NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Mësoje fëmijën të ngulmojë
«Nuk e bëj dot,—thotë duke qarë djali yt.—Është shumë e vështirë. Nuk do ta mësoj kurrë.» Djali është gati të heqë dorë nga një punë e vështirë. Kuptohet, nuk të pëlqen aspak ta shohësh djalin në vështirësi, por nga ana tjetër, dëshiron ta ndihmosh që t’i kapërcejë sfidat. A duhet t’i shkosh me vrap në ndihmë? A duhet ta lësh të heqë dorë? Apo mund ta mësosh të jetë ngulmues?
Çfarë duhet të dish
Aftësia për të ngulmuar është jetësore. Kur prindërit i mësojnë fëmijës të zhvillojë aftësi të ndryshme nëpërmjet përpjekjeve të palodhura, ka më shumë të ngjarë që fëmija të shkojë mirë me mësime, të ketë shëndet më të mirë emocional e fizik dhe të gëzojë marrëdhënie shoqërore më të forta e të dobishme. Nga ana tjetër, kur prindërit nuk e lejojnë fëmijën të përballet me vështirësi e dështime, ka më shumë gjasa që fëmija të bëhet depresiv, të ndihet më i paaftë dhe të bëjë një jetë më pak të kënaqshme kur të rritet.
Aftësia për të ngulmuar mund të bëhet më e fortë. Edhe fëmijët fare të vegjël mund ta forcojnë vendosmërinë për të kapërcyer sfidat e për të zgjidhur problemet. Sipas një studimi, foshnjat 15-muajshe përpiqeshin edhe më fort për ta kryer një punë të vështirë nëse, në fillim, shihnin një të rritur që sforcohej për të zgjidhur një problem, në vend që t’ia dilte pa asnjë përpjekje.
«Më kujtohet kur u mësova vajzave të lidhnin lidhëset e këpucëve. Nuk është një aftësi që mësohet brenda ditës. Sa herë që u duhej të lidhnin lidhëset, rrinin 10 deri në 15 minuta për të kujtuar si bëhej. Pastaj shkoja për t’i ndihmuar. U deshën ca muaj dhe derdhën pak lot, por në fund e mësuan. Mund t’ia kisha thjeshtuar punën vetes po t’u blija këpucë pa lidhëse. Por ndonjëherë, edhe ne si prindër duhet të ngulmojmë që t’ua mësojmë fëmijëve këtë cilësi.»—Kolina.
Aftësia për të ngulmuar mund të bëhet më e dobët. Ndonjëherë disa prindër ia dobësojnë pa dashje fëmijës aftësinë për të ngulmuar. Si? Në përpjekje për t’i rritur vetëbesimin fëmijës, disa prindër turren «për ta shpëtuar» nga çdo lloj zhgënjimi ose dështimi. Por kjo metodë e ka një të keqe. Një autore, Xhesika Lejhi, shkruan: «Sa herë që i shpëtojmë . . . fëmijët tanë nga një vështirësi, po u përcjellim një mesazh tepër të qartë: se ne mendojmë që janë të paaftë, të pazotë dhe të padenjë për besimin tonë.» a Cili është rezultati? Fëmijët mund të heqin dorë kollaj kur të përballen me sfida në të ardhmen, ngaqë do të mendojnë se kanë nevojë për një të rritur që t’i shpëtojë.
Ç’mund të bësh
Nxite fëmijën t’i futet punës. Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të ngulmojnë duke u dhënë punë shtëpie në përputhje me moshën e tyre. Për shembull, fëmijët e moshës parashkollore mund të ndihmojnë me rrobat dhe me sistemimin e lodrave. Fëmijët pak më të rritur mund të vendosin ushqimet në vendin e tyre, të shtrojnë e të mbledhin tavolinën, të nxjerrin plehrat dhe të fshijnë ndonjë gjë që derdhet. Adoleshentët mund të bëjnë punë më të vështira ku përfshihet pastrimi, mirëmbajtja dhe riparimi. Mbase fëmijët nuk e kanë gjithmonë me qejf të bëjnë këto gjëra, ama do të nxjerrin dobi kur prindërit u japin përgjegjësinë që të kontribuojnë për punët e shtëpisë që në moshë të vogël. Si? Do të zhvillojnë atë etikë pune që, kur të rriten, do t’i ndihmojë të mos dorëzohen para një detyre të vështirë, por të domosdoshme.
