NDIHMË PËR FAMILJEN
Kur pikëpamjet ndryshojnë
Ndryshimet në personalitet, zakone dhe interesa mund të jenë mjaft sfiduese për një çift. Por ka disa çështje, si ato më poshtë, që mund të jenë edhe më të vështira për t’u zgjidhur:
Sa kohë të kalojmë me të afërmit
Si t’i administrojmë paratë
A do të kemi fëmijë
Çfarë mund të bëni nëse pikëpamjet tuaja bien ndesh me njëra-tjetrën?
Çfarë duhet të dini?
Përputhshmëri nuk do të thotë të jeni identikë. Edhe çiftet që përputhen mjaft mirë nuk kanë gjithmonë të njëjtën pikëpamje, madje as për çështjet serioze.
«Jam rritur në një familje shumë të lidhur. Fundjavëve shkonim nga gjyshërit, xhaxhallarët, tezet e kushërinjtë për të kaluar kohë me ta. Ndërsa familja e bashkëshortit nuk ishte kështu. Prandaj nuk kemi të njëjtën pikëpamje për kohën që duhet të kalojmë me familjen dhe sa gjatë të flasim me të afërmit që jetojnë larg.»—Tamara.
«Ngaqë jemi rritur ndryshe, unë dhe gruaja kemi ide të ndryshme për mënyrën si duhet t’i shpenzojmë paratë. Në muajt e parë të martesës, kemi pasur disa mosmarrëveshje për këtë çështje. Vetëm pas disa bisedash, gjetëm zgjidhjen e problemit.»—Tajleri.
Zgjidhja e disa problemeve kërkon pak më shumë sakrifica. Për shembull, ç’të themi nëse një nga familjarët e bashkëshortit sëmuret dhe ka nevojë për përkujdesje? Po nëse njëri bashkëshort dëshiron të ketë fëmijë dhe tjetri jo? a
«Kemi diskutuar gjatë me gruan nëse do të kishim fëmijë apo jo. Sa më shumë e mendon, aq më shumë zmadhohet hendeku i pikëpamjeve tona. Nuk di si ta gjej gjuhën e përbashkët.»—Aleksi.
Pikëpamje të ndryshme nuk do të thonë dështim në martesë. Disa ekspertë thonë se, nëse ti dhe bashkëshorti nuk bini dot dakord për një çështje serioze, duhet të bëni çmos t’ju dalë e juaja, edhe nëse kjo do të thotë t’i jepni fund martesës. Ama kjo «zgjidhje» u jep tepër rëndësi ndjenjave dhe shumë pak betimit që keni bërë para Zotit: për të mos u ndarë nga bashkëshorti, të ndodhë ç’të ndodhë.
Ç’mund të bëni?
Jini të vendosur të nderoni betimin martesor. Me këtë në mendje, do të jeni në gjendje t’i zgjidhni problemet si skuadër dhe jo si kundërshtarë.
Parim nga Bibla: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.
Llogaritni koston. Për shembull, mendoni sikur njëri bashkëshort dëshiron të ketë fëmijë, ndërsa tjetri jo. Ka disa faktorë që duhen mbajtur parasysh. Ndër to mund të jenë:
Sa e fortë është martesa.
A mund ta përballojë martesa juaj stresin që shkakton rritja e një fëmije?
Përgjegjësia e të qënit prind.
Kjo nuk nënkupton vetëm sigurimin e ushqimit, veshjes dhe të strehimit.
Gjendja juaj financiare.
A do ta mbanit ekuilibrin mes punës, familjes dhe detyrimeve të tjera?
Parim nga Bibla: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet?»—Luka 14:28.
Shqyrtoni të gjitha anët e një çështjeje. Disa aspekte të çështjes për të cilën nuk bini dakord, mund edhe t’i zgjidhni. Për shembull, për çështjen e të pasurit fëmijë, bashkëshorti që nuk do, mund të pyesë veten:
«Kur them se nuk dua të kem fëmijë, e kam fjalën se nuk dua asnjëherë apo vetëm tani për tani?»
«Mos vallë hezitoj ngaqë dyshoj tek aftësitë e mia si prind?»
«A kam frikë se mos bashkëshorti do të më neglizhojë?»
Nga ana tjetër, bashkëshorti që dëshiron të ketë fëmijë mund t’i bëjë vetes këto pyetje:
«A jemi gati të përmbushim përgjegjësitë si prindër?»
«A i përballojmë dot shpenzimet e rritjes së fëmijës?»
Parim nga Bibla: «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.»—Jakovi 3:17.
Dallo të mirat e pikëpamjes së bashkëshortit. Dy njerëz mund të shohin të njëjtën panoramë e prapëseprapë të kenë këndvështrime të ndryshme. Ngjashëm, një çift mund jetë përballë një çështjeje dhe secili të ketë pikëpamjen e vet—për shembull, si duhen shpenzuar paratë. Kur diskutoni një argument për të cilin keni përplasje mendimesh, filloni nga gjërat e përbashkëta.
Ç’objektiva të ngjashme keni?
Ç’të mirë ka pikëpamja e secilit?
Për hir të martesës, a mundet që njëri prej jush ose të dy ta përshtatni këndvështrimin për të kënaqur tjetrin?
Parim nga Bibla: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit»—1 Korintasve 10:24.
a Çështjet serioze duhen diskutuar para martesës. Gjithsesi, do të lindin situata të paparashikuara dhe pikëpamjet e njërit mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.—Eklisiastiu 9:11.