Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët—Pjesa 1: Të lexojnë apo të shikojnë?

Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët—Pjesa 1: Të lexojnë apo të shikojnë?

 Çfarë preferojnë fëmijët e tu të bëjnë në kohën e lirë, të shohin video apo të lexojnë? Cila është zgjedhja e tyre e parë, smartphoni apo libri?

 Për dekada me radhë, libri ka hasur disa kundërshtarë—në fillim televizorin dhe më vonë median online kaq të përhapur. Xhein Hili shkroi kështu në librin e saj të vitit 1990 Endangered Minds: «Leximi në vetvete mund të jetë një fenomen drejt zhdukjes.»

 Në atë kohë, ky pohim mund të dukej paska i ekzagjeruar. Mirëpo sot, dekada më vonë, disa ekspertë të edukimit në vende ku teknologjia përdoret shumë, kanë vërejtur se, në përgjithësi, aftësia e të rinjve për të lexuar po merr të tatëpjetën.

Në këtë artikull

 Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët?

  •   Leximi zgjon imagjinatën. Për shembull, kur lexon një tregim a histori, si tingëllojnë zërat e personazheve? Si e përfytyron pamjen e tyre? Ku janë dhe si është ambienti? Shkrimtari jep disa të dhëna, por lexuesi duhet të përdorë imagjinatën që të plotësojë hollësitë që mungojnë.

     Një nënë që quhet Laura, thotë: «Kur shohim filma ose video, po shohim thjesht imagjinatën e dikujt tjetër. Kjo mund të jetë argëtuese, ama leximi të ofron një mundësi unike: t’u japësh jetë fjalëve të dikujt tjetër në mendjen tënde.»

  •   Leximi i ndihmon fëmijët të zhvillojnë karakterin. Ndërsa lexojnë, fëmijët zhvillojnë aftësinë për të arsyetuar mbi problemet dhe për t’i zgjidhur. Gjithashtu, që të lexojnë, fëmijët duhet të përqendrohen. Kjo i ndihmon të zhvillojnë cilësi të tilla, si durimin, vetëkontrollin dhe empatinë.

     Empatinë? Po. Disa studiues besojnë se ndërsa fëmija lexon me ngadalë dhe me kujdes një tregim, kjo e ndihmon të përfytyrojë dhe të përjetojë ndjenjat e personazheve për të cilat lexon. Si rezultat, kjo e ndihmon të shfaqë empati për njerëzit që takon në jetën e përditshme.

  •   Leximi i nxit të mendojnë thellë. Lexuesit e kujdesshëm ecin me ritmin e tyre, ndonjëherë madje edhe i rikthehen një fragmenti kur e kanë të nevojshme, që të ndjekin vijën logjike të autorit. Teksa veprojnë kështu, ka më shumë të ngjarë të kujtojnë atë që lexojnë dhe të nxjerrin dobi prej saj.—1 Timoteut 4:15.

     Një baba që quhet Xhozef, vëren: «Kur lexon, është më e lehtë të mendosh thellë për kuptimin e një pohimi, ta lidhësh me informacione që tashmë di dhe të nxjerrësh mësime prej tij. Jo gjithmonë media vizive të nxit t’i mendosh thellë gjërat.»

 Përfundimi: Edhe pse videot dhe mediat e tjera vizive kanë vendin e vet, fëmijët mund të humbin diçka të rëndësishme nëse i lënë pak hapësirë leximit në jetën e tyre.

 Si t’i nxitësh fëmijët të lexojnë

  •   Fillo që në moshë të njomë. Kloe, nënë e dy djemve, thotë: «U lexonim fëmijëve që kur ishin ende në bark, dhe e vazhduam këtë zakon edhe pasi lindën. Jemi të kënaqur që i kushtuam rëndësi leximit. Me kalimin e kohës, leximi—qoftë edhe për kënaqësi—u bë pjesë e jetës së tyre.»

     Parim nga Bibla: «Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta.»—2 Timoteut 3:15.

  •   Krijo një ambient që favorizon leximin. Këtë mund ta bësh duke lënë materiale për të lexuar në një vend të dukshëm dhe të arritshëm. Tamara, nënë e katër fëmijëve, sugjeron këtë: «Gjej libra që do t’u pëlqejnë fëmijëve dhe vendosi pranë krevatit të tyre.»

     Parim nga Bibla: «Stërvite fëmijën në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6, shënimi.

  •   Vendos kufij për përdorimin e internetit. Një baba që quhet Daniel, sugjeron që familja të kalojë një mbrëmje pa pajisje elektronike. Ai thotë: «Edhe pse bëhej fjalë vetëm për një mbrëmje në javë, kalonim një mbrëmje të qetë pa televizor. E shfrytëzonim atë kohë për të lexuar, qoftë bashkë, qoftë veç e veç.»

     Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.

  •   Lër shembullin. Kerina, nënë e dy vajzave, sugjeron këtë: «Me mënyrën si u lexon fëmijëve dhe me entuziazmin tënd jepu jetë tregimeve. Nëse ti e do leximin, edhe fëmijët e tu mund ta duan.»

     Parim nga Bibla: «Vazhdo t’i kushtohesh leximit publik.»—1 Timoteut 4:13.

 Jo të gjithë fëmijët do të bëhen aq të apasionuar pas leximit. Megjithatë, nxitja jote mund t’u japë motivimin që u duhet. Davidi, baba i dy vajzave, shkoi një hap më tutje. Ai thotë: «Lexoja materialet që lexonin vajzat e mia. Kjo më ndihmoi të kuptoja çfarë u interesonte dhe na jepte argumente për t’i biseduar së bashku. Kishim krijuar grupin tonë të vogël të leximit dhe kënaqeshim jashtë mase.»