TË RINJTË PYESIN
Ç’duhet të di për sportin?
Sporti mund të jetë gjë e mirë për ty, por edhe e keqe. E gjitha varet nga lloji i sportit që luan, si luan dhe sa luan.
Cilat janë dobitë?
Sporti ndihmon për një shëndet më të mirë. Edhe Bibla thotë se «stërvitja e trupit është e dobishme». (1 Timoteut 4:8) Një djalë i ri me emrin Rajan, thotë: «Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të qenë aktiv. Është shumë më mirë se të rrish brenda e të luash videolojëra.»
Sporti nxit punën në skuadër dhe vetëdisiplinën. Bibla përdor një ilustrim të bazuar në një lloj sporti për të nxjerrë një pikë pozitive. Ajo thotë: «Në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm njëri e merr çmimin.» Pastaj shton: «Çdokush që merr pjesë në një garë, tregon vetëkontroll në çdo gjë.» (1 Korintasve 9:24, 25) Cila është pika? Duhet vetëkontroll dhe bashkëpunim që t’u përmbahesh rregullave të lojës. Edhe Abigaila është dakord me këtë. Ajo pohon: «Sporti më ka mësuar si të bashkëpunoj dhe të komunikoj me të tjerët.»
Sporti forcon miqësitë. Loja i bashkon njerëzit. Një e re me emrin Xhordana, thotë: «Pothuajse në çdo lojë ka njëfarë konkurrence, por nëse luan thjesht për qejf, sporti është mundësi fantastike për të kaluar kohë me miqtë.»
Cilat janë grackat?
Lloji i sportit që luan. Bibla thotë: «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.»—Psalmi 11:5.
Disa sporte duken qartë se janë të dhunshme. Për shembull, një e re me emrin Lorena, vëren: «I gjithë qëllimi i boksit është të rrahësh kundërshtarin. Si të krishterë ne i rrimë larg dhunës, prandaj pse duhet të zbavitemi duke parë të tjerë që rrihen?»
Për të menduar: A ke luajtur ose a ke parë ndonjëherë sporte të dhunshme me justifikimin se ti vetë nuk do të veprosh kurrë ashtu? Nëse po, mos harro se Psalmi 11:5 thotë se Jehovai dënon këdo që «do dhunën», jo vetëm ata që janë të dhunshëm.
Mënyra si luan. Në Bibël shkruhet: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’—Filipianëve 2:3.
S’ka dyshim se ekziston njëfarë konkurrence në çdo sport ku përfshihen skuadra kundërshtare. Por, nëse synon të fitosh me çdo kusht, vetëm sa do të humbasësh kënaqësinë e lojës. Një adoleshent me emrin Brajan, thotë: «Fryma e konkurrencës të përpin shpejt. Sa më i mirë të jesh në sporte, aq më shumë do të të duhet të punosh me përulësinë.»
Për të menduar: Krisi, një djalë i ri, pranon: «Çdo javë luajmë futboll dhe ka pasur të dëmtuar.» Prandaj pyet veten: «Pse ka më tepër të ngjarë të ndodhin dëmtime? Si t’i zvogëloj rreziqet e dëmtimit?»
Sa kohë i kushton lojës. Bibla nxit: «Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.»—Filipianëve 1:10.
Është mirë të vendosësh përparësitë; adhurimi i Perëndisë duhet të zërë vendin e parë. Shumica e lojërave zgjatin disa orë, qoftë kur luan, qoftë kur i sheh. Një e re që quhet Daria, thotë: «Grindesha me mamin ngaqë për orë të tëra shihja lojëra në televizor, kur atë kohë mund ta kisha përdorur më mirë.»
Për të menduar: A ua vë veshin prindërve kur të këshillojnë për përparësitë? Trina, një e re, shprehet: «Kur bashkë me vëllezërit shihnim sporte dhe linim pas dore gjërat e rëndësishme, mami na kujtonte se, i shihnim apo nuk i shihnim ne, prapëseprapë lojtarët paguheshin. Pastaj na pyeste: ‘Po ju, kush ju paguan?’ Donte të thoshte se lojtarët tashmë e kishin një punë. Por, nëse ne përtonim të bënim detyrat apo të përmbushnim përgjegjësitë e tjera, nuk do të mbanim dot veten në të ardhmen. Me pak fjalë, mami po na thoshte se sporti nuk duhej të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën tonë.»