Kalo te përmbajtja

Çfarë do të thotë të jesh «samaritan i mirë»?

Çfarë do të thotë të jesh «samaritan i mirë»?

Përgjigjja e Biblës

Shprehja «samaritan i mirë» zakonisht është përdorur për të përshkruar dikë që vepron për të ndihmuar ata në nevojë. Termi e ka origjinën nga një histori, ose ilustrim, që tha Jezui për të treguar se një njeri i mirë i ndihmon të tjerët me dhembshuri, pavarësisht nga kombësia apo prejardhja.

Në këtë artikull

 Si është historia e «samaritanit të mirë»?

Me pak fjalë, kjo është historia që tregoi Jezui: një burrë jude po udhëtonte nga Jerusalemi për në Jeriko. Rrugës e grabitën, e rrahën dhe e lanë thuajse të vdekur.

Aty pranë kaloi edhe një prift jude dhe, pak më vonë, një udhëheqës fetar jude. Edhe pse kishin të njëjtën kombësi si udhëtari i plagosur, asnjëri nuk ndaloi që ta ndihmonte.

Në fund aty kaloi edhe një burrë që i përkiste një kombësie tjetër. Ai ishte samaritan. (Luka 10:33; 17:16-18) I nxitur nga mëshira, samaritani ia mjekoi plagët të plagosurit. Pastaj e çoi në një han ku u kujdes për të gjatë gjithë natës. Të nesërmen pagoi hanxhiun që të kujdesej për të dhe i tha se, po të lindte nevoja për ndonjë shpenzim shtesë, do ta mbulonte ai.—Luka 10:30-35.

 Pse e bëri këtë ilustrim Jezui?

Jezui ia tregoi këtë histori një burri jude që mendonte se të afërm quhen vetëm ata që i përkasin racës dhe fesë së tij. Jezui donte t’i jepte një mësim me vlerë: ai duhej të kuptonte se «të afërm» nuk ishin vetëm judenjtë. (Luka 10:36, 37) Ky tregim u përfshi në Bibël, në mënyrë që kushdo që ka dëshirë t’i pëlqejë Perëndisë, të mësojë diçka me rëndësi.—2 Timoteut 3:16, 17.

 Ç’mësojmë nga ky ilustrim?

Historia na mëson se një i afërm i mirë e tregon me vepra dhembshurinë. Ai ose ajo reagon ndaj nevojave të personit që vuan—pavarësisht nga prejardhja, raca ose kombësia e tjetrit. Një i afërm i sinqertë i trajton të tjerët ashtu si do të dëshironte ta trajtonin atë vetë.—Mateu 7:12.

 Cilët ishin samaritanët?

Samaritanët jetonin në veri të Judesë dhe disa prej tyre vinin nga martesat mes judenjve dhe atyre që nuk ishin judenj.

Në shekullin 1 të e.s., samaritanët kishin formuar fenë e tyre. Pranonin 5 librat e parë të Shkrimeve Hebraike, por zakonisht e hidhnin poshtë pjesën tjetër të këtyre shkrimeve.

Shumë judenj në ditët e Jezuit i përbuznin samaritanët dhe i shmangnin. (Gjoni 4:9) Disa judenj e përdornin termin «samaritan» si ofendim.—Gjoni 8:48.

 A ka ndodhur vërtet historia e «samaritanit të mirë»?

Shkrimet nuk tregojnë nëse ilustrimi me samaritanin ishte bazuar në një ngjarje reale. Gjithsesi, teksa mësonte të tjerët, Jezui përmendte shpesh zakone dhe vendndodhje të njohura, që dëgjuesit ta kapnin kollaj pikën.

Shumë detaje të ilustrimit janë të sakta nga ana historike. Për shembull:

  • Rruga nga Jerusalemi për në Jeriko—mbi 20 kilometra e gjatë—kishte një pjerrësi prej 1 kilometër. Tregimi është i saktë kur thotë se udhëtarët që udhëtonin drejt Jerikosë, ‘zbrisnin nga Jerusalemi’.—Luka 10:30.

  • Priftërinjtë dhe levitët që jetonin në Jeriko, udhëtonin rregullisht për në Jerusalem nëpërmjet kësaj rruge.

  • Kusarët fshiheshin shpesh nëpër këtë rrugë të izoluar, duke shpresuar të sulmonin udhëtarët e pavëmendshëm, sidomos ata që udhëtonin vetëm.