Cili është vullneti i Perëndisë për jetën time?
Përgjigjja e Biblës
Vullneti i Perëndisë është që ta njohësh, t’i afrohesh, dhe më pas ta duash e t’i shërbesh me gjithë zemër atij. (Mateu 22:37, 38; Jakovi 4:8) Nga jeta dhe mësimet e Jezuit mund të mësosh si të bësh vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 7:16, 17) Jezui jo vetëm foli për vullnetin e Perëndisë, por edhe jetoi në përputhje me të. Në fakt, Jezui tha se qëllimi i tij në jetë nuk ishte ‘të bënte vullnetin e vet, por vullnetin e atij që e dërgoi’.—Gjoni 6:38.
A kam nevojë për një shenjë të veçantë, vegim ose thirrje që të kuptoj cili është vullneti i Perëndisë për mua?
Jo, sepse mesazhi i Perëndisë për njerëzimin gjendet në Bibël. Ajo përmban atë që të nevojitet për të qenë «plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë». (2 Timoteut 3:16, 17) Perëndia dëshiron që ta përdorësh Biblën bashkë me ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’, që të mësosh vullnetin e tij për ty.—Romakëve 12:1, 2; Efesianëve 5:17.
A mund ta bëj vërtet vullnetin e Perëndisë?
Po, mundesh, sepse Bibla thotë: «Urdhërimet e tij [Perëndisë] nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3, Diodati i Ri) Kjo nuk do të thotë se është gjithnjë e lehtë t’u bindesh urdhërimeve të Perëndisë. Por, dobitë që do të nxjerrësh janë shumë më të mëdha në krahasim me përpjekjet që duhet të bësh. Vetë Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:28.