Çfarë thotë Bibla për agjërimin?
Përgjigjja e Biblës
Në kohët biblike Perëndia e pranonte agjërimin kur bëhej me motivin e duhur. Ama, kur arsyet ishin të gabuara, Ai nuk e miratonte. Megjithatë, Bibla as i urdhëron e as i ndalon sot njerëzit të agjërojnë.
Në cilat rrethana agjëruan disa që përmend Bibla?
Kur kërkonin ndihmë dhe drejtim nga Perëndia. Njerëzit që po udhëtonin për në Jerusalem agjëruan për të treguar se kërkesa e tyre për ndihmë drejtuar Perëndisë, ishte e sinqertë. (Ezdra 8:21-23) Me raste, Pavli dhe Barnaba vendosën të agjëronin kur emëruan pleq kongregacioni.—Veprat 14:23.
Kur përqendroheshin te qëllimi i Perëndisë. Jezui agjëroi për 40 ditë pas pagëzimit që të përgatitej për të kryer vullnetin e Perëndisë gjatë shërbimit që do të niste.—Luka 4:1, 2.
Kur shfaqnin pendim për mëkatet e së kaluarës. Me anë të profetit Joel, Perëndia u tha izraelitëve jobesnikë: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me të qara e me vaje.»—Joeli 2:12-15.
Kur kremtonin Ditën e Shlyerjes. Në Ligjin që Perëndia i dha kombit të Izraelit përfshiu urdhërimin për të agjëruar në Ditën e Shlyerjes a që mbahej çdo vit. (Levitiku 16:29-31) Në këtë rast, agjërimi ishte i përshtatshëm pasi u kujtonte izraelitëve se ishin të papërsosur dhe se kishin nevojë për faljen e Perëndisë.
Cilat janë disa arsye të papërshtatshme për të agjëruar?
Që t’u bësh përshtypje të tjerëve. Jezui mësoi se agjërimi fetar duhej të ishte diçka personale mes një individi dhe Perëndisë.—Mateu 6:16-18.
Që të tregosh se je i drejtë. Agjërimi nuk e bën dikë më të moralshëm a me besim më të fortë se të tjerët.—Luka 18:9-14.
Që të përpiqesh të kompensosh praktikimin e qëllimshëm të mëkatit. (Isaia 58:3, 4) Perëndia e pranonte agjërimin vetëm kur shoqërohej me bindje dhe pendim nga zemra për mëkatet e kryera.
Që të kryesh një formalitet fetar. (Isaia 58:5-7) Në këtë aspekt, Perëndia i ngjan një prindi i cili nuk kënaqet fare kur fëmijët i shprehin dashuri të nxitur vetëm nga ndjenja e detyrës, jo nga zemra.
A u kërkohet të krishterëve të agjërojnë?
Jo. Perëndia u kërkoi izraelitëve të agjëronin në Ditën e Shlyerjes, ama ky kremtim u hoq pasi Jezui shleu njëherë e përgjithmonë mëkatet e njerëzve të penduar. (Hebrenjve 9:24-26; 1 Pjetrit 3:18) Të krishterët nuk janë më nën detyrimin e Ligjit të Moisiut ku përfshihej Dita e Shlyerjes. (Romakëve 10:4; Kolosianëve 2:13, 14) Ja pse çdo i krishterë mund të vendosë vetë nëse do të agjërojë.—Romakëve 14:1-4.
Të krishterët e kuptojnë se agjërimi nuk është qendra e adhurimit të tyre. Gjithashtu, Bibla nuk e lidh kurrë agjërimin me lumturinë. Në kontrast me këtë, adhurimi i vërtetë i krishterë karakterizohet nga gëzimi, duke pasqyruar kështu personalitetin e Jehovait, «Perëndisë së lumtur».—1 Timoteut 1:11; Eklisiastiu 3:12, 13; Galatasve 5:22.
Ide të gabuara rreth pikëpamjes së Biblës për agjërimin
Ide e gabuar: Apostulli Pavël u rekomandoi çifteve të martuara të agjëronin.—1 Korintasve 7:5, Diodati i Ri.
Fakt: Dorëshkrimet më të vjetra të Biblës nuk e përmendin agjërimin te 1 Korintasve 7:5. b Me sa duket, kopistët e Biblës e shtuan më vonë fjalën agjërim jo vetëm te ky varg, por edhe te Mateu 17:21, te Marku 9:29 dhe te Veprat 10:30. Shumica e përkthimeve të sotme të Biblës i kanë hequr këto referime të pavërteta për agjërimin.
Ide e gabuar: Të krishterët duhet të agjërojnë në kujtim të agjërimit 40-ditor të Jezuit në shkretëtirë pas pagëzimit.
Fakt: Jezui nuk urdhëroi kurrë një agjërim të tillë dhe në Shkrime nuk thuhet askund që të krishterët e hershëm ta kenë mbajtur këtë rast. c
Ide e gabuar: Të krishterët duhet të agjërojnë kur përkujtojnë vdekjen e Jezuit.
Fakt: Jezui nuk i urdhëroi dishepujt të agjëronin kur të përkujtonin vdekjen e tij. (Luka 22:14-18) Edhe pse Jezui tha se dishepujt do të agjëronin kur të vdiste, ai nuk po nxirrte një urdhër; thjesht po tregonte atë që do të ndodhte. (Mateu 9:15) Bibla i udhëzoi të krishterët që ishin të uritur, të hanin në shtëpitë e tyre para se të kremtonin Përkujtimin e vdekjes së Jezuit.—1 Korintasve 11:33, 34.
a Perëndia u tha izraelitëve se ‘duhej të mundonin shpirtin e tyre’ në Ditën e Shlyerjes. (Levitiku 16:29, 31) Kjo shprehje mendohet se ka të bëjë me agjërimin. (Isaia 58:3) Ja pse Bibla Contemporary English Version e përkthen kështu vargun: «Duhet të shkoni pa ngrënë në shenjë keqardhjeje për mëkatet tuaja.»
b Shih A Textual Commentary on the Greek New Testament, botimi i tretë, faqja 554, nga Brus Metsgëri.
c Në lidhje me historinë e agjërimit 40-ditor gjatë kreshmëve, New Catholic Encyclopedia pohon: «Gjatë tre shekujve të parë, periudha e agjërimit para festës së pashkës nuk zgjaste më shumë se një javë; zakonisht zgjaste një ose dy ditë. . . . Për herë të parë periudha 40-ditore përmendet te kanoni i pestë i Këshillit të Nicesë (325), ndonëse disa studiues dyshojnë nëse kjo u referohet vërtet Kreshmëve.»—Botimi i dytë, vëllimi 8, faqja 468.