NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Si të jesh baba i mirë
Në këtë artikull
Ç’rol ka babai?
Para se të lindë fëmija. Lloji i bashkëshortit që je sot, është tregues i llojit të babait që do të jesh nesër. Një libër (Do Fathers Matter?) thotë:
«Një baba që e ndihmon partneren e vet shtatzënë të bëjë pazarin, që e shoqëron te mjeku, që sheh fetusin gjatë ekografisë ose që dëgjon rrahjet e tij të zemrës, ka më tepër të ngjarë të lidhet më ngushtë me partneren dhe me fëmijën pasi të lindë.»
«Nuk doja që ime shoqe të ndihej e vetme gjatë shtatzënisë, ndaj bëja gjithçka që ta ndihmoja. Madje rregulluam bashkë dhomën e bebit. Për të dy ishte kohë speciale ndërsa përgatiteshim të pritnim vogëlushin tonë.»—Xhejmsi.
Parim nga Bibla: ‘Mos kërkoni vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.’—Filipianëve 2:4.
Pasi lind fëmija. Mund të krijosh një lidhje më të afërt me foshnjën kur luan me të dhe e mban në krahë. Bëj çmos të kujdesesh për të. Kontributi yt si baba është shumë domethënës në zhvillimin e fëmijës. Lidhja që krijon me fëmijën, tregon sa i çmuar është për ty.
«Bëhu si fëmijë. Luaj me të. Bëj gjëra për të qeshur. Mos ji tepër serioz. Mos harro se ti si prind je i pari që i mëson fëmijës se ç’është dashuria.»—Riçardi.
Parim nga Bibla: «Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai, po, një dhuratë nga Perëndia.»—Psalmi 127:3.
Ndërsa fëmija rritet. Studimet tregojnë se fëmijët që kanë një marrëdhënie të ngushtë me baballarët, janë nxënës më të mirë, kanë më pak probleme emocionale dhe kanë më pak të ngjarë të abuzojnë me drogën e të kryejnë krime. Lër kohën e nevojshme që të zhvillosh një marrëdhënie të mirë me fëmijën.
«Kur im bir shkoi të jetonte më vete, më tha se gjëja që do t’i mungonte më shumë, ishin muhabetet gjatë udhëtimeve të gjata ose darkave. Disa nga bisedat tona më të rëndësishme, janë hapur krejt rastësisht dhe kjo ka ndodhur vetëm ngaqë kalonim shumë kohë bashkë.»—Denisi.
Parim nga Bibla: «Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.»—Efesianëve 5:15, 16.
Roli unik i babait
Në përgjithësi, babai është parë si personi që i siguron familjes gjërat materiale dhe e mbron, ndërsa nëna si ajo që plotëson anën emocionale të familjes, meqë është më e ndjeshme nga natyra. (Ligji i përtërirë 1:31; Isaia 49:15) Këto role mund të ndërthuren me njëri-tjetrin, dhe, në disa familje, kjo bie më shumë në sy. Gjithsesi, studimet thonë se si babai, si mamaja luajnë një rol unik në rritjen e fëmijëve. a
Një eksperte për çështjet e familjes, Xhudit Uolërstaini, tregon një histori të vetën, që e ilustron më së miri pikën. Ajo shkruan: «Kur vajzën time 12-vjeçare e përplasi makina, ajo donte që i ati ta shoqëronte në spital me ambulancë, sepse kishte shumë besim se ai do ta mbronte në atë situatë. Pastaj, në spital, më donte mua gjithë ditën te koka, që ta ngushëlloja.» b
«Babai i jep njëfarë stabiliteti dhe mbrojtjeje familjes, gjëra që një mama e ka të vështirë t’i sigurojë e vetme. Në të njëjtën kohë, nëna i ndihmon fëmijët të ndiejnë se prindërit i duan dhe i kuptojnë, ndërsa i dëgjon me empati. Të dy punojnë si skuadër.»—Danieli.
Parim nga Bibla: «Biri im, vërja veshin disiplinës së atit tënd, dhe mos i braktis mësimet e nënës sate.»—Proverbat 1:8.
Baballarët dhe vajzat
Si baba, mund t’i mësosh vajzës si meritojnë të trajtohen gratë. Ajo e mëson këtë në dy mënyra:
Sheh si e trajton të ëmën. Kur ti e do dhe e respekton bashkëshorten, jot bijë mëson se cilat cilësi të rëndësishme duhet të kërkojë te një bashkëshort në të ardhmen.—1 Pjetrit 3:7.
Sheh si e trajton atë vetë. Kur e respekton vajzën, i mëson të respektojë veten. Në këtë mënyrë, ajo mëson se edhe meshkujt e tjerë duhet ta trajtojnë po njësoj.
Në kontrast me këtë, kritikat e vazhdueshme i dëmtojnë respektin për veten dhe mund ta nxitin vajzën të kërkojë miratimin e meshkujve të tjerë, të cilët mund të kenë qëllime të këqija.
«Një vajzë që ndien dashurinë dhe mbështetjen e të atit, ka më pak të ngjarë të dashurohet me një burrë që nuk i ka cilësitë e duhura të një bashkëshorti të mirë.»—Uejni.