12 MAJ 2021
RUSI
PËRDITËSIM | Tre vëllezër tregojnë qëndrueshmëri pavarësisht nga muaj të tërë në paraburgim
Më 23 qershor 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Katërt hodhi poshtë apelimin e dytë të vëllezërve Viljen Avanjesov dhe Aleksandër Parkov. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata ia riktheu çështjen e vëlla Arsin Avanjesovit gjykatës së apelit. Kjo do të thotë se Arsini mund të marrë një dënim edhe më të rëndë. Të tre vëllezërit vazhdojnë të vuajnë dënimin me burg.
Më 6 dhjetor 2021, Gjykata e Rajonit të Rostovit hodhi poshtë apelimin e Arsinit, të Viljenit dhe të Aleksandrit. Ata do të mbeten në burg.
Më 29 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Leninskit në Rostov-mbi-Don i dënoi me gjashtë vite e gjysmë burg vëllezërit Arsin dhe Aleksandër dhe me gjashtë vjet vëlla Viljenin. Të tre vëllezërit kanë kryer tashmë dy vite në paraburgim dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg.
Të dhëna
Arsin Avanjesovi
Lindur: 1983 (Baku, Azerbajxhan)
Biografia: Ka studiuar inxhinieri dhe ka punuar në ndërtim. Kur ishte fëmijë, i pëlqente të luante regbi. Ka studiuar anglisht dhe frëngjisht
Prindërit e kanë ndihmuar të zhvillojë çmueshmëri për Biblën. Në vitin 2005 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait
Viljen Avanjesovi
Lindur: 1952 (Baku, Azerbajxhan)
Biografia: Ka punuar në ndërtim dhe si elektricist. I pëlqen të gatuajë, të bëjë bukë dhe të lexojë. Bibla ishte një nga librat e tij të preferuar që kur ishte i ri
Në vitin 1980 u martua me Stelën. Kanë një djalë, Arsinin, dhe një vajzë, Elinën. Në vitin 1988 shkuan si familje në Armeni. Po atë vit, një tërmet në Jerevan, Armeni, dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike e detyruan familjen të transferohej sërish dhe të vendoseshin në Rostov-mbi-Don, Rusi. U pagëzua në vitin 2006
Aleksandër Parkovi
Lindur: 1967 (Spask, rajoni i Kemerovos)
Biografia: Që i vogël, është mësuar të bëjë punë të rëndë fizike duke u kujdesur për një fermë dhe për bagëtitë. Ka punuar si traktorist dhe si mjeshtër i punimeve me bakër
Në vitin 1990 u martua me Galinën. Të dy bashkë filluan të studionin Biblën. Ai u pagëzua në vitin 1992. Ata kanë 3 vajza dhe 2 nipër e mbesa
Historiku i çështjes
Më 22 maj 2019, autoritetet kontrolluan disa shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Rostov-mbi-Don. Vëlla Viljen Avanjesovin bashkë me të birin, Arsinin, dhe vëlla Aleksandër Parkovin i arrestuan dhe i lanë në paraburgim për gati 2 vjet. Në mars 2021, të tre vëllezërit i transferuan në një qendër tjetër paraburgimi.
Autoritetet i kanë vënë disa kufizime gruas së Viljenit, Stelës, kur shkon për të takuar bashkëshortin dhe djalin. Veç kësaj, ka mbetur pa burim të ardhurash. Gruaja e Aleksandrit, Galina, po përndiqet për shkak të besimit. Gjykata e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me dy vite e tre muaj vënie në provë.
Të gjithë vëllezërit anekënd botës janë thellësisht të trishtuar për këto arrestime të padrejta. Do të vazhdojmë ‘t’i kujtojmë ata që janë në burgje, sikur të ishim të burgosur me ta’.—Hebrenjve 13:3.