TË RINJTË PYESIN
Si të heq dorë nga jeta e dyfishtë?
Ndonjëherë, disa adhurues të Perëndisë dyshojnë nëse ia vlen të harxhojnë kohë dhe të përpiqen të jetojnë sipas standardeve të Biblës. (Psalmi 73:2, 3) Madje mund të eksperimentojnë me gjëra që bien ndesh me ligjet e Jehovait dhe pastaj mundohen t’i mashtrojnë bashkëbesimtarët duke e fshehur sjelljen e gabuar.
Ky artikull është bërë enkas për të ndihmuar ata që kanë nisur një jetë të dyfishtë, por që duan të heqin dorë prej saj.
Në këtë artikull
Çfarë është jeta e dyfishtë?
Të bësh jetë të dyfishtë, do të thotë se kur je me moshatarë që nuk i binden Jehovait, bën gjëra që e di se janë të gabuara; ndërsa, kur je me bashkëbesimtarët, sillesh sikur dëshiron që t’i shërbesh Jehovait. Është sikur të jetosh dy jetë dhe në secilën prej tyre vë një maskë.
«Kur bën jetë të dyfishtë, gjithmonë po i fsheh diçka njërës palë, prandaj askush s’të njeh vërtet. Në fund të fundit, një jetë e dyfishtë është një tradhti e dyfishtë.»—Erina.
A e dije? Nëse kur je vetëm, bën gjëra që e di se Jehovai nuk i miraton, edhe kjo quhet jetë e dyfishtë.
«Në moshën 14-vjeçare fillova të shihja në internet foto dhe video me përmbajtje imorale. Kur isha me të tjerë, bëja sikur e urreja pornografinë, por thellë në zemër e dija që nuk ishte ashtu.»—Nolani.
Parim nga Bibla: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin.»—Mateu 6:24.
A jam njeri i keq nëse bëj jetë të dyfishtë?
Jo medoemos. Sigurisht që disa e kanë ndarë mendjen të mos jetojnë sipas standardeve të Biblës. Por, a mendon edhe ti njësoj? Apo ke ndonjë arsye tjetër, si:
Ke frikë të dukesh ndryshe nga moshatarët.
Ndihesh sikur ke më shumë gjëra të përbashkëta me shokët e shkollës se me motrat e vëllezërit në kongregacion.
Mendon sikur thjesht nuk ke as forcën dhe as aftësinë që t’i ndjekësh të gjitha urdhërimet e Perëndisë.
«Mendoj se disa të rinj që bëjnë jetë të dyfishtë, duan medoemos të ndihen të pranuar nga moshatarët, prandaj janë më rehat me njerëz që nuk kanë të njëjtat vlera të krishtere si ata.»—Davidi.
Sigurisht, asnjë nga arsyet e mësipërme nuk e justifikon jetën e dyfishtë. Prapëseprapë ato tregojnë se edhe njerëz të mirë mund të bien në këtë grackë. Nëse edhe ti je gjendur në këtë situatë, çfarë mund të bësh?
Si të heq dorë nga jeta e dyfishtë?
1. Analizo jetën që po bën tani. Pyet veten: «A dua të jem vërtet ky lloj njeriu? Ku mund të më çojë kjo mënyrë jetese?»
Parim nga Bibla: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.»—Proverbat 27:12.
2. Ji i sinqertë. Fol për situatën tënde me prindërit ose me një mik të pjekur që i respekton ligjet e Jehovait. Me siguri do t’u bëhet qejfi që po u kërkon ndihmë. Dhe do të ndihen krenarë teksa shohin që po bën çmos të veprosh siç duhet.
«E pata jashtëzakonisht të vështirë t’i pranoja gabimet e mia para të tjerëve; ama, një herë që e bëra, u çlirova plotësisht.»—Nolani.
Parim nga Bibla: «Kush i mbulon fajet e veta, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe heq dorë prej tyre, do t’i tregohet mëshirë.»—Proverbat 28:13.
3. Prano pasojat. Mos harro se, nëse u ke fshehur diçka prindërve dhe kongregacionit, u ke thyer besimin. Prandaj, prindërit ose pleqtë e kongregacionit mund të të vënë disa kufizime. Pranoji këto pasoja dhe ji i vendosur që nga sot e tutje ‘të sillesh me ndershmëri në çdo gjë’.—Hebrenjve 13:18.
Parim nga Bibla: «Dëgjoje këshillën dhe pranoje disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen.»—Proverbat 19:20.
4. Ji plotësisht i bindur se Perëndia të do. Ngaqë Jehovai na do, ai sheh gjithçka që bëjmë. Ndaj, nëse po bën jetë të dyfishtë, Perëndia e di këtë dhe trishtohet. Prapëseprapë mezi pret të të ndihmojë të ecësh në rrugën e duhur, ‘sepse ai merakoset për ty’.—1 Pjetrit 5:7.
Parim nga Bibla: «Sytë e Jehovait vështrojnë me kujdes gjithë tokën, që të tregojë forcën e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër.»—2 Kronikave 16:9.