2 QERSHOR 2014
RUSI
Dëshmitarët e Jehovait ndiqen ende penalisht në Taganrog, Rusi
Procesi gjyqësor ndaj 16 Dëshmitarëve të Jehovait ka vazhduar gjatë majit të 2014-s në gjykatën e qytetit Taganrog. Është i vetmi gjyq në Rusi ku qytetarëve rusë u bëhet presion të heqin dorë nga besimi i tyre; në të kundërt, ndiqen penalisht. Një nga të akuzuarit komentoi: «Ata duan që unë të jem si gjithë të tjerët, nuk duan që të jem ndryshe. Nuk duan që të dal dhe të flas për Biblën. Se çfarë do të ndodhë më tej, nuk e di.»
Në lidhje me adhurimin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait, autoritetet ruse po e zbatojnë në mënyrë të gabuar ligjin kundër veprimtarive ekstremiste, dhe që nga viti 2009, ata i kanë shtuar përpjekjet kundër tyre. Victor Zhenkov, një avokat i Dëshmitarëve, vërejti: «I kam analizuar ngjarjet e viteve të fundit në lidhje me ndjekjen penale të Dëshmitarëve të Jehovait dhe kam nxjerrë si përfundim se organet ekzekutive janë angazhuar në një luftë të vazhdueshme ku në shënjestër janë Dëshmitarët e Jehovait.» Autoritetet lokale në Taganrog kanë marrë një qëndrim edhe më agresiv dhe i kanë trajtuar Dëshmitarët sikur praktikat e tyre fetare të ishin ndaluar në këtë rajon, ndonëse Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar ligjërisht në Federatën Ruse që nga viti 1992. Synimi i autoriteteve në Taganrog është i qartë. Një tjetër Dëshmitar i akuzuar tregon: «Hetuesi më tha troç në zyrën e tij: ‘Firmos këtë letër ku thuhet se ti nuk do të jesh më Dëshmitar i Jehovait dhe ne do ta mbyllim gjithë çështjen kundër teje e do të të lirojmë—pastaj shko ku të duash.’»
Në varësi të vendimit të gjykatës, 16 Dëshmitarët mund të gjobiten, të urdhërohen të bëjnë punë të detyruar ose të burgosen. Nëse dënohen, ky do të ishte kërcënim për lirinë fetare në mbarë Rusinë. Kjo do t’i paralajmëronte gjithë Dëshmitarët e Jehovait në Rusi se rrezikojnë të ndiqen penalisht thjesht ngaqë praktikojnë besimin e tyre paqësor. Alyona Borodina, një avokate tjetër e të akuzuarve, vërejti: «Dëshmitarët përballen vazhdimisht me ndërhyrjet e autoriteteve vendore. Literatura e tyre i është shtuar listës së materialeve ekstremiste. Nëse gjykata e shpall një libër material ekstremist, ai botim shkatërrohet në bazë të këtij vendimi. Një shkrimtar tha: ‘Kudo që djegin libra, në fund do të djegin edhe qenie njerëzore.’ Liria fetare kërcënohet seriozisht.»
Pritet që gjykata ta japë vendimin përfundimtar diku në qershor të 2014-s. Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën dhe shumë të tjerë të cilëve u intereson liria fetare, janë në merak se si do të përfundojë kjo çështje.