28 DHJETOR 2020
UKRAINË
GJEDNJ-ja vendos në favor të vëlla Oleksandër Tretiakut, të cilin e kishin rrahur për shkak të besimit
Të enjten, më 17 dhjetor 2020, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi në favor të vëlla Oleksandër Tretiakut për çështjen Tretiaku kundër Ukrainës. Më 26 nëntor 2013, tre persona e sulmuan dhe e rrahën brutalisht vëlla Tretiakun ndërsa po kthehej nga shërbimi. GJEDNJ-ja arriti në përfundimin se autoritetet në Ukrainë dështuan në hetimin e këtij krimi. Gjykata urdhëroi që vëllai të dëmshpërblehej me 7.500 euro (9.100 dollarë amerikanë).
Vëlla Tretiakun e rrahën aq keq, sa iu desh të qëndronte për pothuajse 1 muaj në spital. Policia priti 3 muaj që të shkonte për të hetuar skenën e krimit. Gjithashtu nuk pranoi të deklaronte se sulmi kishte motive fetare dhe nuk e pranoi që vëlla Tretiaku kishte pësuar dëmtime serioze. Më vonë policia e zbuti akuzën ndaj agresorëve sikur të ishte një krim i vogël. Madje akuzuan vetëm një nga tre personat e përfshirë, dhe këtë e bënë pasi ai ia kishte mbathur jashtë vendit. Dy të tjerët, njëri prej të cilëve ishte polic, u konsideruan thjesht si dëshmitarë të ngjarjes. Askush nuk u ndëshkua. Këto veprime të pajustifikueshme dhe padrejtësi të tjera e shtynë vëlla Tretiakun që të paraqiste çështjen e tij para GJEDNJ-së në vitin 2015.
Në vendimin e saj, GJEDNJ-ja deklaroi se «autoritetet [në Ukrainë] dështuan të bënin një hetim të plotë për keqtrajtimin ndaj paditësit». Kjo është një shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shpresojmë që ky vendim të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtës për lirinë e fesë të motrave e vëllezërve tanë në Ukrainë dhe në vende të tjera. Mbi të gjitha, falënderojmë Jehovain që siguron drejtësi.—Vajtimet 3:59.