Ku mund të gjej shpresë?
Përgjigjja e Biblës
Bibla thotë se Perëndia dëshiron të na japë «një të ardhme plot shpresë». a (Jeremia 29:11) Vërtet, një arsye pse Zoti na ka dhënë Biblën, është që «me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». (Romakëve 15:4) Siç do ta shohim, këshillat e mençura të Biblës na japin një pikëpamje pozitive për të përballuar problemet e përditshme. Gjithashtu, premtimet e saj na japin një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
Në këtë faqe
Si na ndihmon Bibla të kemi një pikëpamje pozitive?
Bibla na ndihmon të kemi një pikëpamje pozitive, duke na dhënë këshilla praktike për të përmirësuar jetën. Shqyrto disa shembuj.
Kërko këshilla praktike në Bibël. Psalmi 119:105 thotë: «Fjala jote është llambë për këmbët e mia, është dritë për shtegun tim.» Një dritë e fuqishme mund të kryejë dy funksione: na ndriçon rrugën pikërisht aty te këmbët tona dhe na ndriçon shtegun e rrugës edhe më tutje. Po njësoj, parimet praktike të Biblës na ndihmojnë t’ia dalim mbanë me problemet që lindin aty për aty, që ta përballojmë çdo ditë me optimizëm. Gjithashtu, mësimet e saj na përtërijnë forcat dhe na «gëzojnë zemrën». (Psalmi 19:7, 8) Në të njëjtën kohë, Bibla hedh dritë mbi qëllimin e mrekullueshëm të Perëndisë për të ardhmen e njerëzimit dhe të tokës. Kjo shpresë na jep gëzim dhe lumturi që zgjat.
Prano ndihmën e të tjerëve. Kur një situatë na duket e pashpresë, mund të kemi prirjen t’i shmangim familjarët a miqtë. Bibla thotë se kjo nuk është e mençur, sepse mund të na nxitë të marrim vendime të pamenda dhe të veprojmë marrëzisht. (Proverbat 18:1) Njerëzit tanë të dashur mund të kenë një ndikim stabilizues te ne. Mund të na japin sugjerime të dobishme si ta përballojmë një situatë të vështirë. (Proverbat 11:14) Ose më e pakta, mund të na inkurajojnë e të na i ngrenë zemrat peshë, duke na dhënë forcë që të qëndrojmë derisa gjërat të përmirësohen.—Proverbat 12:25.
Lutju Perëndisë. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai do të të mbështetë. Ai s’do të lejojë kurrë që i drejti të bjerë.» b (Psalmi 55:22) Me të drejtë, Jehovai quhet «Perëndia që jep shpresë». (Romakëve 15:13) Mund t’i lutesh atij për «çdo shqetësim», i bindur se ai merakoset për ty. (1 Pjetrit 5:7, shënimi) Në fakt, Bibla thotë: «[Ai] do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë e do t’ju vërë mbi themele të forta.»—1 Pjetrit 5:10.
Lejoji sprovat të të forcojnë shpresën. Bibla premton: «Ai që . . . dëgjon [Perëndinë], do të jetojë i sigurt, pa frikë në zemër se mos i ndodh ndonjë e keqe.» (Proverbat 1:33) Margareta që jeton në Australi, humbi shumë zotërime kur një ciklon i shembi shtëpinë. Në vend që të zhytej në dëshpërim, ajo nxori një mësim me vlerë—gjërat materiale mund të zhduken sa hap e mbyll sytë. Pas kësaj, Margareta ishte edhe më e vendosur të përqendrohej te gjërat që kanë vërtet rëndësi, si familja, miqtë, miqësia me Zotin dhe shpresa që jep Bibla.—Psalmi 37:34; Jakovi 4:8.
Çfarë shprese ofron Bibla për të gjithë njerëzit?
Bibla premton një të ardhme të bukur për njerëzit dhe tokën. Dhe kjo e ardhme është te dera. Po, problemet që po has njerëzimi sot, dëshmojnë se po jetojmë «në ditët e fundit» të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1-5) Së shpejti Perëndia do të marrë plotësisht nën kontroll gjithë sa po ndodh në tokë dhe do t’i eliminojë padrejtësitë dhe vuajtjet. Këtë do ta bëjë nëpërmjet një qeverie mbarëbotërore që quhet Mbretëria e Perëndisë. (Danieli 2:44; Zbulesa 11:15) Në lutjen model, Jezui iu referua kësaj qeverie qiellore me fjalët: «Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt . . . edhe në tokë!»—Mateu 6:9, 10.
Vullneti i Perëndisë për njerëzit është shprehur qartë në Bibël. Vëre disa probleme që do të zgjidhë Mbretëria e Perëndisë:
Nuk do të ketë më uri. «Toka do të japë prodhimin e saj.»—Psalmi 67:6.
Nuk do të ketë më sëmundje. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.
Nuk do të ketë më vdekje. Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e [njerëzve] dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:3, 4.
a Shpresojmë për diçka kur e duam dhe besojmë se mund ta marrim. Shpresë mund të jetë për ne edhe diçka që mezi e presim ose gjëja për të cilën shpresojmë.
b Jehova është emri i Perëndisë siç thuhet në Bibël.—Psalmi 83:18.