Kalo te përmbajtja

Të rinj nga Timori Lindor teksa bisedojnë me prindërit e tyre rreth përvojave në JW Lajme

22 JANAR 2021
TIMORI LINDOR

Artikujt në JW Lajme forcojnë të rinjtë në Timorin Lindor që të përballojnë kundërshtimin

Artikujt në JW Lajme forcojnë të rinjtë në Timorin Lindor që të përballojnë kundërshtimin

Shumë vëllezër e motra kanë marrë zemër kur kanë lexuar lajmet për vëllezërit në Rusi, të cilët po qëndrojnë besnikë pavarësisht nga përndjekja. Vetëm 3 artikuj të tillë janë përkthyer në gjuhën që flasin lajmëtarët në Timorin Lindor, pra, gjuha tetune e Dilit. Një prej tyre flet për historinë e vëlla Andrei Suvorkovit. Vetëm ca ditë pasi doli ky artikull në këtë gjuhë, 5 të rinj të pagëzuar u përballën me një sprovë të vështirë. Ata tregojnë si u forcoi besimin meditimi për shembullin e vëlla Suvorkovit.

Gjatë një ceremonie që u mbajt në shkollë, të rinjve tanë iu kërkua të nderonin flamurin. Ata refuzuan, prandaj i çuan te drejtori i shkollës, i cili i pyeti para mësuesve të tjerë. Plot guxim, por me respekt, të rinjtë u treguan arsye nga Shkrimet pse nuk pranonin të bënin kompromis dhe të nderonin flamurin.

Pastaj, mësuesit morën në telefon policinë, e cila i shoqëroi në rajonin e policisë pa njoftuar prindërit. Policia mori në telefon bazën ushtarake vendëse dhe i kërkoi që të sillnin një ushtar që të fliste me këta të rinj Dëshmitarë. Policët dhe ushtari u përpoqën t’i frikësonin fëmijët duke i futur në një qeli për gjysmë ore. Madje, një nga policët vendosi një pistoletë në një tavolinë përballë tyre dhe i mori në pyetje për 2 orë. Më në fund i lejuan të ktheheshin në shtëpi.

Motër Rutha Ksimenes (djathtas) me të ëmën, Anitën (majtas)

Kur prindërit e këtyre fëmijëve morën vesh ç’kishte ndodhur, folën me mësuesit dhe me policët. Kundërshtimi vazhdoi, prandaj u paraqitën ankesa me shkrim autoriteteve qeveritare. Më vonë, të rinjtë i detyruan të shkonin në shkolla të ndryshme.

Secili nga këta të rinj Dëshmitarë ishte mirënjohës për përvojën e vëlla Andrei Suvorkovit, sepse i ndihmoi jashtë mase të përballonin kundërshtimin nga moshatarët, mësuesit dhe autoritetet.

Noviana Hose do Karmo kujton: «Mësuesit na përndoqën dhe na përjashtuan nga shkolla. Por, përvoja e vëlla Suvorkovit më ndihmoi të isha e qetë dhe pozitive.» Motra e madhe e Novianës, Sejana, tregon: «Shembulli i vëlla Suvorkovit më ndihmoi të ruaja qetësinë përballë sprovave.» Rutha Ksimenes thotë se shembulli i tij e ndihmoi «të mos dorëzohej».

Motër Ananda Maria Delavega (djathtas) me të ëmën, Julianën (majtas)

Ananda Maria Delavega shpjegon se «besimi që kishte vëlla Andrei Suvorkovi te Jehovai e nxiti të mbështetej tek Ai plotësisht», sidomos kur hasi kundërshtim.

Roni da Kruz tregon: «Dijenia se Jehovai mbështet të gjithë vëllezërit e motrat nëpër botë, më dha sigurinë se Jehovai ishte në krahun tim dhe s’kisha pse të frikësohesha.»

Edhe prindërit e këtyre të rinjve besnikë shprehën vlerësim për përvojat që dalin në këndin e lajmeve.

Mamaja e Ruthës, motër Anita Ksimenes, po rrit e vetme tri vajza. Me të drejtë e zuri ankthi dhe frika kur dëgjoi fqinjët që thoshin: «Hajde t’i rrahim tradhtarët!» Megjithatë, Anita thotë: «Marr shumë guxim nga vëllezërit e motrat në Rusi që po përballen me autoritetet nëpër gjyqe me qëndrim optimist. E kam përdorur shembullin e tyre ndërsa mësoj vajzat dhe bashkë me to e shohim Jehovain si një Atë që është përherë në krahun tonë.»

Nga e majta: Roni da Kruz, Sejana Hose do Karmo, Noviana Hose do Karmo, Ananda Maria Delavega dhe Rutha Ksimenes në kongresin e vitit 2019, ca javë pasi i çuan në rajonin e policisë, ngaqë nuk nderuan flamurin në shkollë

Njësoj si motrat e vëllezërit tanë të rinj dhe prindërit e tyre në Timorin Lindor, edhe ne marrim forcë kur meditojmë për guximin e motrave dhe të vëllezërve tanë që ‘po dalin plotësisht fitimtarë’ përballë përndjekjes.—Romakëve 8:37.