7 PRILL 2014
UZBEKISTAN
A ka ndonjë përmirësim në horizont për Dëshmitarët e Jehovait në Uzbekistan?
Dëshmitarët e Jehovait në Uzbekistan janë deri diku optimistë se autoritetet uzbeke do t’i lejojnë të praktikojnë lirshëm besimin. Igor Yurchenko, përfaqësues vendës i Dëshmitarëve të Jehovait që ka marrë pjesë në mbledhjet me qeveritarët e Uzbekistanit më 2013, tha: «Kemi vërejtur një përmirësim të ndjeshëm në diskutimet me autoritetet uzbeke, dhe me sa duket, kanë marrë përsipër të bëjnë ndryshime për mirë. Shpresojmë që së shpejti këto mbledhje të japin rezultate pozitive.»
Ndoshta si një shenjë e vullnetit të mirë, autoritetet në Uzbekistan liruan nga burgu më 2 mars 2013 Abdubannob Akhmedov, pasi kishte bërë mbi katër vjet e gjysmë burg nga dënimi prej gjashtë vjetësh e gjysmë. Ai ishte një nga tre Dëshmitarët e burgosur për aktivitet paqësor fetar. Dy Dëshmitarët e tjerë ishin liruar më parë, në vitin 2012. Aktualisht, në Uzbekistan nuk ka asnjë Dëshmitar në burg.
Në muajt pas lirimit të z. Akhmedov, autoritetet në Uzbekistan morën përsipër të bënin ndryshime pozitive për të respektuar të drejtat e njeriut. Më 5 korrik 2013 qeveria uzbeke e informoi Grupin e Punës të Rishikimit Universal Periodik në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut se ishte e gatshme të zbatonte rekomandimet që të njihte të drejtën e lirisë së fesë e të besimit për të gjithë individët dhe grupet pa diskriminim.
Përpjekje për të regjistruar kongregacionet e reja
Tani për tani në Uzbekistan ka vetëm një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait të regjistruar ligjërisht. Ai është në qytetin Chirchik, në rajonin Tashkent. Megjithatë, në pjesë të tjera të vendit ka plot Dëshmitarë të Jehovait. Ngaqë nuk kanë pasur mundësi t’i regjistronin kongregacionet e reja që nga 1996-a, Dëshmitarët mblidhen për ta adhuruar Perëndinë paqësisht pa pasur mbrojtje ligjore dhe rrezikojnë të ndëshkohen. Z. Yurchenko tha më tej: «Shpresojmë se dialogu i tanishëm konstruktiv me autoritetet do t’u hapë rrugën përmirësimeve të mëtejshme, që mund të çojnë në regjistrimin ligjor të kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në tërë Uzbekistanin.»
Dëshmitarët e Jehovait mirëpresin mundësinë që ta adhurojnë Perëndinë paqësisht në Uzbekistan dhe shpresojnë që autoritetet uzbeke t’i regjistrojnë së shpejti kongregacionet e reja.