Kalo te përmbajtja

Motër Olga Ganushi

23 QERSHOR 2021
RUSI

Motër Olga Ganushin e ndihmojnë lutjet specifike të përballojë përndjekjen

Motër Olga Ganushin e ndihmojnë lutjet specifike të përballojë përndjekjen

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 30 shtator 2021, Gjykata Rajonale e Rostovit hodhi poshtë apelimin e motër Ganushit. Dënimi i saj fillestar mbetet në fuqi. Në këtë moment nuk i kërkohet të futet në burg.

Më 13 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Voroshilovskit në Rostov-mbi-Don dënoi motër Olga Ganushin me dy vite vënie në provë.

Të dhëna

Olga Ganushi

  • Lindur: 1961 (Rostov-mbi-Don, rajoni i Rostovit)

  • Biografia: Ka rritur e vetme djalin e saj dhe tani është në pension. I pëlqen të bëjë punime artizanale, të dëgjojë muzikë dhe të lexojë libra

  • Vendosi të studionte Biblën kur dëgjoi për shpresën që jep ajo se njerëzit do të jetojnë në parajsë me familjarë dhe miq që do të kthehen sërish në jetë. U pagëzua si Dëshmitare e Jehovait në vitin 1995

Historiku i çështjes

Në fillim të vitit 2019, autoritetet ruse instaluan fshehurazi pajisje përgjimi audio dhe video në apartamentin e motër Olga Ganushit. Duke u bazuar në këto të ashtuquajtura prova, bastisën apartamentin e saj në qershor 2019. Ata kontrolluan edhe blloqet e shënimeve, letrat dhe broshurat e saj personale. Më 17 gusht 2020 e akuzuan zyrtarisht dhe më 4 mars 2021 nisën seancat gjyqësore për çështjen e saj. Ndër «krimet» për të cilat akuzohet, janë fakti që ka hapur shtëpinë e saj për mbledhje fetare dhe ka marrë pjesë në to, si edhe që ka biseduar me të tjerët për besimin e saj. Në fillim, pjesë e kësaj çështjeje ishin edhe motrat Ludmilla Ponomarenko dhe Galina Parkova, por tani po trajtohen në çështje më vete.

Gjatë gati dy viteve me hetime dhe seanca gjyqësore, Olgës i kanë dhënë forcë lutjet specifike dhe të zjarrta. Ajo thotë: «Lutem çdo ditë që emri i Perëndisë të shenjtërohet si kurrë më parë. Lutem që vëllezërit e motrat në paraburgim, në burg ose në arrest shtëpie të kenë mundësi të japin dëshmi dhe të qëndrojnë të fortë. Lutem që të kenë besim të patundur te Jehovai dhe te fakti që ai nuk do të na braktisë kurrë në situata të vështira.» Për situatën që po kalon, Olga shprehet: «I lutem Jehovait të më ndihmojë të mposht frikërat, të mbështetem tek Ai dhe të më bëjë si një shtyllë hekuri dhe si mur prej bakri, siç veproi me Jereminë. Dëshiroj që t’ia dal të tregoj qëndrueshmëri në të gjitha sprovat e zjarrta, ashtu si tre hebrenjtë. Dhe shpresoj të sillem me dinjitet, tamam siç bëri Krishti para armiqve.»

Jemi të sigurt se Jehovai do t’i mbështetë përherë ‘me të djathtën e tij të drejtësisë’ Olgën dhe të tjerët që po përndiqen për shkak të besimit.—Isaia 41:10.