Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin

Kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin

 Në shumë martesa, komunikimi çalon. Çiftet e kanë të vështirë të kenë komunikim të ngrohtë me njëri-tjetrin edhe nëse kalojnë kohë bashkë. Pse ndodh kjo?

 Larg, edhe pse afër—Për ç’arsye?

  •   Sfilitja

     «Kur kemi nevojë të kalojmë kohë me njëri-tjetrin, ndodh që ose burri, ose unë jemi të sfilitur. Kur jam e lodhur, acarohem edhe për gjënë më të vogël. Prandaj, më mirë të shohim televizor.»—Ana.

  •   Shpërqendrimet nga teknologjia

     «Rrjetet sociale dhe zbavitjet e tjera online mund të të marrin shumë kohë. Mbase kalon orë të tëra me to, e ndërkohë nuk ke folur fare me bashkëshortin. E ndoshta nuk rrini as në të njëjtën dhomë.»—Katerina.

  •   Interesa të ndryshme

     «Pasi kthehet nga puna, burri kalon goxha kohë me gjërat që i pëlqejnë. E meriton të marrë kohë për veten, sepse rraskapitet në punë. Por edhe unë do të doja të kaloja më shumë kohë me të.»—Xhejn.

  •   Puna

     «Teknologjia e ka zbehur kufirin mes punës dhe kohës që i kushtojmë familjes. Shpesh e gjej veten duke iu përgjigjur mesazheve dhe email-eve të punës, kur në fakt atë kohë mund ta kisha kaluar me gruan.»—Marku.

 Ç’mund të bësh

  •   Duhet të kuptosh se nuk është luks të kaloni kohë cilësore me njëri-tjetrin, por e domosdoshme.

     Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.

     Për të menduar: A tregojnë veprimet e tua se për ty martesa ka më shumë rëndësi se puna a ndonjë hobi? A i kushton kohë dhe vëmendje bashkëshortit vetëm kur s’ke ça bën tjetër?

     Sugjerim: Mos ia lër gjërat rastësisë. Programo që të kalosh kohë rregullisht vetëm me bashkëshortin, pa shpërqendrime.

     «Më pëlqen shumë kur im shoq planifikon diçka vetëm për ne të dy. Më bën të ndihem e veçantë dhe më siguron se ai ka qejf të rrijë me mua. Kjo më shtyn ta dua edhe më shumë.»—Ana.

  •   Mëso t’u thuash «jo tani» pajisjeve elektronike.

     Parim nga Bibla: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»—Eklisiastiu 3:1.

     Për të menduar: Sa shpesh ndodh që një mesazh ose njoftim të pengon t’i kushtosh vëmendje të plotë bashkëshortit?

     Sugjerim: Përpiquni që çdo ditë të hani të paktën një vakt së bashku, ndërsa celularët lërini në një dhomë tjetër. Vaktet janë një mundësi fantastike për të folur si ka shkuar dita.

  •   Kur është e mundur, bëni bashkë pazarin dhe punët e shtëpisë.

     Parim nga Bibla: «Dy janë më mirë se një, sepse nxjerrin më shumë dobi për mundin e tyre.»—Eklisiastiu 4:9, shënimi.

     Për të menduar: Sa shpesh ndodh që t’i bëni veç e veç punët e përditshme?

     Sugjerim: Punoni si skuadër dhe ndihmoni njëri-tjetrin edhe për punë që nuk kërkojnë medoemos dy veta.

     «Pazari, larja e enëve, palosja e rrobave, punët në kopsht, etj. . . . Në vend që t’i shihni thjesht si punë, pse të mos i konsideroni si mundësi për të kaluar kohë bashkë?»—Nina.

  •    Ji i arsyeshëm në atë që pret

     Parim nga Bibla: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.»—Filipianëve 4:5.

     Për të menduar: Si mund të tregohesh i arsyeshëm në atë që pret nga bashkëshorti?

     Sugjerim: Bisedoni së bashku dhe përcaktoni për çfarë ka nevojë secili prej jush. Arrini në një përfundim që ju bën të lumtur të dyve dhe që mund ta përkrahni me gjithë zemër.

     «Im shoq ka shumë energji, kurse mua sëmundja m’i shteron fuqitë. E nxis shpesh burrin që të dalë e të kënaqet dhe i them se do të rrimë bashkë kur të kthehet. Unë qëndroj në shtëpi që të çlodhem, ndërsa ai del që të merret me ndonjë aktivitet fizik. Në fund ndihemi të dy më mirë, sepse kemi bërë diçka që e kemi të nevojshme.»—Daniela.

 Pyetje për diskutim

 Në fillim, secili të shqyrtojë më vete pyetjet vijuese. Pastaj diskutoni përgjigjet me njëri-tjetrin.

  •   Kur bëhet fjalë për kohën që kaloni bashkë, si do ta vlerësoje lidhjen tuaj në këtë moment?

  •   Për çfarë do ta lavdëroje bashkëshortin lidhur me këtë çështje?

  •   Çfarë përmirësimesh do të kishe qejf të shihje te bashkëshorti?

  •   Sa shpesh të pengon teknologjia që t’i kushtosh vëmendje të plotë asaj që po thotë bashkëshorti?

  •   Si mund të tregojë arsyetueshmëri secili prej jush në atë që pret nga tjetri?

  •   Cilat ndryshime mund të bëjë secili nga ju këtë javë, që të kaloni më shumë kohë me njëri-tjetrin pa shpërqendrime?