Çfarë është liqeni i zjarrit? A është i njëjtë me ferrin ose Gehenën?
Përgjigjja e Biblës
Liqeni i zjarrit është simbol i shkatërrimit të përjetshëm. Është i njëjtë me Gehenën, por ndryshon nga ferri, i cili është varri i përbashkët i njerëzimit.
Nuk është një liqen i mirëfilltë
Të pesë vargjet e Biblës që e përmendin «liqenin e zjarrit», e paraqesin me kuptim simbolik dhe jo si liqen të mirëfilltë. (Zbulesa 19:20; 20:10, 14, 15; 21:8) Në liqenin e zjarrit hidhen:
Djalli. (Zbulesa 20:10) Si një krijesë frymore e padukshme, Djallin nuk mund ta dëmtojë zjarri i mirëfilltë.—Dalja 3:2; Gjykatësit 13:20.
Vdekja. (Zbulesa 20:14) Nuk është një qenie e mirëfilltë, por përfaqëson një gjendje mosekzistence, mungesën e jetës. (Eklisiastiu 9:10) Vdekja nuk mund të digjet në kuptimin e mirëfilltë.
«Bisha» dhe «profeti i rremë». (Zbulesa 19:20) Meqë këta kanë kuptim simbolik, a nuk duket e arsyeshme që të nxjerrim përfundimin se edhe liqeni ku hidhen të ketë kuptim simbolik?—Zbulesa 13:11, 12; 16:13.
Simbol i shkatërrimit të përjetshëm
Bibla thotë se liqeni i zjarrit «do të thotë vdekje e dytë». (Zbulesa 20:14; 21:8) Lloji i parë i vdekjes që përmend Bibla, erdhi si pasojë e mëkatit të Adamit. Kjo vdekje mund të zhbëhet me anë të ringjalljes, dhe në fund Perëndia do ta zhdukë.—1 Korintasve 15:21, 22, 26.
Nuk ka çlirim nga liqeni simbolik i zjarrit
Liqeni i zjarrit përfaqëson një lloj të dytë të vdekjes, e cila ndryshon nga e para. Megjithëse edhe kjo përfaqëson një gjendje mosekzistence të plotë, ndryshimi është se Bibla nuk thotë gjë se ka ringjallje pas vdekjes së dytë. Për shembull, Bibla thotë se Jezui ka «çelësat e ferrit dhe të vdekjes», duke treguar se ka autoritet t’i çlirojë njerëzit nga vdekja që solli mëkati i Adamit. (Zbulesa 1:18; 20:13, King James Version) Gjithsesi, as Jezui dhe as dikush tjetër nuk ka çelës të liqenit të zjarrit. Ky liqen simbolik përfaqëson ndëshkim të përjetshëm në formën e shkatërrimit të përhershëm.—2 Selanikasve 1:9.
Identik me Gehenën, luginën e Hinomit
Gehena (greqisht géena) përmendet 12 herë në Bibël. Ashtu si liqeni i zjarrit, ajo është simbol i shkatërrimit të përjetshëm. Megjithëse disa versione e përkthejnë këtë fjalë «ferr», Gehena ndryshon nga ferri (hebraisht shéohl, greqisht Háides).
Termi «Gehenë» fjalë për fjalë do të thotë «lugina e Hinomit», dhe i referohet një lugine jashtë Jerusalemit. Në kohët biblike, banorët e qytetit grumbullonin plehrat në këtë luginë. Ata e mbanin zjarrin të pashuar që të asgjësonin plehrat; krimbat konsumonin gjithçka që i shpëtonte zjarrit.
Jezui e përdori Gehenën si simbol të shkatërrimit të përhershëm. (Mateu 23:33) Ai tha se në Gehenë «krimbat nuk ngordhin dhe zjarri nuk shuhet». (Marku 9:47, 48) Kështu, ai po u referohej në mënyrë të tërthortë kushteve të luginës së Hinomit dhe profecisë tek Isaia 66:24, e cila thotë: «Ata do të dalin e do të shohin kufomat e atyre që kryenin shkelje kundër meje. Krimbat që kanë zënë, nuk do të ngordhin, dhe zjarri që i djeg nuk do të shuhet.» Ilustrimi i Jezuit nuk përshkruan torturë, por asgjësim të plotë. Krimbat dhe zjarri konsumojnë kufomat, ose trupat e vdekur, jo njerëzit e gjallë.
Bibla nuk thotë fare se mund të kthehesh nga Gehena. Si «liqeni i zjarrit», edhe ‘Gehena e zjarrtë’ përfaqësojnë shkatërrim të përhershëm.—Zbulesa 20:14, 15; 21:8; Mateu 18:9.
Pse thotë Bibla se «do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve»?
Nëse liqeni i zjarrit është simbol i shkatërrimit, pse thotë Bibla se aty, Djalli, bisha dhe profeti i rremë «do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve»? (Zbulesa 20:10) Shqyrto katër arsye pse ky mundim nuk i referohet torturës së mirëfilltë:
Që Djalli të torturohet përjetësisht, duhet që të jetojë përgjithmonë. Megjithatë, Bibla thotë se ai do të asgjësohet, pra nuk do të ekzistojë më.—Hebrenjve 2:14.
Jeta e përhershme është dhuratë nga Perëndia, jo ndëshkim.—Romakëve 6:23.
Bisha dhe profeti i rremë janë simbole dhe nuk mund të torturohen në kuptimin e mirëfilltë.
Konteksti i Biblës tregon se mundimi i Djallit është kufizim i përhershëm në vdekje, që nënkupton shkatërrim të përhershëm.
Fjala «mundim» në Bibël mund të nënkuptojë edhe «një gjendje kufizimi». Për shembull, fjala greke që përkthehet «mundues» te Mateu 18:34, në shumë versione është përkthyer ‘roja burgu’, duke treguar lidhjen mes fjalëve «mundim» dhe «kufizim». Në mënyrë të ngjashme, tregimet paralele te Mateu 8:29 dhe te Luka 8:30, 31 e baraspeshojnë «mundimin» me ‘humnerën’, që është një vend i figurshëm i një mosekzistence të plotë ose i vdekjes. (Romakëve 10:7; Zbulesa 20:1, 3) Në fakt, Libri i Zbulesës e përdor disa herë fjalën «mundim» në kuptimin simbolik.—Zbulesa 9:5; 11:10; 18:7, 10.