1 KORRIK 2014
RUSI
GJEDNJ-ja mbron të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi për t’u mbledhur për adhurim
Më 26 qershor 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori një vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait dhe përkrahu të drejtën e tyre për të adhuruar Perëndinë pa ndërhyrjet e paligjshme të autoriteteve ruse. Në vendimin e saj unanim, kjo gjykatë u shpreh se Rusia kishte shkelur nenin 5 (e drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 9 (liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Konventa) kur, mbrëmjen e 12 prillit 2006, forcat policore u dyndën në një mbledhje fetare duke e ndërprerë në mënyrë të paligjshme.
Atë mbrëmje, Dëshmitarët e Jehovait në të gjithë botën ishin mbledhur për të përkujtuar si çdo vit vdekjen e Jezu Krishtit. Me rastin e kësaj mbledhjeje të veçantë, dy kongregacione në Moskë kishin marrë me qira një sallë në një shkollë dhe pritej që të pranishmit të ishin më se 400 veta. Ndërsa mbledhja zhvillohej, ia behën me dhjetë makina e dy furgona policie forcat policore të ndërhyrjes së shpejtë, një skuadër e armatosur e Forcave Speciale (OMON) dhe dhjetëra policë të tjerë. Sa hap e mbyll sytë, rrethuan ndërtesën dhe ndërprenë mbledhjen e tyre pa pasur mandat. I urdhëruan të gjithë të pranishmit të dilnin jashtë, pastaj kontrolluan sallën, konfiskuan literaturë fetare dhe morën me forcë 14 nga burrat e pranishëm dhe i mbajtën në rajonin e policisë. Avokati i këtyre Dëshmitarëve shkoi në rajon për t’i ndihmuar. Policët e kontrolluan, e shtrinë përtokë, i vunë thikën në grykë dhe e kërcënuan se po t’i denonconte, familja e tij do ta kishte punën pisk. Pas afro katër orësh, të burgosurit i liruan dhe i lanë të ktheheshin në shtëpi.
Nikolay Krupko, bashkë me tre Dëshmitarë të tjerë që u burgosën, i paditën autoritetet për ndërprerjen e paligjshme të mbledhjes së tyre dhe për mbajtjen e padrejtë në rajon. Pasi Gjykata Krahinore në Lyublino dhe Gjykata e Qytetit të Moskës e hodhi poshtë ankesën e tyre, ata iu drejtuan GJEDNJ-së në qershor të 2007-s.
Në vendimin që dha më 26 qershor për çështjen Krupko dhe të tjerë kundër Rusisë, GJEDNJ-ja pohoi: «Gjykata ka qenë vazhdimisht e mendimit se, edhe në rastet kur autoritetet nuk ishin vënë në dijeni siç duhej për një ngjarje publike, por pjesëmarrësit nuk përbënin rrezik për rendin publik, shpërndarja e një mbledhjeje paqësore nga policia nuk mund të konsiderohej ‘e nevojshme në një shoqëri demokratike’. . . . Kjo vlen edhe më tepër për rrethanat e kësaj çështjeje ku mbledhja në fjalë nuk ishte një tubim i rrëmujshëm në ambient të hapur, por një ceremoni fetare serioze në një sallë që nuk paraqiste problem apo rrezik për rendin publik. Edhe nëse autoritetet besonin vërtet se mungesa e lajmërimit paraprak e bënte këtë mbledhje të paligjshme, ndërhyrja e forcave të armatosura me aq shumë policë për të ndërprerë ceremoninë, e pasuar nga arrestimi dhe mbajtja në rajon e apeluesve për tre orë në emër të mbrojtjes së rendit publik, ishte e tepruar.»
Ky është vendimi i katërt kundër Rusisë për shkelje të të drejtave të Dëshmitarëve të Jehovait. Në një vendim të vitit 2007 në çështjen Kuznetsov dhe të tjerë kundër Rusisë, GJEDNJ-ja vendosi se Rusia kishte shkelur Konventën kur autoritetet lokale kishin ndërprerë në mënyrë të paligjshme një mbledhje të Dëshmitarëve me probleme dëgjimi në Chelyabinsk. Në vitin 2010, GJEDNJ-ja mori vendim kundër Rusisë në çështjen Dëshmitarët e Jehovait në Moskë kundër Rusisë, një çështje ku Prokuroria e Qytetit të Moskës në mënyrë të paligjshme i fshiu Dëshmitarët nga lista e enteve ligjore dhe ndaloi aktivitetet e tyre në Moskë. Më 2013, për çështjen Avilkina dhe të tjerë kundër Rusisë, GJEDNJ-ja vendosi se Rusia kishte shkelur të drejtën themelore të privatësisë kur Prokuroria e Qytetit të Shën Pjetërburgut urdhëroi zbulimin e të dhënave konfidenciale mjekësore.
Vendimet e GJEDNJ-së vërtetojnë edhe një herë se, në përpjekje për të ndaluar adhurimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, autoritetet ruse kanë shkelur liritë e garantuara nga Kushtetuta e Federatës Ruse dhe nga Konventa.