A e ka parë njeri Zotin?
Përgjigjja e Biblës
Asnjë nuk e ka parë Perëndinë në kuptimin e mirëfilltë. (Dalja 33:20; Gjoni 1:18; 1 Gjonit 4:12) Bibla thotë se «Perëndia është Frymë», formë jete e padukshme për sytë e njerëzve.—Gjoni 4:24; 1 Timoteut 1:17.
Engjëjt mund ta shohin drejtpërdrejt Perëndinë, sepse janë krijesa frymore. (Mateu 18:10) Për më tepër, disa njerëz që vdesin do të ngrihen në jetë në qiell me një trup frymor dhe më pas do ta shohin Perëndinë.—Filipianëve 3:20, 21; 1 Gjonit 3:2.
Si mund «ta shohim» Zotin sot?
Bibla e përdor shpesh në kuptim të figurshëm idenë e të parit për t’iu referuar kuptueshmërisë. (Isaia 6:10; Jeremia 5:21; Gjoni 9:39-41) Në këtë kuptim një person mund ta shohë sot Zotin me «sytë e zemrës», nëpërmjet besimit, që ta njohë dhe të vlerësojë cilësitë e Tij. (Efesianëve 1:18) Bibla na tregon disa hapa si ta ndërtojmë këtë lloj besimi.
Mëso nëpërmjet krijimit për cilësitë e Perëndisë, si dashurinë, bujarinë, mençurinë dhe fuqinë e tij. (Romakëve 1:20) Kur kujtoi veprat e Tij krijuese, besnikut Job iu duk sikur e kishte Perëndinë përpara syve.—Jobi 42:5.
Njihe Perëndinë duke studiuar Biblën. Bibla na siguron: «Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh».—1 Kronikave 28:9; Psalmi 119:2; Gjoni 17:3.
Mëso për Zotin nga jeta e Jezuit. Meqë e pasqyroi me përsosmëri personalitetin e Atit, Perëndisë Jehova, Jezui me të drejtë mund të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:9.
Jeto ashtu si i pëlqen Perëndisë dhe shih si do të të ndihmojë ai. Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar, sepse do të shohin Perëndinë!» Siç u tha më lart, disa që e kënaqin Zotin do të ringjallen në qiell dhe atje «do të shohin Perëndinë».—Mateu 5:8; Psalmi 11:7.
A nuk thotë Bibla se Moisiu, Abrahami dhe të tjerë e panë Perëndinë?
Në tregimet e Biblës ku duket se njerëzit e panë Zotin në kuptimin e mirëfilltë, konteksti tregon se Perëndia u përfaqësua nga një engjëll ose u shfaq me anë të një vegimi.
Engjëjt.
Në lashtësi, Perëndia dërgoi engjëj si përfaqësues që t’u shfaqeshin njerëzve e të flitnin në emër të tij. (Psalmi 103:20) Për shembull, në një rast Zoti foli me Moisiun nga një kaçubë që digjej dhe Bibla thotë se «Moisiu fshehu fytyrën, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë e vërtetë». (Dalja 3:4, 6) Por Moisiu nuk e pa në kuptimin e mirëfilltë Zotin, sepse konteksti tregon se në fakt ai pa ‘engjëllin e Jehovait’.—Dalja 3:2.
Po njësoj, kur Bibla thotë se Zoti «i fliste Moisiut sy për sy», nënkupton se kishin një marrëdhënie të ngushtë me njëri-tjetrin. (Dalja 4:10, 11; 33:11) Në të vërtetë, Moisiu nuk e pa fytyrën e Zotit, pasi informacioni që mori nga Perëndia «u përcoll me anë të engjëjve». (Galatasve 3:19; Veprat 7:53) Prapëseprapë, ai kishte një besim kaq të fortë te Perëndia, saqë në Bibël përshkruhet si «të shihte Atë që është i padukshëm».—Hebrenjve 11:27.
Siç foli me Moisiun, Zoti komunikoi edhe me Abrahamin me anë të engjëjve. Një lexim sipërfaqësor i Biblës mund të lërë përshtypjen se Abrahami e pa Perëndinë në kuptimin e mirëfilltë. (Zanafilla 18:1, 33) Ama konteksti tregon se ‘tre burrat’ që shkuan tek Abrahami, në të vërtetë ishin engjëj të dërguar nga Zoti. Abrahami dalloi se ishin përfaqësues të Zotit dhe iu drejtua atyre sikur të fliste drejtpërdrejt me Jehovain.—Zanafilla 18:2, 3, 22, 32; 19:1.
Vegimet.
Perëndia iu shfaq njerëzve edhe nëpërmjet vegimeve ose pamjeve në mendjen e tyre. Për shembull, kur Bibla thotë se Moisiu dhe izraelitët e tjerë «panë Perëndinë e Izraelit», faktikisht «patën një vegim të Perëndisë së vërtetë». (Dalja 24:9-11) Po kështu, Bibla ndonjëherë thotë se profetët ‘panë Jehovain’. (Isaia 6:1; Danieli 7:9; Amosi 9:1) Në secilin rast, konteksti tregon se ata e panë Perëndinë në vegim e jo drejtpërdrejt.—Isaia 1:1; Danieli 7:2; Amosi 1:1.