Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A është zbavitje e padëmshme okultizmi?

A është zbavitje e padëmshme okultizmi?

 Si mendon?

  •   A është i dëmshëm konsultimi me horoskopin, me parashikuesit ose përdorimi i tabelës Ouija?

  •   A janë historitë rreth okultizmit thjesht alegori—një betejë simbolike mes së mirës dhe së keqes—apo fshehin diçka tjetër?

 Ky artikull do të shqyrtojë pse mund të jetë kaq tërheqës spiritizmi dhe pse duhet të jesh i kujdesshëm.

 Pse është tërheqës?

 Njerëzit e industrisë së zbavitjes kanë nxjerrë fitime kolosale duke prodhuar filma, programe televizive, videolojëra dhe libra që përqendrohen tek okultizmi. Si pasojë, mes të rinjve është rritur interesi për gjëra të tilla si astrologjia, shtrigëria, demonët dhe vampirët. Pse gjithë ky interes? Ja disa arsye:

  •   Kanë kuriozitet të zbulojnë nëse ekzistojnë vërtet engjëjt dhe demonët

  •   Janë të shqetësuar për të ardhmen

  •   Duan të komunikojnë me një njeri të dashur që ka vdekur

 Këto arsye nuk janë të gabuara në vetvete. Për shembull, është më se e natyrshme të shqetësohesh për të ardhmen dhe të kesh mall për një njeri të dashur që ka vdekur. Ama duhet të njohësh rreziqet e spiritizmit.

 Pse të jesh i kujdesshëm?

 Bibla jep paralajmërime serioze kundër gjithçkaje që ka lidhje me spiritizmin. Për shembull, ajo thotë:

 «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»—Ligji i përtërirë 18:10-12.

 Pse Bibla e dënon rreptësisht spiritizmin?

  •   Spiritizmi promovon bashkëpunimin me demonët. Bibla mëson se disa engjëj u rebeluan kundër Perëndisë dhe u bënë armiq të tij. (Zanafilla 6:2; Juda 6) Këta engjëj të ligj, të quajtur demonë, mashtrojnë njerëzit me anë të mediumeve, parashikuesve të fatit, fallxhorëve dhe astrologëve. Praktikimi i këtyre gjërave na vë në radhët e armiqve të Perëndisë.

  •   Spiritizmi promovon bindjen e rreme se disa njerëz mund të parashikojnë të ardhmen. Gjithsesi vetëm Perëndia mund të shprehet: ‘Unë them përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.’—Isaia 46:10; Jakovi 4:13, 14.

  •   Spiritizmi promovon bindjen e rreme se të vdekurit mund të komunikojnë me të gjallët. Sidoqoftë, Bibla thotë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë . . . Nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol.»—Eklisiastiu 9:5, 10.

 Këto janë arsyet pse Dëshmitarët e Jehovait rrinë larg praktikave që kanë lidhje me spiritizmin. Ata shmangin edhe zbavitjet që përfshijnë zombi, vampirë dhe dukuri paranormale. Një e re me emrin Maria tregon: «Nëse ka elementë spiritistë, s’është për t’u parë.» a

Ashtu si një kriminel përpiqet të ta hedhë duke u hequr si dikush tjetër, edhe demonët hiqen sikur janë njerëzit e dashur që të kanë vdekur

 Ç’mund të bësh?

  •   Ji i vendosur të mbash «ndërgjegje të pastër» para Jehovait duke shmangur praktikat ose zbavitjet që përfshijnë okultizmin.—Veprat 24:16.

  •   Flak objektet që kanë lidhje me okultizmin. Lexo Veprat 19:19, 20 dhe vër re shembullin e shkëlqyer të të krishterëve të shekullit të parë.

 Mos harro: Kur u rri larg praktikave dhe zbavitjeve okultiste, e bën të qartë se mbështet Jehovain. Kjo ia gëzon zemrën sa s’thuhet!—Proverbat 27:11.

a Kjo s’do të thotë se çdo histori imagjinare promovon drejtpërdrejt spiritizmin. Gjithsesi, të krishterët vënë në punë ndërgjegjen e stërvitur nga Bibla që të shmangin çdo praktikë ose argëtim që e promovon atë.—2 Korintasve 6:17; Hebrenjve 5:14.