Kalo te përmbajtja

5 DHJETOR 2017
RUSI

Gati të nisë seanca e konfiskimit të Zyrës Kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi nga shteti

Gati të nisë seanca e konfiskimit të Zyrës Kombëtare të Dëshmitarëve në Rusi nga shteti

Autoritetet ruse po intensifikojnë përpjekjet për të sekuestruar pronat që përdoren nga Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait në Solneknoje, pranë Shën-Pjetërburgut.

Më 20 prill 2017 Gjykata e Lartë urdhëroi të mbylleshin të gjitha entet ligjore të Dëshmitarëve dhe të konfiskoheshin pronat e tyre, ku përfshiheshin edhe pronat që përdoreshin nga Qendra Administrative. Megjithatë, prona në fjalë është në pronësinë e Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania (WTPA), ent i SHBA-së. Ja pse prokurori po përpiqet të anulojë kontratën 17-vjeçare, e cila tregon se prona i ka kaluar ligjërisht WTPA-së. Para vendimit të Gjykatës së Lartë, kjo kontratë nuk ishte vënë kurrë në diskutim dhe WTPA-ja ka paguar taksat për pronën që nga momenti kur është bërë pronare e saj. Autoritetet po e ulin veten deri aty sa t’i manovrojnë gjërat për të ligjëruar synimin e tyre përfundimtar që të konfiskojnë pronën.

Në seancën paraprake që u mbajt më 29 nëntor 2017, gjykatësi i hodhi poshtë të gjitha kërkesat e paraqitura nga avokatët e Dëshmitarëve, duke i hapur rrugën çështjes së prokurorit. Përveç rrezikut për të humbur pronën, e cila vlen miliona dollarë, mund të humbin shtëpinë edhe afro 400 shtetas rusë dhe të huaj, pasi disa kishin jetuar në Qendër për 20 vjet a më shumë. Largimi nga shtëpia dhe ndërprerja e shërbimit fetar vullnetar në të mirë të bashkëqytetarëve rusë kanë qenë tronditëse.

Më 7 dhjetor 2017, ora 14.00, do të nisë seanca për këtë çështje në Gjykatën Krahinore të Sëstrarjetskit në Shën-Pjetërburg.