Kalo te përmbajtja

Vëlla Vadim Kutsenko dhe bashkëshortja e tij, Ekaterina, në vitin 2018

18 SHKURT 2020
RUSI

Policët torturojnë vëlla Vadim Kutsenkon në Çitë, Rusi

Policët torturojnë vëlla Vadim Kutsenkon në Çitë, Rusi

Në orët e vona të 10 shkurtit 2020 policë në Çitë, Rusi, torturuan Vadim Kutsenkon, një Dëshmitar të Jehovait. E qëlluan pareshtur, e shtrënguan për fyti dhe e torturuan me elektroshok në stomak e në këmbë. Ndërsa e torturonin, i kërkuan të jepte informacione për bashkëbesimtarët.

Atë ditë herët në mëngjes policë nga Shërbimi i Sigurimit Federal (SHSF) kontrolluan gati 40 shtëpi të Dëshmitarëve në Çitë, ndër to edhe shtëpinë e vëlla Kutsenkos. Në orën 11.00 të darkës, forcat speciale ruse e arrestuan në shtëpinë e vjehrrës. I vunë prangat, i mbuluan kokën dhe e çuan në një pyll aty afër ku e torturuan. Pavarësisht nga torturat, ai nuk u dha informacione për bashkëbesimtarët. Meqë taktikat e tyre s’po pinin ujë, policët e çuan në zyrën e hetuesit për ta pyetur më tej.

Më pas e futën në paraburgim me tre vëllezër të tjerë, Sergej Kiriljukun, Pavel Mamalimovin dhe Vladimir Jermolajevin, të cilët i arrestuan pas bastisjeve në Çitë.

Pas dy ditësh Gjykata e Krahinës së Ingodinskit vendosi t’i linte në paraburgim për 72 orë vëllezërit Kutsenko, Kiriljuk dhe Mamalimov. Ndërsa vëlla Jermolajevin e liroi dhe e kaloi në arrest shtëpie.

Më 15 shkurt vëlla Vadim Kutsenko dhe dy të tjerët u liruan ngaqë hetuesi nuk kishte prova të mjaftueshme për t’i akuzuar. Hetuesi i liroi pa seancë dëgjimore dhe pa u vënë ndonjë kufizim.

Lutemi që vëlla Kutsenko dhe vëllezërit e tjerë në Rusi të vazhdojnë ‘të jenë shumë të fortë e guximtarë’, plotësisht të bindur se Jehovai po i mbështet në të gjitha vështirësitë.—Josiu 1:7, 9.