18 QERSHOR 2019
RUSI
Rusi: Ekspertë të OKB-së deklaruan se vëlla Mihajlovi u burgos padrejtësisht
Një panel me ekspertë ligjorë ndërkombëtarë pranë Kombeve të Bashkuara (OKB) arriti në përfundimin se arrestimi dhe burgosja e vëlla Dimitri Mihajlovit nga autoritetet ruse ishte «diskriminim fetar» dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar. Gjithashtu e nxiti Rusinë të rrëzojë të gjitha akuzat kundër tij.
Sipas dokumentit 12-faqësh që shkroi paneli, pra Grupi i Punës për Burgosjen Arbitrare (GPBA), veprimet e vëlla Mihajlovit «kanë qenë gjithmonë paqësore». Madje «nuk ka asnjë provë që ai ose ndonjë Dëshmitar tjetër në Federatën Ruse të ketë kryer akte të dhunshme ose të ketë nxitur dhunë».
GPBA-ja doli në përfundimin se vëlla Mihajlovi «s’po bënte gjë tjetër veçse po ushtronte të drejtën e lirisë së fesë» dhe «se nuk duhej të arrestohej dhe të mbahej në paraburgim». Prandaj, autoritetet duhet ta dëmshpërblejnë për kohën që s’ishte në punë dhe që iu mohua liria padrejtësisht.
Përveç kësaj, pranon se vëlla Mihajlovi nuk është i vetmi që po vuan padrejtësisht për shkak të besimit. Ai është «vetëm një nga Dëshmitarët e Jehovait në Federatën Ruse që janë arrestuar, burgosur dhe akuzuar për veprimtari kriminale, numri i të cilëve rritet dita-ditës. Dhe kjo vetëm se po ushtrojnë të drejtën për lirinë e fesë», e cila mbrohet nga ligjet ndërkombëtare. Kështu që, për të dënuar përndjekjen ndaj gjithë bashkëbesimtarëve në Rusi, GPBA-ja e ka deklaruar qartë se opinionet e saj nuk aplikohen vetëm për burgosjen e padrejtë të vëlla Mihajlovit, por edhe për të gjithë Dëshmitarët e Jehovait që ndodhen «në një situatë të ngjashme».
Vëlla Mihajlovi filloi të studionte Biblën kur ishte adoleshent dhe u pagëzua më 1993, në moshën 16-vjeçare. Në vitin 2003 u martua me Jelenën dhe vazhduan t’i shërbenin Jehovait së bashku.
Në 2018-n çifti Mihajlov zbuloi se autoritetet i kishin vëzhguar me anë të kamerave dhe u kishin përgjuar telefonatat për disa muaj. Më 19 prill 2018 Komiteti Hetimor i Federatës Ruse në Rajonin e Ivanovos nisi ndjekjen penale kundër vëlla Mihajlovit, dhe policë të armatosur rëndë i bastisën shtëpinë. Pas një muaji e arrestuan dhe e burgosën me akuzën për financim të veprimtarisë «ekstremiste» dhe e liruan pas gati 6 muajsh (171 ditë). Gjithsesi, ai s’mund të largohet nga qyteti dhe as mund të komunikojë lirisht për sa kohë është nën hetim.
Qeveria ruse ka 6 muaj kohë që t’i përgjigjet GPBA-së, pra të deklarojë nëse çështja kundër Mihajlovit është mbyllur, nëse është dëmshpërblyer dhe nëse janë hetuar ata që kanë shkelur të drejtat e tij.
Me sa duket, një deklaratë e ngjashme nga GPBA-ja ka ndikuar dhe në rastin e vëlla Teimur Ahmedovit nga Kazakistani. Më 2017 e arrestuan dhe më pas e dënuan me 5 vite burg, ngaqë paqësisht fliste për besimin e tij. Pasi nuk gjetën zgjidhje ligjore në Kazakistan, avokatët e tij paraqitën një ankesë pranë GPBA-së. Në deklaratën e 2 tetorit 2017, GPBA-ja dënoi Kazakistanin dhe i bëri thirrje të lironte vëlla Ahmedovin. Gjashtë muaj më vonë, presidenti i Kazakistanit e fali vëlla Ahmedovin dhe më 4 prill 2018 e liruan nga burgu.
Pavarësisht nëse Rusia do të reagojë ose jo ndaj vendimit të GPBA-së për vëlla Mihajlovin, kemi besim të plotë te premtimi: ‘Lum kush gjen strehë te [Jehovai]!’ Lutemi që Jehovai të vazhdojë të kujdeset për vëllezërit e motrat në Rusi që po përballen me këto akuza të rënda dhe të shohin se «s’do t’u mungojë asgjë e mirë» kur mbështeten tek Ai pa frikë.—Psalmi 34:8, 10.