Pasi Jezui u ringjall, kishte trup prej mishi apo prej fryme?
Përgjigjja e Biblës
Bibla thotë se Jezui ‘u vra në mish, por u ngjall në frymë’.—1 Pjetrit 3:18; Veprat 13:34; 1 Korintasve 15:45; 2 Korintasve 5:16.
Vetë fjalët e Jezuit treguan se ai nuk do të ringjallej me trupin e tij prej mishi dhe gjaku. Ai tha se do ta jepte ‘mishin e tij për jetën e botës’, si një shpërblesë për njerëzimin. (Gjoni 6:51; Mateu 20:28) Nëse do të ringjallej me trupin e tij prej mishi, kjo do ta anulonte këtë flijim shpërblyes. Megjithatë, diçka e tillë nuk mund të ketë ndodhur, sepse Bibla thotë se ai e flijoi mishin dhe gjakun «një herë e mirë».—Hebrenjve 9:11, 12.
Nëse Jezui u ngrit me një trup prej fryme, si mund ta shihnin dishepujt e tij?
Krijesat prej fryme mund të marrin formë njerëzore. Për shembull, engjëj në të kaluarën morën formë njerëzore. Madje hëngrën e pinë bashkë me njerëzit. (Zanafilla 18:1-8; 19:1-3) Gjithsesi, ata ishin ende krijesa prej fryme dhe mund ta linin botën fizike.—Gjykatësit 13:15-21.
Pasi u ringjall, edhe Jezui mori formë njerëzore për pak kohë, ashtu siç kishin bërë engjëjt më parë. Megjithatë, si krijesë prej fryme, ai mund të shfaqej e të zhdukej papritmas. (Luka 24:31; Gjoni 20:19, 26) Trupat prej mishi me të cilët materializohej, nuk ishin identikë me njëri-tjetrin çdo herë që u shfaqej të tjerëve. Prandaj, edhe miqtë e ngushtë të Jezuit e njohën vetëm nga gjërat që tha e bëri.—Luka 24:30, 31, 35; Gjoni 20:14-16; 21:6, 7.
Kur iu shfaq njërit prej apostujve, Thomait, Jezui mori një trup me shenja plage. Këtë e bëri për t’i forcuar besimin Thomait, pasi ky dyshonte që Jezui ishte ngritur.—Gjoni 20:24-29.