Parim nga Bibla: «Çdo punë e palodhur sjell dobi.»—Proverbat 14:23.
«Mos e harxho kohën duke u dhënë fëmijëve detyra pa vlerë, sa për të thënë se po merren me diçka. Askujt nuk i pëlqen kjo, as fëmijëve. Jepu mundësi të të ndihmojnë me një punë domethënëse. Nëse fëmija është i vogël, caktoji të fshijë pluhurat e mobilieve që arrin. Nëse po lan makinën, vëre të pastrojë pjesët e poshtme të saj, ku ti mezi futesh. Pastaj mos harro ta lavdërosh fëmijën për punën e palodhur.»—Krisi.
Qëndroji pranë ndërsa fëmija kryen një punë të vështirë. Ndonjëherë fëmijët dorëzohen shpejt ngaqë nuk dinë si ta kryejnë një punë. Prandaj, kur i mëson diçka të re, provo të ndjekësh metodën vijuese. Në fillim, bëje ti punën që ai të të shohë. Pastaj, të njëjtën punë bëjeni bashkë. Më pas, ti shiko si e bën fëmija atë punë dhe jepi sugjerime praktike. Në fund, lëre fëmijën ta bëjë vetë nga fillimi në fund.
Parim nga Bibla: «Unë ju lashë modelin që, ashtu si bëra unë me ju, po njësoj të bëni edhe ju.»—Gjoni 13:15.
«Nga përvoja kam parë se ne prindërit duhet të lëmë një shembull të mirë nëse duam që fëmijët të mësojnë të ngulmojnë. Duhet ta shfaqim ne të parët atë cilësi që duam ta zhvillojnë fëmijët tanë.»—Dagu.
Ndihmoje fëmijën të kuptojë se vështirësitë dhe dështimet janë pjesë e jetës. Tregoji raste kur ti vetë e ke pasur të vështirë të arrije diçka, ama nxore dobi ngaqë nuk u dorëzove. Shpjegoji se është normale nëse një gjë e re i duket e vështirë dhe se gabimet mund ta ndihmojnë të mësojë. Siguroje se do ta duash po njësoj, edhe nëse dështon. Ashtu si një muskul forcohet sa më shumë të përdoret, edhe aftësia e fëmijës për të ngulmuar do të forcohet nëse ti si prind e lejon të përballet me vështirësi. Prandaj nëse fëmija has një vështirësi, në vend që të ndërhysh menjëherë, jepi kohë që të vazhdojë të sforcohet, edhe nëse mërzitet pak. Një libër thotë: «Mënyra më e mirë që një i ri të ndërtojë karakterin, është të tentojë të marrë përsipër diçka ku mundësia për të dështuar është e madhe.»—How Children Succeed.
Parim nga Bibla: «Për çdo njeri është diçka e mirë kur mësohet të përballojë vështirësi që kur është i ri.»—Vajtimet 3:27, Bibla ECM.
«Është për të mirën e fëmijëve kur i lë të sforcohen deri në një farë mase dhe njëkohësisht ua bën të qartë se mami e babi janë aty për t’i ndihmuar. Pas njëfarë kohe, sforcot do të harrohen, por ndërkohë fëmijët do të kenë fituar një aftësi të re dhe sigurinë se ngulmimi shpërblehet.»—Xhordani.
Lavdëro përpjekjet, jo intelektin. Për shembull, në vend që të thuash «të lumtë që dole mirë në provim, je shumë i zgjuar», mund të thuash «të lumtë që dole mirë në provim, sa mirë që studiove fort». Pse ka rëndësi të lavdërosh përpjekjet, jo intelektin? Kur i lavdërojmë fëmijët për inteligjencën e tyre, «i bëjmë të dyshojnë te vetja me rastin e parë që hasin një vështirësi ose kur diçka nuk shkon siç duhet»,—thotë dr. Kerol Dueku. Ajo vazhdon: «Nëse prindërit duan t’u bëjnë fëmijëve një dhuratë, gjëja më e mirë që mund të bëjnë është t’i mësojnë të duan sfidat, të duan të mësojnë nga gabimet, të gjejnë kënaqësi te përpjekjet, të mundohen të gjejnë strategji të reja dhe të vazhdojnë të mësojnë. Në këtë mënyrë, fëmijët e tyre nuk do të jenë skllevër të dëshirës për lavdërime.» b
Parim nga Bibla: «Njeriu vihet në provë nga lëvdatat që merr.»—Proverbat 27:21.