Kalo te përmbajtja

Vëlla Igor Baranovi dhe motër Daria Dulova

8 SHTATOR 2020
RUSI

Dy të rinj, vëlla Baranovi dhe motër Dulova tregojnë besim dhe guxim

Dy të rinj, vëlla Baranovi dhe motër Dulova tregojnë besim dhe guxim

Dy të rinj në Rusi, vëlla Igor Baranovi dhe motër Daria Dulova, po tregojnë guxim, pavarësisht se po akuzohen si kriminelë dhe rrezikojnë të burgosen për një kohë të gjatë. Vëlla Baranovi, që është vetëm 19 vjeç, për momentin është në paraburgim. Motër Dulova ishte vetëm 18 vjeçe kur autoritetet bastisën shtëpinë e saj. Ata janë më të rinjtë ndër më tepër se 380 vëllezërit e motrat në Rusi që po ndiqen penalisht për shkak të besimit.

Vëlla Baranovi gjendet në paraburgim që prej 27 majit 2020. Motër Dulova pret vendimet e gjykatave pasi është e përfshirë në 2 çështje penale. Me gjithë sfidat, të dy janë të vendosur t’i qëndrojnë besnikë Jehovait.

Më 27 maj, agjentë të armatosur të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën shtëpinë ku jetonte vëlla Baranovi me të ëmën. Po atë ditë, gjykatës Aleksej Shatilovi urdhëroi burgosjen e tij me akuzën se ishte «një ndër liderët» e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë.

Gjatë bastisjes terrorizuese, vëlla Baranovi tha se arriti të qetësohej vetëm pasi iu lut Jehovait. Ai kujton: «Një nga oficerët që po kontrollonte, vërejti se unë po sillesha sikur po i prisja.»

Vëlla Baranovi i kujtonte vazhdimisht vetes se, «nëse Jehovai e lejon këtë situatë, kjo do të thotë se mund ta përballoj». Më tej shpjegon: «Lutjet e zjarrta për frymë të shenjtë dhe për mbështetje nga Perëndia më ndihmuan të mos kisha frikë. Gjithashtu, unë e di se nuk jam kriminel, ndaj ndërgjegjen e kam të pastër. Po më përndjekin për shkak të besimit.»

Vëlla Baranovi tregon se nuk ndihet i kërcënuar në paraburgim. Të burgosurit e tjerë nuk janë të dhunshëm, e kanë trajtuar me respekt dhe e konsiderojnë si vëllanë e tyre të vogël. Ai shprehet: «Ata e kuptojnë që s’duhej të isha këtu.»

Më 1 gusht 2018, disa policë bastisën apartamentin ku motër Dulova jeton me mamanë. Edhe pse kontrolli i shtëpisë dhe arrestimi e rënduan emocionalisht, ajo tregon se besimi i saj është si shkëmb. Motër Dulova shprehet: «Jam e vendosur të qëndroj besnike dhe kam për t’i shërbyer Jehovait të ndodhë ç’të ndodhë.»

Çështja penale e motër Dulovës nisi në shtator të 2019-s në Gjykatën e Qytetit të Karpinskit në rajonin e Sverdlovskit. Në një nga seancat e fundit në gjyq, motër Dulova tha se është më se normale që njerëzit të flasin për gjëra të bukura me njëri-tjetrin. Ajo shpjegoi: «Për shembull, unë e di se së shpejti Perëndia do ta bëjë tokën parajsë dhe se do të ketë vetëm lot gëzimi. A nuk duhet të më motivojë ky lajm i bukur që ta ndaj edhe me të tjerët?»

Pavarësisht nga arsyetimi i saj i guximshëm dhe logjik, më 27 janar 2020 gjykata e dënoi me 1 vit burg, por ekzekutimi i vendimit është pezulluar. Avokati i mbrojtjes e apeloi vendimin.

Më 6 gusht 2020, Gjykata Rajonale e Sverdlovskit hodhi poshtë vendimin e gjykatës së parë për motër Dulovën. Çështja iu rikthye Gjykatës së Qytetit të Karpinskit që të shqyrtohej nga një gjykatës tjetër. Data nuk është përcaktuar ende. Teksa pret gjykimin e kësaj çështjeje, ajo po përpiqet të provojë pafajësinë në një tjetër çështje penale ku po hetohet bashkë me të ëmën dhe 3 Dëshmitarë të tjerë.

Vëlla Baranovi dhe motër Dulova kanë mësuar shumë nga sfidat që po kalojnë.

Motër Dulova tregon se çfarë e ka ndihmuar: «Forcoje besimin te Jehovai duke lexuar Biblën, duke u përgatitur për mbledhjet dhe duke mësuar përmendsh këngët e Mbretërisë. Shfrytëzoje kohën duke medituar për pjesë nga Bibla që të ndihmojnë ta largosh mendjen nga ankthi dhe nga frika prej së panjohurës.»

Vëlla Baranovi pohon: «Që të qëndrosh besnik në këto rrethana, është e domosdoshme një miqësi e ngushtë me Jehovain. Mos e harxho kohën kot. Forcoje që tani miqësinë me Perëndinë Jehova.»

Bibla ka shembuj që tregojnë se Jehovai ka ndihmuar plot të rinj besnikë të jenë të guximshëm. E dimë që Ai do t’i mbështetë këta të rinj kaq të çmuar, të cilët po përballen me përndjekjen në Rusi dhe në vende të tjera të botës.—1 Samuelit 1:20; 16:18; 2 Mbretërve 5:1-3; Danieli 1:14-17; 3:17-27.