Kalo te përmbajtja

Vëllezërit e motrat duke shpërndarë kuti me ndihma

10 QERSHOR 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 9 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

PËRDITËSIM NR. 9 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Dega e Ukrainës në bashkëpunim me 27 Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po kujdeset pa pushim për vëllezërit e motrat e shpërngulur brenda vendit. Që nga fillimi i luftës, nga Polonia janë importuar mbi 250 tonë ndihma humanitare, si ushqim, veshje e materiale higjienike. Gjithashtu, vëllezërit që jetojnë në zona më të sigurta të Ukrainës, kanë siguruar më shumë se 80 tonë ushqime.

Motër Valentina nga Kievi shkroi për ndihmën që mori nga vëllezërit që shërbejnë në KNRK: «Kur nisi lufta, ishte shumë e rrezikshme të rrije në qytet. Prandaj u transferova në një qytet të vogël, në rajonin e Çjerkasit. Po bëj mbi 2 muaj që jetoj këtu. Vëllezërit e motrat në kongregacionin vendës janë kujdesur jashtë mase për mua. Më kanë sjellë sa e sa pako me ushqime dhe me produkte higjienike. Kur shoh sa më kanë ndihmuar, sa s’më del zemra vendit. Në një kuti gjeta edhe një vizatim nga Blanka 4 vjeçe dhe një kartolinë të vizatuar me bojëra uji . . . Do t’i ruaj si kujtime të bukura këto vizatime. Thjesht nuk rri dot pa ua shprehur mirënjohjen me gjithë shpirt të gjithë vëllezërve, por në mënyrë të veçantë, Jehovait.»

Fëmijët duke bërë vizatime, të cilat i futin në kutitë e ndihmave

Ndërsa një motër invalide 83 vjeçe, që po ashtu quhet Valentina, dhe është nga Severodonjecku, shkroi: «Kur shpërtheu lufta, jetoja vetëm. Djali im i vetëm më kishte vdekur para luftës. Isha e tmerruar, ngaqë qyteti po bombardohej gjithë ditën, pa pushim. Nuk kishte as ujë, as energji elektrike dhe as gaz, kurse interneti ishte fare i dobët. U jam tejet mirënjohëse vëllezërve që rrezikuan jetën për të më ndihmuar.»

Më pas vazhdon: «Më vonë, mua dhe dy motra të tjera invalide, vëllezërit na çuan në Dnipro, një qytet më i sigurt. Vëllezërit atje më ndihmuan të gjeja strehim. Tani jetoj me një familje bashkëbesimtarësh që po kujdesen për mua, si të isha pjesë e familjes së tyre. Madje më ndihmuan të gjeja një celular që të ndjek mbledhjet e të komentoj. Kurrë s’do ta harroj mirësinë që më kanë treguar vëllezërit!»

Jemi shumë të gëzuar dhe i jemi shumë mirënjohës Atit tonë të dashur, Jehovait, i cili kujdeset pareshtur për vëllezërit e motrat e shtrenjta në Ukrainë, që të mos u «mungojë asgjë e mirë».—Psalmi 34:10.

Deri më 7 qershor 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë

  • 42 lajmëtarë kanë vdekur

  • 82 lajmëtarë janë plagosur

  • 46.145 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë

  • 469 shtëpi janë shkatërruar

  • 540 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.405 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 5 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 8 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 33 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 KNRK po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 50.663 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 22.995 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje