Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A ta lë shkollën më mirë?

A ta lë shkollën më mirë?

 «S’e duroj dot shkollën!» Nëse mendon kështu për shkollën, mund të të tundojë mendimi që ta lësh. Ky artikull do të të ndihmojë të marrësh në konsideratë edhe alternativa të tjera.

 Pse disa e lënë shkollën?

 Ja disa nga faktorët e zakonshëm që japin arsimtarët:

  •   Vështirësitë në të mësuar. «Ngela duke marrë nota të këqija.»

  •   Mosinteresimi. «E për çfarë më duhet ajo që po mësoj?!»

  •   Vështirësitë ekonomike. «Duhet të punoj që të ndihmoj familjen.»

 Llogarit pasojat

 Bibla thotë: «Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.» (Proverbat 14:15) Mësimi: para se të lësh shkollën, sigurohu që i ke marrë parasysh pasojat.

 Pyet veten:

  •   «A do ta kem të lehtë të gjej punë në të ardhmen po ta lë shkollën?»

     «Në të ardhmen, do të të duhet të kesh një punë e ndoshta edhe të mbash familjen. Por kjo bëhet e vështirë kur shumica e punëdhënësve kërkojnë të paktën diplomën e shkollës së mesme.»—Xhulia.

  •   «A do ta kem të lehtë t’u bëjë ballë vështirësive në jetë?»

     «Shkolla të përgatit për jetën. Njerëzit që do të takosh, tundimet që do të kalosh dhe disiplina e punës që do të të kërkohet, do të jenë të ngjashme me ato që kalon në shkollë.»—Danieli.

  •   «A do të arrij të bëhem i zoti i vetes po ta lë shkollën?»

     «Shkolla mund të të duket e kotë tani, por kur të shkosh 23 vjeç dhe të menaxhosh paratë e tua, do ta vlerësosh që ia vure veshin matematikës.»—Ana.

 Një zgjidhje më e mirë

  •   Kërko ndihmë. Bibla thotë: «Kur ka shumë këshilltarë, ka sukses.» (Proverbat 11:14) Nëse po bie nga mësimet, merru një mendim prindërve, një mësuesi, psikologut të shkollës ose një të rrituri që i beson, se si t’i përmirësosh notat.

     «Nëse s’po ia del dot me mësimet, fol me mësuesin. Ndonjëherë mund të duket sikur problemi është mësuesi, por shpesh herë gjërat përmirësohen po të kërkosh ndihmë.»—Eduardi.

  •   Mos u përqendro vetëm tek e tashmja. Bibla thotë: «Më mirë se fillimi i një pune është fundi i saj.» (Eklisiastiu 7:8) Kur të mbarosh shkollën, nuk do të kesh vetëm njohuri, por edhe cilësitë dhe aftësitë e duhura për jetën.

     «Kur të rritesh, mbase nuk do të të duhet të shkruash ese ose të studiosh për provime, por mënyra si e përballon stresin e shkollës, të përgatit për vështirësitë që të presin pas diplomimit.»—Vera.

    Të lësh shkollën, është si të zbresësh nga varka, pa mbërritur në mol; ka të ngjarë të bëhesh pishman

  •   Mos u nxito. Bibla thotë: «Kush është i nxituar, me siguri turret drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Mos nxirr shpejt përfundimin se alternativa e vetme që ke, është të lësh shkollën. Në disa vende, ekziston mundësia të marrësh mësime në shtëpi, online, nëpërmjet kurseve profesionale ose shkollës me korrespondencë.

     «Shkolla të mëson të punosh fort, të zgjidhësh problematika dhe të bashkëpunosh me të tjerët. Dobitë e saj janë afatgjata. Ia vlen ta çosh deri në fund shkollën.»—Benxhamini.

 Përfundimi: Po ta çosh deri në fund shkollën, do të jesh më i përgatitur për përgjegjësitë që të sjell jeta.