Biblën e as kam folur ndonjëherë me një Dëshmitar të Jehovait.» Motra iu përgjigj duke i treguar revistën Kulla e Rojës nga celulari i saj. Burri filloi të bënte edhe më shumë pyetje, prandaj motra i shpjegoi se mund të shkarkonte aplikacionin JW Library për të marrë përgjigjet. Kur pa që kishte pak hapësirë në celularin e tij, filloi të fshinte disa gjëra për të liruar hapësirë dhe tha: «Të mësosh për Mbretërinë e Perëndisë ka më tepër rëndësi.» Nga fundi i udhëtimit kishte mbaruar së lexuari të gjithë revistën. Gjithashtu kishin biseduar për mësimin e parë të broshurës Gëzoje jetën përgjithmonë, dhe kishin rënë dakord për të filluar një studim të Biblës. Burri e falënderoi disa herë motrën dhe shprehu dëshirën që të vinte në mbledhjet tona.

Zelanda e Re

Ndërsa po predikonte shtëpi më shtëpi, një vëlla me emrin Beni i shpjegoi një nëne të re se, së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë lehtësim për të gjithë ata që vuajnë nga stresi. Ajo tha: «Sa mirë që ke ardhur! E pata të vështirë të flija natën, ngaqë isha shumë në ankth për të ardhmen.» Lotët i rridhnin faqeve ndërsa Beni i lexonte Zbulesën 21:4 dhe i shpjegonte se Mbretëria e Perëndisë do të eliminonte sëmundjet dhe vdekjen. Ajo e pranoi me kënaqësi Kullën e Rojës dhe tha se mezi priste ta lexonte dhe të mësonte më shumë.

Sudani i Jugut

Në një kamp refugjatësh, shumë ishin të etur të mësonin për Mbretërinë e Perëndisë. Brenda 2 orësh u shpërndanë afro 1.000 botime, përfshirë Kulla e Rojës. Një refugjat u shpreh: «Keni ardhur në momentin e duhur. Kjo është fiks ajo që na duhej!» Një refugjat tjetër tha: «Shumë faleminderit që mendoni për ne. E dimë që vini nga larg, por ju lutemi, hajdeni përsëri.»

Tajvan

Dy motra takuan një burrë që ishte shumë i shqetësuar për zjarret e kohëve të fundit në Havai. Një nga motrat i tregoi një figurë nga Kulla e Rojës që tregonte si do të jetë Parajsa këtu në tokë. Ai tha: «Do të ishte e mrekullueshme sikur toka të ishte si këtu në figurë. Në një botë plot me lajme të këqija, është bukur të dëgjojmë këtë mesazh ngushëllues dhe shpresëdhënës.»

Ishte një privilegj të merrnim pjesë në këtë fushatë dhe të ndihmonim njerëzit të kuptonin se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë ngushëllim dhe shpresë të vërtetë.—Romakëve 15:4.

Më poshtë tregohen disa fotografi me vëllezër e motra nga vende të ndryshme duke predikuar me gëzim gjatë fushatës.

a Në këtë artikull, sa herë përmendet shprehja Kulla e Rojës i referohet Kullës së Rojës nr. 2 2020.

 

Burkina-Faso

Kosta-Rikë

Etiopi

Gjeorgji

Indonezi

Itali

Kenia

Meksikë

Zelanda e Re

Panama

Poloni

Skoci

Koreja e Jugut

Tajvan

Togo

Uells