Kalo te përmbajtja

31 MAJ 2018
RUSI

Një tjetër Dëshmitar i Jehovait në Rusi në gjyq për veprimtari ekstremiste

Një tjetër Dëshmitar i Jehovait në Rusi në gjyq për veprimtari ekstremiste

Arkadja Akopjani, një rrobaqepës 70-vjeçar në pension dhe Dëshmitar i Jehovait, është në gjyq prej 1 viti me akuzën për veprimtari ekstremiste. Nëse shpallet fajtor, mund të gjobitet rëndë ose të burgoset deri në 4 vjet.

Pala paditëse pretendon se z. Akopjani është fajtor për «nxitje të urrejtjes fetare». Ajo u bazua në një fjalim që ai mbajti në një Sallë Mbretërie vendëse, ku shkonte rregullisht prej shumë vitesh. Në gjykatë, prokurori u mbështet më së shumti te dëshmia e rreme e gjashtë personave që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait. Këta pretendojnë se z. Akopjani ka shpifur gjatë fjalimit të tij dhe se u ka dhënë botime «ekstremiste» që t’i shpërndajnë.

Megjithatë, z. Akopjani dhe të tjerë që e njohin, i mohojnë të dyja këto pretendime. Avokati i tij i paraqiti gjykatës prova se gjashtë personat që kanë bërë këto pohime, as kanë qenë fare pranë ndërtesës ku pretendojnë se z. Akopjani paska thënë këto shpifje. Për më tepër, Dëshmitarët e Jehovait nuk i japin botime fetare kujtdo që s’është Dëshmitar, për t’i shpërndarë. Sonja, e shoqja e z. Akopjani, e cila nuk është Dëshmitare e Jehovait, kur e morën në pyetje, i tha gjykatës se ka 40 vite martesë të lumtur dhe se i shoqi nuk ka detyruar kurrë asnjë prej të afërmve të bëhet Dëshmitar i Jehovait.

Gjykatësi Olek Golovashko urdhëroi të kryhej një ekspertizë për të analizuar nëse ajo çka kishte thënë z. Akopjani gjatë fjalimit «nxiste urrejtje fetare». Më 15 maj 2018, në seancën më të fundit për çështjen Akopjani, gjykatësi tha se ekspertiza duhej të përfundonte gjatë shtatorit 2018, por, gjithsesi, gjyqi do të vazhdonte. Seanca e radhës do të zhvillohet më 5 qershor, ku do të merret në pyetje z. Akopjani. Edhe pse nuk po mbahet në paraburgim, Gjykata Krahinore e Prokladnijit ia ka kufizuar udhëtimet që prej majit 2017 kur nisi gjyqi.

Gregori Aleni, këshilltar për çështjet ligjore i Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Z. Akopjani është viktima e radhës e keqzbatimit skandaloz të ligjit kundër ekstremizmit nga Rusia, ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Ai është qytetar i pafajshëm dhe që i bindet ligjit, i cili do vetëm të adhurojë Perëndinë në paqe. Shënjestrimi i padrejtë i qeverisë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, po kërcënon çdo Dëshmitar dhe po gërryen larminë shoqërore të vendit.»

Z. Akopjani është Dëshmitari i dytë në Rusi që po ndiqet penalisht pa të drejtë për «veprimtari ekstremiste». Gjyqi penal i Denis Kristensenit, një Dëshmitari në Oriol, filloi në shkurt 2018. Ai ka qenë në paraburgim për një vit dhe, po të shpallet fajtor, mund të burgoset deri në dhjetë vjet. * Në rajone të ndryshme të Rusisë janë në paraburgim edhe shtatë Dëshmitarë të tjerë, megjithatë nuk janë akuzuar zyrtarisht.

^ par. 7 Të dy burrat u akuzuan sipas Kodit Penal, por nën nene të ndryshme. Z. Akopjani u akuzua sipas nenit 282(1) me supozimin se nxiste urrejtje fetare. Denis Kristenseni u akuzua për shkelje të nenit 282/2(1) të Kodit Penal me supozimin se organizonte veprimtari të një organizate fetare të shpallur ekstremiste. Kjo shkelje parashikon një dënim më të rëndë.