Kalo te përmbajtja

14 JANAR 2016
RUSI

Autoritetet doganore ruse konfiskojnë Biblat dhe botimet biblike

Autoritetet doganore ruse konfiskojnë Biblat dhe botimet biblike

Gjatë vitit të kaluar autoritetet ruse kanë ndërmarrë një hap tjetër për të kufizuar lirinë fetare, duke mos lejuar importimin e Biblave të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Dëshmitarët u habitën shumë kur morën vesh se zyra doganore e Viborgut pretendonte se Biblat mund të përmbanin shenja «ekstremizmi». Kjo sjell mjaft pasoja si për Dëshmitarët, edhe për qytetarët rusë, të cilët e konsiderojnë Biblën të shenjtë dhe thelbësore për besimin e tyre.

Akuza alarmuese kundër Biblës

Më 13 korrik 2015 autoritetet doganore ruse në qytetin kufitar të Viborgut ndalën një dërgesë me 2.016 Bibla Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re *, në rusisht. Autoritetet konfiskuan tri Bibla, i dërguan te një «ekspert» që të përcaktonte nëse kishin përmbajtje ekstremiste, ndërsa pjesën tjetër e bllokuan. Në gusht autoritetet doganore hapën një çështje administrative kundër zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë (meqë dërgesa vinte prej andej).

Më 5 maj 2015 autoritetet doganore konfiskuan një dërgesë me literaturë fetare që përmbante Bibla në gjuhën osetiane të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Kjo ka ndikuar shumë te të krishterët në Rusi që flasin këtë gjuhë, pasi Përkthimi Bota e Re për momentin është i vetmi përkthim i plotë i Biblës në gjuhën osetiane.

Ndonëse edhe herë të tjera autoritetet ruse e kanë keqpërdorur Ligjin Federal të Rusisë kundër Veprimtarive Ekstremiste për botimet e Dëshmitarëve të Jehovait, është hera e parë që autoritetet pretendojnë se një përkthim i Biblës mund të lidhet me ekstremizmin. * Nëse gjykatat i shpallin ekstremiste këto Bibla, shpërndarja e tyre në Rusi do të ndalohet.

Ndalim i paligjshëm i botimeve të tjera në doganë

Disa nga botimet që janë ndaluar të importohen

Përveç Biblave, autoritetet doganore kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme edhe dërgesa me botime të tjera fetare të Dëshmitarëve që prej marsit 2015. * Autoritetet ndjekin të njëjtën procedurë sa herë konfiskojnë një dërgesë. Fillimisht kryejnë një kontroll të paligjshëm që të marrin kopje të botimeve për t’u bërë «ekspertizën» *, dhe pastaj zyra e prokurorit nis procedurat për t’i shpallur këto botime ekstremiste. Betejat ligjore të koklavitura janë të pashmangshme meqenëse çdo dërgesë duhet t’i nënshtrohet hetimit në gjykatat administrative dhe të arbitrazhit.

Teksa përpiqeshin të zhbllokonin një nga dërgesat, Dëshmitarët e Jehovait u paraqitën autoriteteve doganore vendime gjykatash në favor të tyre, hetime ekspertësh dhe dokumentacione të tjera që tregonin se qeveria tashmë i kishte shpallur joekstremiste këto botime. Prapëseprapë, autoritetet doganore i shpërfillën provat dhe e konfiskuan dërgesën.

Bllokimi i botimeve të shtypura të Dëshmitarëve i shtohet listës së kufizimeve më të fundit për botimet e tyre elektronike. Më 21 korrik 2015 Rusia u bë shteti i vetëm në botë që ndaloi jw.org—sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait. Kompanitë e Internetit anekënd vendit e kanë ndaluar përdorimin e sitit, dhe kushdo që e reklamon atë në Rusi, përballet me akuza administrative dhe kriminale.

Ky ndalim i pengon jashtë mase Dëshmitarët që të kenë botime fetare në format elektronik, sidomos ata që nuk dëgjojnë ose nuk shohin. Meqenëse arsimimi biblik është jetësor për veprimtaritë fetare të Dëshmitarëve, kufizimi në përdorimin e botimeve ndikon tek adhurimi i tyre.

Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë që të triumfojë arsyeja

Gjykatat ruse kanë shpërfillur ose kanë hedhur poshtë përpjekje të mëparshme për të ndaluar botime të tjera që konsiderohen të shenjta. Në vitin 2011, një gjykatë ruse në Tomsk hodhi poshtë një kërkesë për të ndaluar një botim të shkrimeve hinduiste Bhagavad Gita. Më 2013, një gjykatë apeli përmbysi një vendim që e kishte shpallur ekstremist një përkthim të Kuranit.

Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që gjykatat ruse ta hedhin poshtë pretendimin absurd të autoriteteve doganore sipas të cilit një përkthim i Biblës mund të jetë ekstremist dhe të urdhërojnë zhbllokimin e Biblave e të botimeve të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait.

Datat e dërgesave të konfiskuara

  1. 1 mars 2015

    Autoritetet doganore ndalojnë një dërgesë botimesh dhe konfiskojnë në mënyrë të paligjshme disa kopje.

  2. 4 maj 2015

    Autoritetet ndalojnë një dërgesë të nisur drejt Rusisë. Më pas kontrollojnë ngarkesën dhe konfiskojnë disa botime, përfshirë disa Bibla në gjuhën osetiane, për të parë nëse përmbajnë shenja «ekstremizmi».

  3. 28 maj 2015

    Gjykata i cakton si detyrë një institucioni në Shën-Pjetërburg që të kryejë një «ekspertizë» të botimeve në dërgesën e 1 marsit 2015.

  4. Qershor 2015

    Autoritetet doganore ndalojnë dy dërgesa në kufi, në Viborg.

  5. 13 korrik 2015

    Autoritetet doganore ndalojnë një dërgesë që përmbante Bibla vetëm në rusisht.

  6. 13 gusht 2015

    Autoritetet doganore të Viborgut vendosin të konfiskojnë 2.016 Biblat e dërgesës së 13 korrikut, me pretendimin se përmbajnë shenja «ekstremizmi». Autoritetet hapin një çështje administrative kundër zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë.

  7. 1 shtator 2015

    Në një seancë gjyqësore për dërgesën e 4 majit që përmbante Bibla në osetisht dhe botime të tjera, gjykatësi mohon kërkesat e Dëshmitarëve dhe nuk i lejon avokatët e tyre të paraqesin argumentet përfundimtare.

  8. 30 tetor 2015

    Gjykata e qytetit të Viborgut vendos se kontrolli i dërgesës së 4 majit nga autoritetet doganore ishte i paligjshëm.

  9. 17 nëntor 2015

    Gjykata mban një seancë gjyqësore për dërgesën e 13 korrikut me Bibla dhe shtyn çështjen.

^ par. 4 Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është një përkthim i Biblës në gjuhën e sotme i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, që e ofrojnë falas në më se 120 gjuhë.

^ par. 6 Që nga 1 janari 2016 gjykatat ruse kanë shpallur ekstremiste 82 botime të Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët po i kontestojnë këto vendime si në gjykatat e vendit, edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

^ par. 8 Që nga dhjetori 2015 autoritetet doganore në Viborg kanë ndaluar shtatë dërgesa të nisura për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi.

^ par. 8 Sipas ligjit rus, duhet një urdhër gjykate për kontroll dhe konfiskim, i cili duhet të zbatohet në praninë e përfaqësuesve të secilës palë. Autoritetet nuk e kanë zbatuar këtë procedurë në asnjë rast.