18 NËNTOR 2016
RUSI
PJESA 2
Ekspertët dënojnë kërcënimin e Rusisë për të ndaluar Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re
Kjo është Pjesa 2 e një serie me tri pjesë, bazuar në intervistat ekskluzive me studiues të njohur të fesë, të politikës dhe të sociologjisë, si dhe me ekspertë të studimeve sovjetike dhe postsovjetike.
SHËN-PJETËRBURG, Rusi—Autoritetet ruse po përpiqen të ndalojnë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, duke e cilësuar «ekstremist».
Si për ironi, nëse gjykata vendos në favor të palës paditëse, çdo ndalim ndaj Përkthimit Bota e Re «do të shkelte amendamentin e nenit 3 të Ligjit Federal kundër Ekstremizmit, firmosur nga z. Putin vjeshtën e vitit 2015», siç u shpreh dr. Ekaterina Elbakjani, profesoreshë e sociologjisë dhe drejtoreshë e çështjeve sociale, Akademia e Punës dhe e Marrëdhënieve Sociale në Moskë. Amendamenti i nenit 3 thotë qartë: «Bibla, Kurani, Tanakh dhe Kangyur, përmbajtja e tyre dhe citimet prej tyre nuk mund të cilësohen materiale ekstremiste.»
Dr. Roman Lunkini, kryetar i Qendrës për Studimet mbi Fenë dhe Shoqërinë në Institutin e Evropës, Akademia Ruse e Shkencave në Moskë, thotë: «Kush e imagjinonte se miratimi i një ligji që u jep imunitet disa librave të shenjtë do të çonte në ndalimin e librave të tjerë të shenjtë? Të parët që u cenuan nga kjo, ishin Dëshmitarët e Jehovait dhe përkthimi i tyre i Biblës.»
«Si shtet anëtar i ICCPR-së [Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike], përpjekja e Rusisë për të ndaluar një Bibël të tillë do të shkelte marrëveshjet për lirinë e fesë»—vëren dr. Xhefri Hajnesi, profesor politike dhe drejtor i Qendrës për Studimin mbi Fenë, Konfliktin dhe Bashkëpunimin, Universiteti Metropolitan i Londrës.
Çështja kundër Përkthimit Bota e Re po shqyrtohet në Gjykatën e qytetit të Viborgut, 138 kilometra në veriperëndim të Shën-Pjetërburgut. Më 26 prill 2016 ditën e dytë të seancave dëgjimore, gjykatësi pranoi kërkesën e palës paditëse për ta ndërprerë çështjen, duke pritur që Përkthimi Bota e Re të analizohet nga ata që ka caktuar gjykata. Dëshmitarëve nuk iu dha asnjë mundësi të paraqitnin mbrojtjen dhe për këtë analizë gjykata caktoi Qendrën e Studimeve të Specializuara Socialkulturore, përfundimet negative të së cilës shërbyen si bazë për padinë fillestare të prokurorit. Caktimi i kësaj qendre për të analizuar Përkthimin Bota e Re shkel sërish precedentin e vendosur nga Gjykata e Lartë Ruse që skualifikon një ekspert nëse e ka shprehur një herë opinionin për një çështje që po shqyrtohet në gjyq.
Ndërsa analiza e caktuar nga gjykata është pezull, studiuesit kanë dhënë opinionet e tyre për përkthimin e Dëshmitarëve. Një ndër ta, dr. Gerhard Besieri, drejtor i Institutit Sigmund Nojman për Kërkimet mbi Lirinë dhe Demokracinë, komenton: «Përkthimi Bota e Re është vlerësuar jashtë mase në të gjithë botën nga studiues të Biblës të komuniteteve të ndryshme fetare.»
Po njësoj, Qendra SOVA për Informacion dhe Analizë, me qendër në Moskë, në shkurt 2016 në rubrikën e saj mujore Misuse of Anti-Extremism, thoshte: «Nuk gjejmë asnjë gjurmë ekstremizmi në Përkthimin Bota e Re.» Që atëherë, thuajse çdo muaj në këtë rubrikë, Qendra SOVA ka përsëritur qëndrimin e saj të vendosur kundër veprimeve të Rusisë, si në botimin e saj të qershorit 2016: «Do të donim të riktheksonim se e shohim si diskriminim fetar përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi dhe ndalimin e literaturës e të komuniteteve të tyre.»
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e informacionit publik, 1-718-560-5000
Rusi: Jaroslav Sivulski, 7-812-702-2691