Kalo te përmbajtja

28 DHJETOR 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE

Një dekadë me JW.ORG—Pjesa 1

Video dhe botime të bazuara në Bibël dalin në format elektronik

Një dekadë me JW.ORG—Pjesa 1

Siç është përmendur më parë, në vitin 2022 u mbushën plot 25 vjet që Dëshmitarët e Jehovait kanë një sit zyrtar. Megjithatë, versioni i ri i sitit jw.org u prezantua 10 vjet më parë, më 27 gusht 2012. Kjo seri artikujsh me 3 pjesë do të tregojë se si kanë nxjerrë dobi miliona veta nga siti i ri jw.org.

Videot: Në kongresin e vitit 2012, dolën në DVD dy pjesë të një serie të re me titull Bëhu mik i Jehovait. Megjithatë DVD-t po e humbnin popullaritetin dhe po bëheshin gjithnjë e më të kushtueshme për t’u prodhuar. Siti i ri i prezantuar në verën e vitit 2012, ishte një mënyrë më efikase për të shpërndarë videot. Ja pse në janar 2013, episodi i ri i Bëhu mik i Jehovait me titull Lutu çdo ditë, doli në format elektronik në jw.org. Që prej atij viti, kanë dalë më tepër se 40 episode të reja.

Edhe videoja Pse ta studiosh Biblën? doli në format digjital në vitin 2013. Tanimë ajo është kthyer në një mjet tejet të çmuar për shërbimin dhe është pjesë e Çantës së mjeteve mësimore. Që prej asaj kohe, shpërndarja e videove nëpërmjet jw.org është bërë pjesë mjaft e rëndësishme e shërbimit. Për shembull, në gusht të 2014-s, gjatë fushatës për të shpërndarë fletushkën që reklamonte sitin, u shkarkuan ose u panë rreth 15 milionë video.

Një vëlla që punoi me krijimin e sitit jw.org, tha: «Na u forcua besimi kur pamë si na përgatiti Jehovai për ngjarjet që na prisnin. Në atë kohë, as ia kishim idenë se kjo metodë e re e shpërndarjes së videove do të ishte kaq jetike në të ardhmen.» Për shembull, JW Broadcasting u prezantua në tetor 2014, dhe atë muaj u shkarkuan mbi 37 milionë video. Më 2020, kur nisi pandemia e COVID-19, u rrit edhe më shumë numri i videove që u shkarkuan ose u panë në jw.org. Deri më tani, për vitin 2022, janë shkarkuar çdo muaj mesatarisht mbi 260 milionë video.

Botimet elektronike: Dekadat e fundit, shumë njerëz po preferojnë të lexojnë materiale online ose në aplikacionet telefonike në vend se në format të shtypur. Nëpërmjet versionit të ri të sitit që doli më 2012, përdoruesit mund të lexonin revistat online, shpesh para se të merrnin revistën e shtypur. Puna për të prodhuar botimet në format elektronik për sitin e bëri më të thjeshtë prezantimin e aplikacionit JW Library në vitin 2013. Aplikacioni plotëson sitin dhe është një platformë e shkëlqyer për të lexuar e studiuar botimet digjitale.

Fillimisht botimet që prezantoheshin në kongrese gjatë verës, dilnin në sit ose në aplikacion në janar të vitit pasues. Por, gjatë kongreseve rajonale të vitit 2015, auditori u gëzua pa masë kur mësoi se mund të shkarkonte menjëherë formatet digjitale të materialeve të reja që u prezantuan në kongres—këtu përfshihej libri Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta, broshura Kthehu te Jehovai!, si edhe videoja Çfarë është dashuria e vërtetë? Një vit më vonë, gjatë programit të JW Broadcasting për muajin maj 2016, vëllai Entoni Moris nga Trupi Udhëheqës, prezantoi broshurën e re Të rinjtë pyesin: 10 pyetje marrin përgjigje dhe njoftoi se ishte në dispozicion për t’u shkarkuar menjëherë. Kjo ishte hera e parë që një botim prezantohej njëkohësisht për të gjithë vëllazërinë mbarëbotërore.

Organizata e Jehovait e ka përdorur prej kohësh teknologjinë për të predikuar lajmin e mirë dhe për të mbështetur vëllazërinë. Jemi të emocionuar tek shohim si është përdorur siti jw.org për të siguruar «ushqim në kohën e duhur».—Mateu 24:45.

  • Video të shkarkuara çdo muaj

  • Vizitorët e përditshëm të sitit çdo muaj

  • Prezantohet Lutu çdo ditë, janar 2013

  • Prezantohet aplikacioni JW Library, tetor 2013

  • Fushata mbarëbotërore me fletushkën që reklamonte sitin jw.org, gusht 2014

  • Prezantohet JW Broadcasting, tetor 2014

  • Botimet e reja të kongresit dalin në format elektronik, maj 2015

  • Prezantohet për vëllazërinë mbarëbotërore broshura Të rinjtë pyesin: 10 pyetje marrin përgjigje, maj 2016