A vdiq në kryq Jezui?
Përgjigjja e Biblës
Sipas shumë njerëzve, kryqi është simboli tipik i krishterimit. Por, Bibla nuk e përshkruan mjetin ku vdiq Jezui, prandaj askush nuk mund ta dijë me siguri të plotë çfarë forme kishte. Prapëseprapë, në Bibël gjejmë prova se Jezui nuk vdiq në një kryq, por në një shtyllë të drejtë.
Kur flet për mjetin ku u ekzekutua Jezui, Bibla në përgjithësi përdor fjalën greke staurós. (Mateu 27:40; Gjoni 19:17) Megjithëse përkthime të ndryshme shpesh këtë fjalë e përkthejnë «kryq», shumë studiues e pranojnë se kuptimi i saj bazë është «shtyllë e drejtë». a Sipas një vepre, fjala staurós «në asnjë rast nuk nënkupton dy copa druri të bashkuara me njëra tjetrën në ndonjë lloj këndi».—A Critical Lexicon and Concordance to the English and Greek New Testament.
Bibla përdor edhe fjalën greke ksílon si sinonim për fjalën staurós. (Veprat 5:30; 1 Pjetrit 2:24) Ajo do të thotë «dru», «hu», «shtyllë» ose «pemë». b Prandaj botimi The Companion Bible arrin në përfundimin: «Në greqishten e [Besëlidhjes së Re] nuk ka asgjë që të lërë të nënkuptohen dy copa druri.»
A e pranon Perëndia përdorimin e kryqit në adhurim?
Pavarësisht nga forma që kishte mjeti ku vdiq Jezui, faktet e mëposhtme dhe vargjet biblike tregojnë se nuk duhet ta përdorim kryqin në adhurim.
Perëndia nuk e pranon adhurimin ku përdoren shëmbëlltyra ose simbole, përfshirë kryqin. Perëndia i urdhëroi izraelitët që të mos përdornin «formën e ndonjë simboli» në adhurimin e tyre. Edhe të krishterët u nxitën ‘të iknin nga idhujtaria’.—Ligji i përtërirë 4:15-19; 1 Korintasve 10:14.
Të krishterët e shekullit të parë nuk e përdornin kryqin në adhurim. c Mësimet dhe shembulli i apostujve lanë një model që të gjithë të krishterët duhet ta ndjekin.—2 Selanikasve 2:15.
Përdorimi i kryqit në adhurim ka origjinë pagane. d Qindra vjet pas vdekjes së Jezuit, kur kishat kishin devijuar nga mësimet e tij, pjesëtarëve të rinj të kishës «u lejohej në një masë të madhe të mbanin shenjat dhe simbolet e veta pagane», përfshirë kryqin. (The Expanded Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words) Megjithatë, Bibla nuk e toleron përvetësimin e simboleve pagane për të tërhequr sa më shumë njerëz në një fe.—2 Korintasve 6:17.
a Shih New Bible Dictionary, botimi i tretë, rishikuar nga D. R. U. Udi, faqja 245; Theological Dictionary of the New Testament, vëllimi VII, faqja 572; The International Standard Bible Encyclopedia, botimi i rishikuar, vëllimi 1, faqja 825 dhe The Imperial Bible-Dictionary, vëllimi II, faqja 84.
b Shih The Expanded Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words, faqja 1165; A Greek-English Lexicon, nga Lidëll dhe Skot, botimi i nëntë, faqet 1191-1192 dhe Theological Dictionary of the New Testament, vëllimi V, faqja 37.
c Shih Encyclopædia Britannica, 2003, zëri «Kryqi»; The Cross—Its History and Symbolism, faqja 40 dhe The Companion Bible, Oxford University Press, shtojca 162, faqja 186.
d Shih The Encyclopedia of Religion, vëllimi 4, faqja 165; The Encyclopedia Americana, vëllimi 8, faqja 246; dhe Symbols Around Us, faqet 205-207.