3 KORRIK 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE
Projekti i Ramapos
Miratohet një leje e rëndësishme për projektin e Ramapos
Më 28 qershor 2023, morëm një leje tejet të rëndësishme për projektin e ndërtimit të Ramapos në Nju-Jork, SHBA. Bordi i Planit Urbanistik të Qytetit të Ramapos miratoi unanimisht planin për projektin. Ndonëse duhen plotësuar ende disa kritere, falë këtij miratimi mund të vazhdojnë punimet.
Është interesante që banorët dhe zyrtarët vendës nuk paraqitën asnjë kundërshtim a shqetësim gjatë mbledhjes së Bordit. Vëlla Keith Kedi, i cili shërben në Komitetin e Projektit të Ndërtimit (KPN), shprehet: «U përgatitëm për muaj të tërë që të prezantonim para bordit planin e projektit dhe të ishim në përputhje me të gjitha rregullat. Synimi ynë ishte që t’ua bënim sa më të thjeshtë që të miratonin aplikimin tonë.» Bordi i vlerësoi përpjekjet dhe aprovoi njëzëri çdo rezolutë në lidhje me projektin. Vëlla David Soto, një anëtar tjetër i KPN-s, komentoi: «I gjithë diskutimi dhe marrja e vendimit zgjatën më pak se 1 orë. Falënderojmë Bordin e Qytetit për punën e tyre të palodhur e të papërtuar, si edhe për bashkëpunimin. Mezi presim të punojmë sërish me departamentin e planit urbanistik të qytetit.»
Falë kësaj lejeje të fundit, do të ecin para mjaft aspekte të rëndësishme të punës për projektin e Ramapos. Vëlla Kedi shpjegoi: «Sapo të hiqen nga prona pemët e prera, kontraktuesit do të nisin punën. Ja pse, në fund të vitit tjetër do të kemi nevojë për shumë më tepër vullnetarë. Të gjithë ne që morëm pjesë në mbledhjen me bordin, u emocionuam kur dëgjuam vendimin unanim për të nisur së shpejti punën.»
Si organizatë mbarëbotërore i jemi mirënjohës Jehovait për këtë zhvillim të fundit. Lutemi që Ai të bekojë vazhdimisht ata që janë të përfshirë në projekt ndërsa ‘i japin zemër njëri-tjetrit që t’ia nisin punës’.—Nehemia 2:18.