TË RINJTË PYESIN
Çfarë duhet të bëj pas pagëzimit?—Pjesa 2: Ruaj integritetin
Bibla thotë se «Jehovai nuk do t’i privojë asgjë të mirë kujtdo që zgjedh të jetojë me integritet». (Psalmi 84:11) Çfarë do të thotë ‘të jetosh me integritet’? Do të thotë të jetosh në një mënyrë që tregon se po e mban premtimin që i bëre Jehovait kur i kushtove jetën. (Eklisiastiu 5:4, 5) Si ta bësh këtë pas pagëzimit?
Në këtë artikull
Vazhdo të përballosh problemet
Shkrimi kyç: «Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.»—Veprat 14:22.
Çfarë do të thotë: E vërteta është se të gjithë të krishterët do të përballen me sfida në jetë. Disa prej tyre, si talljet dhe kundërshtimi, lidhen drejtpërdrejt me faktin që je Dëshmitar. Të tjerat, si vështirësitë ekonomike ose sëmundjet, prekin të gjithë njerëzit pa përjashtim.
Ç’mund të ndodhë: Me raste, rrethanat në jetë mund të të ndryshojnë dhe jo gjithmonë siç të pëlqen ty. Bibla thotë se gjërat e këqija mund t’i ndodhin gjithkujt, si të krishterëve, edhe atyre që nuk janë të krishterë.—Eklisiastiu 9:11.
Ç’mund të bësh: Meqë e di se do të hasësh sfida, përgatitu që më përpara. Shihi ato si një mundësi për të forcuar besimin dhe për t’u mbështetur më fort te Jehovai. (Jakovi 1:2, 3) Me kalimin e kohës do të ndihesh njësoj si apostulli Pavël, që tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.
HISTORI REALE. «Pak pas pagëzimit vëllezërit e lanë të vërtetën, prindërit u sëmurën, pastaj u sëmura edhe unë. Do të kishte qenë fare e lehtë të hiqja dorë; të harroja se, kur ia kushtova jetën Perëndisë, i premtova që adhurimi i tij do të ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Mirëpo ishte pikërisht kushtimi ndaj tij që më ndihmoi t’i përballoja tërë këto sfida.»—Kerëni.
Sugjerim: Mendo për historinë e Jozefit. Lexo për jetën e tij te Zanafilla, kapitujt 37, 39-41. Pyet veten: çfarë vështirësish të papritura hasi Jozefi dhe si i përballoi? Si e ndihmoi Jehovai?
Të duhet akoma ndihmë?
Lexo:
Shkarko:
Vazhdo t’u rezistosh tundimeve
Shkrimi kyç: «Secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet.»—Jakovi 1:14.
Çfarë do të thotë: Të gjithë tundohemi nga dëshirat e gabuara herë pas here. Po të mos i mbajmë nën kontroll, mund të na shtyjnë të bëjmë gjëra që nuk i pëlqejnë Jehovait.
Ç’mund të ndodhë: Edhe pas pagëzimit do të të lindin ‘dëshira mëkatare’. (2 Pjetrit 2:18) Mbase mund të tundohesh të kryesh seks para martesës.
Ç’mund të bësh: Vendos që tani—para se të tundohesh—të mos i lejosh dëshirat të të çojnë në rrugë të gabuar. Mos harro fjalët e Jezuit: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.» (Mateu 6:24) E ke ti në dorë cili do të jetë zotëria yt. Zgjidh Jehovain! Pavarësisht sa e fortë mund të jetë një dëshirë e gabuar, mund të vendosësh të mos e plotësosh.—Galatasve 5:16.
Sugjerim: Identifiko pikat e tua të forta e të dobëta. Zgjidh miq që nxjerrin më të mirën nga ti. Shmang njerëz, vende dhe rrethana që të nxitin të bësh gjëra të gabuara.—Psalmi 26:4, 5.
Të duhet akoma ndihmë?
Vazhdo të forcosh zellin
Shkrimi kyç: «[Secili nga ju] të jetë i papërtuar si në fillim . . . deri në fund, e kështu të mos bëheni të plogësht.»—Hebrenjve 6:11, 12.
Çfarë do të thotë: Kush nuk përqendrohet te puna, fare lehtë mund të ulë ritmin dhe të plogështohet.
Ç’mund të ndodhë: Ka shumë të ngjarë që menjëherë pas pagëzimit të ishe plot zell dhe entuziast. Zemra të gufonte nga dashuria për Jehovain. Ama, pas njëfarë kohe mund të bëhet disi e vështirë t’i bindesh Jehovait në çdo gjë, dhe kjo mund të të shkurajojë e të ta zbehë zellin.—Galatasve 5:7.
Ç’mund të bësh: Vazhdo të bësh atë që është e drejtë, edhe pse për njëfarë kohe nuk e ndien të veprosh kështu. (1 Korintasve 9:27) Ndërkohë, forco miqësinë me Atin tënd qiellor, duke e njohur më mirë e duke iu lutur më shpesh. Gjithashtu vazhdo të lidhësh miqësi të ngushta me ata që e kanë për zemër shërbimin e Jehovait.
Sugjerim: Mos harro se Jehovai të do shumë dhe mezi pret të të ndihmojë. Mos nxirr përfundimin se është i mërzitur me ty nëse për momentin nuk je aq i zellshëm si më parë. Bibla thotë: «Ai u jep forcë të lodhurve dhe fuqi me bollëk të pafuqishmëve.» (Isaia 40:29) Me kalimin e kohës, Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua për të rigjallëruar zellin.
Të duhet akoma ndihmë?
Lexo:
Shih:
Përfundimi: Nëse jeton me integritet, do t’ia gëzosh zemrën Jehovait. (Proverbat 27:11) Do ta lumturosh që zgjodhe anën e tij, dhe ai do të të japë gjithë sa të duhet për t’u rezistuar sulmeve të Satanait.