Kur filloi Zoti të krijonte universin?
Përgjigjja e Biblës
Bibla nuk tregon kur filloi dhe sa kohë zgjati krijimi i universit. Thjesht thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Bibla nuk e specifikon kur ndodhi ky «fillim». Por, sipas rendit të ngjarjeve në librin e Zanafillës, universi u krijua përpara se të fillonin gjashtë «ditët» ose periudhat e krijimit.
A ishin ditët e krijimit ditë të mirëfillta 24-orëshe?
Jo. Në Bibël, fjala «ditë» mund të nënkuptojë periudha të ndryshme kohore, në varësi të kontekstit. Për shembull, te Zanafilla 2:4, i gjithë aktiviteti krijues prej 6 ditësh, përshkruhet sikur të kishte ndodhur në një «ditë» të vetme.
Çfarë ndodhi gjatë 6 ditëve të krijimit?
Perëndia e transformoi tokën, e cila ishte «pa formë dhe e shkretë», në një planet të banueshëm. (Zanafilla 1:2) Pastaj krijoi jetën në tokë. Bibla përshkruan atë që ndodhi gjatë 6 ditëve ose epokave të krijimit:
Dita e parë: Perëndia bëri që drita të arrinte sipërfaqen e tokës, e si pasojë u krijuan ciklet natë-ditë.—Zanafilla 1:3-5.
Dita e dytë: Perëndia krijoi një hapësirë ose një ndarje mes ujërave që ishin në sipërfaqe të tokës dhe ujërave që ishin sipër saj.—Zanafilla 1:6-8.
Dita e tretë: Perëndia bëri që të shfaqej dheu ose toka e thatë, si edhe bimësia.—Zanafilla 1:9-13.
Dita e katërt: Perëndia bëri që dielli, hëna dhe yjet të bëheshin të dukshme nga sipërfaqja e tokës.—Zanafilla 1:14-19.
Dita e pestë: Perëndia krijoi krijesat ujore dhe fluturuese.—Zanafilla 1:20-23.
Dita e gjashtë: Perëndia krijoi kafshët e tokës dhe njerëzit.—Zanafilla 1:24-31.
Kur mbaroi dita e gjashtë, Perëndia filloi të pushonte nga gjithë puna që kishte bërë, d.m.th. ndali veprën krijuese.—Zanafilla 2:1, 2.
A përputhet tregimi i Zanafillës me zbulimet shkencore?
Tregimi i Biblës për krijimin e botës nuk është një analizë e detajuar shkencore. Përkundrazi, krijimi përshkruhet në një mënyrë që lexuesit, edhe në kohët e Biblës, mund të kuptonin lehtësisht sekuencën e ngjarjeve. Tregimi i Biblës për krijimin nuk bie në kontradiktë me faktet shkencore. Astrofizikani Robert Xhestrou shkruan: «Detajet ndryshojnë, por, si astronomia, edhe tregimi i Biblës, përmbajnë të njëjtin element thelbësor: zinxhiri i ngjarjeve që çojnë tek ekzistenca e njeriut, filloi papritmas dhe shpejt, në një moment të caktuar në kohë.»
Kur u krijuan dielli, hëna dhe yjet?
Dielli, hëna dhe yjet tashmë ekzistonin si pjesë e ‘qiejve’ që u krijuan «në fillim». (Zanafilla 1:1) Mirëpo duket se drita nuk depërtonte në sipërfaqe të tokës, si pasojë e atmosferës së dendur. (Zanafilla 1:2) Edhe pse një dritë jo shumë e fortë u bë e dukshme ditën e parë, ishte e pamundur të përcaktohej nga vinte. Me sa duket, ditën e katërt atmosfera u qartësua. Bibla thotë se tani dielli, hëna dhe yjet filluan «të ndriçonin tokën», siç duket nga këndvështrimi i një njeriu në tokë.—Zanafilla 1:17.
Cila është mosha e tokës sipas Biblës?
Bibla nuk thotë gjë për moshën e tokës. Zanafilla 1:1 thjesht thotë që universi fizik, ku përfshihet toka, pati një fillim. Tregimi i Biblës për krijimin nuk bie ndesh as me parimet shkencore, as me përllogaritjet e shkencëtarëve për moshën e tokës.