Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Çfarë duhet të bëj pas pagëzimit?—Pjesa 1: Vazhdo të forcosh miqësinë me Jehovain

Çfarë duhet të bëj pas pagëzimit?—Pjesa 1: Vazhdo të forcosh miqësinë me Jehovain

 Gjërat me vlerë, si shtëpia apo makina, kanë nevojë për kujdes e mirëmbajtje. E po njësoj miqësia jote me Perëndinë. Por, si t’ia bësh që ta ruash këtë miqësi të fortë pas pagëzimit?

Në këtë artikull

 Vazhdo të studiosh Fjalën e Perëndisë

 Shkrimi kyç: «Vazhdoni të jepni fryt në çdo vepër të mirë e të rriteni në njohurinë e saktë të Perëndisë.»—Kolosianëve 1:10.

 Çfarë do të thotë: Pas pagëzimit duhet të vazhdosh të lexosh Biblën dhe të meditosh për gjërat që mëson.—Psalmi 25:4; 119:97.

 Ç’mund të ndodhë: Me raste s’do ta kesh me qejf të studiosh. Madje mund të arrish në përfundimin se thjesht nuk je «tip studioz».

 Ç’mund të bësh: Zgjero njohuritë për tema që të pëlqejnë nga Bibla. Krijo një program të personalizuar studimi—që të mos të kthehet në bezdi. Synimi yt ndërsa studion është ta duash më fort Jehovain dhe Fjalën e tij. Po studiove me këtë në mendje, do të provosh edhe dobi edhe kënaqësi.—Psalmi 16:11.

 Sugjerim: Që ta shijosh tamam studimin, gjej një vend të qetë dhe pa shpërqendrime.

 Të duhet akoma ndihmë?

 Vazhdo t’i lutesh Jehovait

 Shkrimi kyç: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—Filipianëve 4:6.

 Çfarë do të thotë: Komunikimi me Perëndinë është i dyanshëm: e dëgjon kur lexon Fjalën e tij dhe i flet kur lutesh. Në lutje mund t’i kërkosh ndihmë Perëndisë, por edhe ta falënderosh për çdo bekim që të ka dhënë.

 Ç’mund të ndodhë: Disa herë lutjet e tua mund të bëhen disi mekanike. Për më tepër, mund të dyshosh se Jehovai nuk të dëgjon vërtet a mbase se ai nuk do fare që t’i lutesh.—Psalmi 10:1.

 Ç’mund të bësh: Mendo gjatë ditës për gjëra për të cilat mund të lutesh. Nëse rrethanat nuk të lejojnë që të lutesh me nge në atë moment, vendos të lutesh për atë çështje më vonë gjatë ditës. Përveç gjërave me rëndësi për ty, mos harro të lutesh edhe për të tjerët.—Filipianëve 2:4.

 Sugjerim: Në qoftë se ndien se lutjet po të kthehen në diçka mekanike, lutju Jehovait për këtë çështje. Ai dëshiron të dëgjojë çdo merak tëndin, edhe kur ky merak lidhet me lutjen.—1 Gjonit 5:14.

 Të duhet akoma ndihmë?

 Vazhdo t’u flasësh të tjerëve për besimin tënd

 Shkrimi kyç: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. . . . Duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—1 Timoteut 4:16.

 Çfarë do të thotë: Kur u flet të tjerëve për bindjet e tua, forcon edhe besimin tënd. Kështu jo vetëm do të shpëtosh jetën e atyre që të dëgjojnë, por edhe tënden.

 Ç’mund të ndodhë: Do të ketë raste kur do të të mungojë motivimi që të flasësh për besimin tënd. Madje mund të kesh frikë, sidomos në shkollë.

 Ç’mund të bësh: Ndaje mendjen që të mos i lejosh ndjenjat negative, si frika, të drejtojnë vendimet e tua. Apostulli Pavël shkroi: «Edhe sikur [ta shpall lajmin e mirë] kundër vullnetit tim, nuk harroj se kjo detyrë më është besuar si kujdestar.»—1 Korintasve 9:16, 17.

 Sugjerim: Me lejen e prindërve, zgjidh një bashkëbesimtar që është shembull në predikim të të ndihmojë vazhdimisht.—Proverbat 27:17.

 Të duhet akoma ndihmë?

 Vazhdo të ndjekësh mbledhjet e krishtere

 Shkrimi kyç: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona.»—Hebrenjve 10:24, 25.

 Çfarë do të thotë: Arsyeja kryesore pse shkojmë në mbledhje, është të adhurojmë Jehovain. Ama kur i ndjek, nxjerr edhe 2 dobi. E para, inkurajohesh vetë nga bashkëbesimtarët. E dyta inkurajon të tjerët kur vjen në mbledhje dhe mban caktime e komenton.—Romakëve 1:11, 12.

 Ç’mund të ndodhë: Me raste gjatë mbledhjes mund të të hallakatet mendja dhe të humbasësh mësime me vlerë. Ose ndoshta mund të të vijë të lësh ndonjë mbledhje. Mund të fokusohesh kaq shumë te gjërat e tjera, si mësimet e shkollës, sa të mos gjesh kohë për mbledhjet.

 Ç’mund të bësh: Sigurisht pa neglizhuar mësimet e shkollës, ji i vendosur t’i ndjekësh mbledhjet rregullisht dhe vër synim të përfitosh sa më shumë prej tyre. Përfshihu duke dhënë komente. Pas mbledhjes lavdëro të paktën një person për ndonjë pjesë që kishte ose koment.

 Sugjerim: Përgatitu që më përpara. Shkarko aplikacionin JW Library® dhe kliko te pjesa «Mbledhjet» për të parë materialin që diskutohet në çdo mbledhje.

 Të duhet akoma ndihmë?