30 MAJ 2019
UZBEKISTAN
Përkujtimi i hapur i vdekjes së Krishtit në Uzbekistan
Më 19 prill 2019, për herë të parë gjatë viteve të fundit, vëllezërit tanë anembanë Uzbekistanit kremtuan publikisht Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
Dëshmitarët e Jehovait në Uzbekistan janë regjistruar ligjërisht vetëm në Çirçik, qytet afër Tashkentit. Vitet e kaluara vëllezërit që jetojnë jashtë Çirçikut e kremtonin fshehurazi Përkujtimin, që të shmangnin ndonjë përplasje me policinë. Këtë vit ata njoftuan policinë për Përkujtimin dhe i ftuan të merrnin pjesë. Policia reagoi mirë, madje mori masa për sigurinë e të pranishmëve. Në disa vende, programin e ndoqën edhe disa policë.
Vëlla Mark Sandersoni nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e Përkujtimit te një kompleks i Sallave të Mbretërisë në Çirçik, siç e shohim në foton më lart. Programi u përkthye në gjuhën ruse dhe morën pjesë 781 veta. Po atë mbrëmje, Përkujtimi u mbajt edhe dy herë tek ai kompleks.
Gjatë vizitës, vëlla Sandersoni dhe Pol Gilisi nga selia botërore si dhe dy vëllezër nga Azia Qendrore, u takuan me zyrtarë të lartë nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Qendra Kombëtare për të Drejtat e Njeriut. Në këto takime vëllezërit patën mundësi të prezantonin informacione të sakta për bindjet dhe për organizatën tonë. Shpresojmë që zyrtarë të mirinformuar të përkrahin regjistrimin e ligjshëm të organizatës në zona të tjera përveç Çirçikut. Atëherë vëllezërit mund të gjejnë më lehtë vende të përshtatshme për të adhuruar Perëndinë.
Përkujtimi i hapur dhe takimet plot respekt me zyrtarët janë zhvillimet më të fundit pozitive në Uzbekistan. Gjatë 6 muajve të fundit asnjë Dëshmitar i Jehovait atje nuk është bastisur, gjobitur ose arrestuar. Përveç kësaj, më 14 maj 2018, z. Javlon Vakhabovi, ambasador i Uzbekistanit në Shtetet e Bashkuara, pohoi publikisht se parlamenti do të punojë për ndryshimin e legjislacionit, që të lehtësojë punën për t’i regjistruar ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait.
Lutemi që Jehovai të bekojë përpjekjet e vëllezërve tanë në Uzbekistan, ndërsa vazhdojnë ‘të bëjnë një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor dhe seriozitet’.—1 Timoteut 2:2.