2 KORRIK 2021
RUSI
Lutjet dhe profecitë e plotësuara ndihmojnë 3 vëllezër të qëndrojnë gjatë përndjekjes
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 14 janar 2022, Gjykata Rajonale e Nizhnji-Novgorodit hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Aleksej Orjeshkov, Aleksandër Rakovski dhe Aleksandër Vavilov. Për momentin atyre nuk u duhet të futen në burg.
Më 25 tetor 2021, Gjykata e Qytetit të Pavlovos në rajonin e Nizhnji-Novgorodit shpalli fajtorë vëllezërit Orjeshkov, Rakovski dhe Vavilov dhe e dënoi secilin me tri vite vënie në provë.
Të dhëna
Aleksej Orjeshkovi
Lindur: 1971 (Pavlovo, rajoni i Nizhnji-Novgorodit)
Biografia: Kur ishte fëmijë, i pëlqente të luante pingpong. U diplomua në një universitet muzike dhe u specializua për veglat frymore. Tani është në pension. Është kujdesur për të ëmën e moshuar për shumë vjet. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 2011
Aleksandër Rakovski
Lindur: 1980 (Pavlovo, rajoni i Nizhnji-Novgorodit)
Biografia: Kur ishte i ri, mësoi t’i binte kitarës dhe luante me një grup muzikor. Punon si specialist IT. U martua me Tatjanën në vitin 2005. Nisën të studionin me Dëshmitarët e Jehovait pasi mësuan për shpresën e Biblës për të ardhmen. U pagëzua në vitin 2009. Kanë një djalë dhe një vajzë
Aleksandër Vavilovi
Lindur: 1967 (Kropotkin, rajoni i Krasnodarit)
Biografia: Kur ishte i ri, i pëlqente të bënte vrap, ski dhe të pikturonte portrete. Ka shërbyer në ushtri. Është stërvitur për t’u bërë boksier profesionist. Më vonë vendosi të hiqte dorë nga sporte të tilla të dhunshme dhe u bë berber. Ai dhe e shoqja, Jelena, nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U martuan në vitin 1994 dhe u pagëzuan në vitin 1995. U pëlqen të kalojnë kohë në natyrë
Historiku i çështjes
Më 16 dhe 17 korrik 2019, policë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën disa shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në rajonin e Nizhnji-Novgorodit. Si rezultat, vëllezërit Aleksej Orjeshkov dhe Aleksandër Vavilov i morën në pyetje dhe pastaj i futën në një qendër paraburgimi. Aleksejin e mbajtën atje për 211 ditë dhe më pas për 31 ditë në arrest shtëpie. Kurse Aleksandri kaloi 241 ditë në paraburgim.
Kur ishte në paraburgim, Alekseji lutej më shpesh dhe më intensivisht se kurrë më parë. Çdo ditë kur zgjohej, lutej që të kishte pikëpamjen e duhur për sfidat e asaj dite, që të qëndronte besnik dhe që ta mbante mendjen te Jehovai e te Fjala e tij. Gjithashtu, ai thotë: «Në fund të ditës, lutjet e mia ishin më të gjata dhe më domethënëse. Përpiqesha të përmendja të gjithë vëllezërit me emër. Lutesha për punonjësit e burgut, për shokët e qelisë, për hetuesin, për familjen time, për kongregacionin dhe për organizatën.»
Aleksandër Vavilovi thotë: «Tani lidhja ime me Jehovain është shumë e ngushtë. Ndihem sikur Jehovai jo vetëm më kap nga dora dhe më drejton, por madje sikur më mban në krahët e tij, si një bari që mban një qengj të vogël. Kujdesi i tij duket më qartë dita-ditës.»
Më 21 shtator 2020, autoritetet akuzuan për krim edhe vëlla Aleksandër Rakovskin dhe e bënë pjesë të çështjes së vëllezërve Orjeshkov dhe Vavilov. Ndër të tjera, 3 vëllezërit i akuzojnë për pjesëmarrje në mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Atyre u kanë kufizuar udhëtimet.
Ajo që e ndihmon vëlla Aleksandër Rakovskin të qëndrojë, është meditimi për profecitë e Biblës, sidomos ato për mbretin e veriut. Ai tregon: «Kjo më ndihmon të mos e mbaj mendjen te gjëra stresuese, por te profecitë që lidhen me përndjekjen dhe te përmbushja e tyre. Gjithashtu më ndihmon të përqendrohem më shumë te premtimi i Jehovait se do të na mbështetë kur të na përndjekin.»
Jemi të sigurt se këta vëllezër do të ruajnë qëndrimin pozitiv ndërsa besimi i fortë i ndihmon të përballojnë këtë sprovë.—Filipianëve 1:29.