Kalo te përmbajtja

29 NËNTOR 2018
RUSI

Denis Kristenseni merr mbështetje ndërkombëtare

Denis Kristenseni merr mbështetje ndërkombëtare

Kanë kaluar mbi 525 ditë që kur vëlla Denis Kristensenin e burgosën për shkak të besimit. Ndërkohë ka dalë para gjyqit thuajse 50 herë. Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Oriol (i njohur edhe si Orel), Rusi, që po shqyrton çështjen e Denisit, ka programuar seanca gjyqësore nga mesi i dhjetorit. Edhe pse çështja e tij ka mbi 18 muaj që zvarritet, Denisi nuk e ka humbur asnjëherë optimizmin. Pa pikë dyshimi kjo provon se Jehovai po e mbështet Denisin dhe po u përgjigjet milionave lutjeve të vëllezërve në mbarë botën.

Dëshmitarë nga Rusia e shtete të tjera i kanë dërguar Denisit qindra kartolina dhe vizatime ku shprehin dashuri dhe përkrahje. Në seancën e 30 tetorit, Denisi tregoi nga xhami i kabinës së të akuzuarve disa kartolina dhe vizatime që kishte marrë nga fëmijë të ndryshëm. Kështu të gjithë ata që kishin vajtur për ta përkrahur, u inkurajuan.

Denis Kristenseni gjatë pushimit të seancës gjyqësore të 30 tetorit 2018, duke treguar nga xhami i kabinës së të akuzuarve disa kartolina inkurajuese që ka marrë

Jo vetëm Dëshmitarët në gjithë botën, por edhe komuniteti ndërkombëtar ka treguar interes të madh për çështjen e Denisit. Më 21 korrik 2017, Qendra Memoriale për të Drejtat e Njeriut që gjendet në Moskë, i dha Denisit statusin e të burgosurit politik. Më 20 qershor 2018, Këshilli i Rusisë për të Drejtat e Njeriut i kërkoi Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të verifikonte sa e ligjshme është që Dëshmitarët burgosen për hir të bindjeve fetare. Më 26 shtator 2018, Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare zyrtarisht e emërtoi Denisin si «i burgosur fetar për shkak të ndërgjegjes».

Qeveria ruse kishte garantuar publikisht në gjykatë se ndalimi i organizatës ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait nuk do të prekte të drejtat e Dëshmitarëve si individë, që të praktikonin besimin e tyre. Policia dhe organe të tjera e kanë shpërfillur këtë garanci. Ata kanë arrestuar Denisin dhe shumë të tjerë me pretekstin e pjesëmarrjes në veprimtari «ekstremiste», duke keqzbatuar kështu ligjin. Gjatë këtij viti, Rusia ka kryer shumë bastisje anekënd vendit. Deri në kohën që ky lajm përgatitej, 25 vëllezër e motra janë në burg, 18 në arrest shtëpie dhe mbi 40 të tjerëve u kanë kufizuar lirinë në mënyra të tjera. Prandaj, rezultati i gjyqit penal të Denisit do të shërbejë si precedent për më shumë se 90 Dëshmitarë të Jehovait, në gati 30 rajone të Rusisë, që janë në pritje të rezultatit të hetimit penal.

Jemi të sigurt se familja ndërkombëtare do t’i lutet pareshtur Jehovait që t’i forcojë motrat dhe vëllezërit e dashur që përballen me akuza kriminale për hir të besimit. Ndërkohë mezi presim ditën kur Perëndia ‘t’u japë të drejtën’.—Luka 18:7.