Kalo te përmbajtja

Vëlla Konstantin Moisejenko dhe bashkëshortja e tij, Margarita

7 KORRIK 2021
RUSI

Vëlla Konstantin Moisejenko merr forcë nga shembulli i të tjerëve

Vëlla Konstantin Moisejenko merr forcë nga shembulli i të tjerëve

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 9 shtator 2021, Gjykata e Rajonit të Amurit hodhi poshtë apelimin e vëlla Moisejenkos. Dënimi i tij fillestar mbetet në fuqi. Atij nuk i kërkohet të shkojë në burg në këtë moment.

Më 14 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Zejës në rajonin e Amurit shpalli fajtor Konstantin Moisejenkon dhe e dënoi me gjashtë vite vënie në provë. Për momentin nuk duhet të futet në burg.

Të dhëna

Konstantin Moisejenko

  • Lindur: 1976 (Abakan, Republika e Hakazisë)

  • Biografia: Ka dy vëllezër më të vegjël që janë binjakë. Kur ishte i ri, u mor me arte marciale. Më vonë u bë administrator për sistemet kompjuterike dhe inxhinier

    Më 1998 u martua me Margaritën, që është stiliste. Të dy filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në fillim të vitit 2000. Ai u nxit të mësonte më shumë kur dalloi saktësinë historike dhe shkencore të Biblës. Të dy u pagëzuan po atë vit

    I ati i vdiq para 10 vjetësh. Për 6 vjet me radhë u kujdes për gjyshen e verbër derisa ajo vdiq kohët e fundit

Historiku i çështjes

Më 11 mars 2019, Hetuesia e Shërbimit të Sigurimit Federal të Rusisë (FSB) në rajonin e Amurit ngriti një çështje penale kundër vëlla Konstantin Moisejenkos. Më pas, policët bastisën 5 shtëpi të Dëshmitarëve, ndër to edhe shtëpinë e Konstantinit. U konfiskuan laptopët, celularët dhe dokumentet personale. Konstantinin e futën në listën federale ruse të ekstremistëve, prandaj nuk ka akses në llogaritë e tij bankare.

Ai kujton sa shumë kishte marrë zemër më 2018 kur bashkë me të shoqen ndoqën një kongres në Seul, Koreja e Jugut. Gjatë programit, një nga oratorët kërkoi që të gjithë të pranishmit që ishin burgosur për çështjen e asnjanësisë, të ngriheshin në këmbë. Konstantini sjell ndër mend: «Thuajse të gjithë vëllezërit në stadium u ngritën në këmbë. [Oratori] tha: ‘E shikoni! Janë gjallë e shëndoshë e mirë!’ Kjo më ka ndihmuar ta dalloj qartë se mund t’ia dal mbanë gjatë sprovave.» Oratori theksoi edhe fjalët e Psalmit 23:5: «Ti ma shtron tryezën në sy të armiqve të mi, e kokën ma lyen me vaj e ma freskon; kupën ma mbush plot e përplot.» Konstantini kujton se këto fjalë u depërtuan thellë në zemër.

Ai vlerëson edhe mbështetjen e vëllezërve. Është prekur jashtë mase që Dëshmitarët anekënd botës janë lutur për të dhe janë interesuar me gjithë zemër për çështjen e tij, deri në detaje. Ai komenton: «Shoh një turmë të madhe besimtarësh përkrah çdo vëllai a motre që po përndiqet në vendin tonë. Ata po veprojnë sipas këtyre fjalëve te 1 Gjonit 3:16: ‘Ne e kemi për detyrë të japim jetën për vëllezërit tanë.’»

Kënaqemi që Jehovai po i mbështet pareshtur vëllezërit e motrat në Rusi. Kjo nga bind edhe më tepër se edhe neve do të na japë ‘forcë e fuqi’ kur të na përndjekin.—Psalmi 68:35.